Shkodrani Pjetër Logoreci, i cili që dy dekada jeton në Austri siç e quan ai “Parrizin e Tokës”, ëndrra e tij e ndërprerë nga regjimi komunist të kryej shkollën e lartë të aktorit u realizua pikërisht në Vjenë. Duke luajtur role në skenën e Teatrit Kombëtar të Vjenës., por edhe në projekte tjera teatrore.
Pasioni i tij është i madh, gërmimi në arkiva për të gjetur gjurmët shqiptare të njerëzve të shquar të cilët arritën që me punën e tyre të japin shembullin e mirë, jo vetëm për evropën, por edhe më gjerë. Shkodrani Pjetër Logoreci, i cili që dy dekada jeton në Austri siç e quan ai “Parrizin e Tokës”, ëndrra e tij e ndërprerë nga regjimi komunist të kryej shkollën e lartë të aktorit u realizua pikërisht në Vjenë. Duke luajtur role në skenën e Teatrit Kombëtar të Vjenës., por edhe në projekte tjera teatrore. Iniciatori kryesor për rikthimin e eshtrave të Dom Nikoll Kaçorrit në Shqipëri, por edhe rizbulimi i Aleksandër Mojsiut, aktorit më të madh me origjinë shqiptare i të gjitha kohërave
Pinjoll i familjes Logoreci!
Ai u lind në Shkodër në një familje katolike Shkodrane, të njohur për atdhedashurinë dhe si një familje që i dha shumë Kishës Katolike edhe Kombit. “Dom Gjergj Logoreci ka qenë famullitari i së vetmes kishë në Shkodër gjatë shekullit të XIX-të asaj të Tophanes, e më vonë në Kosovë. Imzot Ndre ( Andrea ) Logoreci i cili ishte ipeshkëv ndihmës i Shkupit (kushëri i Kolë Bojaxhiut, babait të Nënë Terezës), Mati Logoreci mësues e gjuhëtar, ndër themeluesit e alfabetit shqip. Ndoc ( Anton) Logoreci, student i Kembrixhit, ndër diplomatët e parë shqiptar, themelues i seksionit shqip në Radio Londra. Zef Logoreci mësues i gjuhës shqipe, ndër Shqiptarët e Kaliforinsë dhe specialist për Ballkanin në institucionet e zbulimit amerikan. Fëmijëria ime ka qenë plotë me vuajtje, përveç përndjekjes si kristian me besim, nga aziatiko-komunistët, ne si familje na u shtua edhe përndjekja politike e sistemit me të cilin ne ishim kundërshtarë, pasi xhaxhai im Anton Logoreci propagandonte në Radio Londra kundër farës së keqe të tyre, që u bë edhe shkak që i vëllai, Filip Logoreci vetëm 23 vjeç, të vdiste në burgun e Shkodrës nga torturat.
“Nuk u lejova të shkoj në shkollë të lartë për të realizuar ëndrrën e jetës, të bëhesha aktor. Pavarësisht kësaj, isha shumë aktiv dhe ndër personazhet kryesorë të lëvizjeve artistike amatore të kohës, në ato organizime që u bëheshin në Shkodër ( në teatër, klubin e rinisë, shtëpinë e kulturës), por edhe në Arkidioqezën e Shkodrës kur u hapën kishat me lëvizjet e ndryshme kulturore e artistike. Në lëvizjet demokratike në fillim viteve 90-të u angazhova kundër regjimit, madje mora pjesë edhe në hapjen e Kishës së Arrës së Madhe. U arratisa nga Shqipëria që të shpëtoja bandave keqbërëse nga të cilat kisha marrë kërcënime, si unë ashtu edhe familja ime. Që 20 vjet jetoi në Austri “ Parrizin e Tokës”, ku mendoj se jam integruar mjaft mirë. Në Vjenë, pata fatin të realizoi ëndrrën time të aktrimit, duke luajtur në skenën e Teatrit Popullor të Vjenës, e po ashtu edhe në projekte të ndryshme teatrore te një nga regjisorët shumë të famshëm në shtetet gjermanisht folëse.
Pasioni për arkivat!
