GJEJE UDHËN QË TË PRET PËRTEJ KËTIJ SHIKIMI
Ke humbur në terrin e dritave që shkelin me këmbë
në udhëkryqe ke kërkuar tehun e një klithme që kurrë se preku kurmin e qiellit,
duart që zgjaten si degë e lutjet që shndërrohen në altar nuk ta kanë treguar shtegun,
kahun ku qiell kërkojnë krahët e tu të fluturimit.
Kërko udhën që të pret, të të çojë kah erërat shtegtojnë me gjethet.
Gjeje përtej këtyre syve që i deh pritja,
atytek një zemër shkulmon e buçet në atë kraharor që gufojnë qiejt,
në atë prehër adhurimi, ku pafundësia shumohet në polenin e luleve që i end pranvera.
Në sythin e asaj ëndrre që pikon nën qerpik,
aty ku sheh pasqyrimin e mijëra dejve që ngjyejnë me dritë gjurmët prej vese që të tregojnë rrugën e amshimit…
Vetëm dehja e vetmisë mundet t’i japë shëlbim këtij çasti pror,
limfa e legjendave dhe përfytyrimeve idilike rrugëtuar ndër shekuj i jep qiell këtij pragu,
vetë drita e atyre syve mundet të shuaj frymë e të ndez zemra… në çdo shpërthim që të kafshon, kjo prehjen e mëndafshtë që na prek beftas duke na shkundur prej hutimit.
Shkëndija yjësish përpush ky shpirt që rreshket prej lotit qi ia thajnë kujtimet,
kjo ëndje zjarrmuese që në buzë kafshon puthjen, puthjen që kërkon buzë të pihet e të dehet.
AV