“ Ardhja ime në Vjenë ndryshoi shumë gjëra, edhe mënyrën time të jetesës, përveç bukurisë, kulturës, historisë, dashamirësisë e shpirtëmadhësisë që i gjeta gati si në Shkodër. Puna ime në një institut që financonte projektet për Ballkanin, më dha mundësinë të filloj të jap ndihmesën për çështjen kombëtare. Me ndihmën time erdhën në Vjenë studiuesi Mentor Quku, i cili kërkonte në arkivat austriake informacione e dokumente mbi Dom Ndre Mjedën, drejtori i Bibliotekës së Shkodrës, Gjovalin Çuni ( për një praktikë në bibliotekën e Vjenës), që do i shërbente më vonë në ndërtimin e punës së tij në Shkodër. Duke ndihmuar në arkiv, profesor Mentor Qukun, në kërkimet për dokumentet e Mjedës, arrita të mësoj si kërkohet në arkiva, që më shërbeu për gjetjen e dokumenteve të panjohura për shumë personalitet të kombit tonë si: Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Nikoll Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Mati Logoreci, Dom Nikoll Gazulli, Dom Ndre Mjeda, Imzot Lazer Mjeda, Abat Preng Doçi. Aleksandër Mojsiu, Gjergj Sina, Nikolla Dumben etj”
“ Punën më të madhe që arrita të bëjë, gjithmonë me mbështetje të personaliteteve austriake, ishte nxjerrja dhe riatdhesimi i eshtrave të Imzot Nikoll Kaçorrit. Me miratimin e shefit të Institutit Dr. Stillfried, paraqita një projekt me të gjitha detajet dhe shpenzimet që duhet të përballoheshin. Me qenë se shteti Shqiptar kishte 94 vite që nuk kishte pasur as më të voglin interesim për riatdhesimin e eshtrave të themeluesit të shtetit Shqiptar, arrita që privatisht ( por me shpenzimet e shtetit austriak) të trokas në të gjitha dyert e administratës për të mundësuar nxjerrjen dhe riatdhesimin e eshtrave të Imzot Kaçorrit, gjë që kërkoi rreth 8 muaj kohë dhe njohje. Ky aksion pati për mua personalisht, një reaksion shpirtëror shumë pozitiv, që në mënyrë të veçantë na prek në që jetojmë në diasporë. Pata ndjesinë që u rilinda dhe mu shua malli për atdheun që më përvëlonte çdo ditë e më shumë. Nuk mund të them që ishte mungesa e traditës që në aeroportin e Rinasit, eshtrat e Imzot Kaçorrit nuk u priten me ceremoninë e duhur, por ishte keqdashja e autoriteteve Shqiptare ( më të cilët kisha komunikuar paraprakisht) duke e konsideruar Imzot Kaçorrin si një prift katolik e jo si një gurë themeli i atdhetarisë dhe i formimit të Shtetit Shqiptar. Jo vetëm politikanët ish-komunist, por edhe deputetët që i përkisnin të përndjekurve politik, reaguan keq, por populli, njerëzit e thjeshtë e priten me krahë hapur heroin e kombit Nikoll Kaçorri, duke i dhënë një shuplakë turnjëve politikes.”
“Mundësinë e gjetjes së arkivit personal të aktorit të madh Aleksander Mojsiu, ia dedikoj periudhës dhe njohjeve që pata gjatë periudhës që kisha kontratë me Teatrin Popullorë të Vjenës. Arkivi i aktorit i krijuar dhe i ruajtur nga bashkëshortja e tij Johanna Treëin, është një mrekulli (për nga vlera dhe informacioni), jo vetëm për shqiptarët nga ku ka edhe origjinën aktori, por edhe për Evropën, që e njohur e vlerësoi talentin e gjenit të skenës teatrore Moisi. 7 vite kam kërkuar, lexuar, kopjuar, komentuar e nxjerr dokumentet nga ky arkiv, që ti kem në arkivin tim personal. Në këtë arkiv ndodhen me qindra letra, mijëra shkrime e lajme gazetash e po ashtu edhe objekte personale të aktorit. Dua të them se gjatë kësaj periudhe kam përjetuar emocionet më të forta të jetës sime, duke pasur në dorë, se pari kokën ( kafkën) e Imzot Kaçorrit, e së dyti edhe maskën e vdekjes së Aleksander Mojsiut me flokët e tij origjinal… një fat që nuk e ka kushdo.”
Shkodra dhe Shqipëria në arkivat e Vjenës!
“ Dua të theksoj se është një fat i madh që shumë dokumente të historisë tonë kombëtare gjenden në arkivat e Vjenës, pasi ashtu edhe sikur ndodhi, gjatë pushtimit osman, regjimit komunist, shumë u dogjën, u zhduken apo janë shitur me qëllime fitimi, apo edhe me qëllim shkatërrimin e identitetit të një populli të vogël e të shumë vuajtur të Ballkanit. Arkiva ka mijëra dokumente e fotografi nga historia jonë, të cilat përmes Konsullatave Austriake në disa qytete të Shqipërisë janë depozituar në Ministrinë e Jashtme apo atë të Brendshme të Perandorisë Austriake. Me mundësitë e mija të vogla financiare, kam nxjerrë dhe i kam dhuruar Arkivit të Shtetit në Tiranë disa qindra, sidomos për periudhën e shpalljes së pavarësisë. Dokumente për Imzot Kaçorrin, Mojsiun, Kolë Rroten, Pekmezin, Mjeden etj., por shoh që shteti Shqiptar nuk është i interesuar (edhe kur un i fala dokumentet), edhe pse nuk janë shpenzime të mëdha. Sidomos Shkodra, e cila ka pasur konsullatën kryesore, është e pasqyruar me qindra informacione, libra, fotografi, letra e dokumente zyrtarë në arkivat e Vjenës. Edhe Biblioteka Kombëtare Austriake ka një fond të pa fund me libra e botime të hershme, mbasi profesor Jokli ishte albanolog dhe drejtor i kësaj biblioteke, ka krijuar me shumë dashuri një fond të pasur. Shpesh kam në dorë libra të botuar në Shqipëri në shtypshkronjën “Nikaj” apo “ Françeskane” me nënshkrimet e autorëve të cilët ja kanë dhuruar Joklit për ti lexuar edhe për Bibliotekën Kombëtare. Me dëshirë e kuriozitet të madh vazhdoj të kërkoj, të gjej e të botoj informacione e dokumentë të panjohur për historinë tonë”.
Simon Shkreli