Me pak fjalë, Budapesti është i pakrahasueshëm, i magjishëm, emocionues e plot surpriza. Qytet historik, por asnjëherë i palëvizshëm. Kultura, tradita, jeta plot energji, pulsojnë në çdo kënd të tij. Një tërësi e ekuilibruar me dimensione të vogla e të mëdha, të së shkuarës dhe të së ardhmes, falë elegancës, qetësisë dhe dinamizmit.
Budapesti, perla e Lindjes me muzikën cigane, gatimin pikant, çardashin dhe verën tokaj: vizitorët nisen për këtu me panorama të mrekullueshme në mendje për kryeqytetin në Danub dhe largohen me përshtypjet më të paharrueshme.
Përgjigje më të qartë për pyetjen nëse duhet të vizitoni apo jo Budapestin, e ofron vetë ky qytet kur demostron dy pjesët e tij Pesti dhe Buda, të ndara nga lumi Danub dhe të lidhura nga shumë ura elegante, 7 automobilistike dhe 2 hekurudhore. Nga të dyja anët e lumit mund të admirohen perlat e trashëgimisë botërore. Në majë të kodrës ngrihet Pallati Mbretëror i Budës, një lagje mesjetare, me ndërtesa të ulta tradicionale që të japin përshtypjen e qyteteve të vogla mikëpritëse. Kodra e kështjellës është krenaria e hungarezëve, simbol i historisë dhe identitetit të tyre. Ndërsa nga ana tjetër e lumit shtrihet Pesti, një metropol lirie dhe dinamizmi, me institucionet zyrtare, pallate të dekoruara dhe vende të magjishme çlodhjeje dhe argëtimi.
Në anë të lumit në hyrje të Pestit ndodhet një nga simbolet e qytetit, Pallati i Parlamentit, një nga më të mëdhenjtë në botë, me më shumë se 700 dhoma, me një arkitekturë fanatasike të vitit 1907, gjithçka e gdhendur në detaj si në një kështjellë rëre. Në oborrin përpara tij, dy luanët e mëdhenj, janë rojet besnike që nga koha e perandorisë së madhe Austro-Hungareze. Pallati madhështor me ngjyrë vishnje, duket sikur po i gëzohet historisë që e vështron nga ana tjetër e lumit.
Pasuria natyrale dhe arkitekturore organizohen në një tërësi monumentale me emrin Budapest, kryeqytet i Danubit. Atmosfera dhe panorama e rrugëve përgjatë Danubit u krijua nga kalërimi me kuaj në shekullin e XIX-të dhe XX-të, epoke kur Budapesti u bë një nga metropolet më të zhvilluara, më dinamikë dhe më tërheqës.
Por edhe tani, në mileniumin e ri është bërë edhe njëherë teatri i mundësive, i dinamizmit dhe ndryshimeve të shpjeta e të pabesueshme. Bashkëjetesa e të shkuarës me të ardhmen, forcës dhe faljes, shenjat e kudoshfaqura të ndryshimit, ndërtojnë karakterin e sotëm të Budapestit, tërheqës dhe i papërsëritshëm, përshtypje që çdo vizitor e mbyll në zemrën e tij dhe e ruan në kujtesë.
Budapesti është zemra e Hungarisë, shtëpia e 20 përqind të popullsisë hungareze. Asnjë qytet tjetër hungarez nuk i afrohet Budapesit për nga madhësia, bukuria dhe rëndësia. Qyteti është një miks i ndërtesave të vjetra dhe të reja, shumë nga ndërtesat historike, kishat muze dhe shtëpitë e personaliteteve të shquara, janë ngritur në fund të viteve 1800 kur udhëhiqnin austriakët.
Ndërtesat e zbukuruara u kujtojnë vizitorëve kryeqytetin austriak, Vienën. Ndërtesat më të reja të ndërtuara gjatë regjimit komunist kanë të njëjtën pamje, uniforme dhe të mërzitshme.
Budapesti është një qytet shumë i madh dhe kuriozitetet nuk mund të shuhen duke e përshkuar në këmbë. Transporti në Hungari është i shumëllojshëm dhe nga më modernët. Ka disa linja metrosh, tramvaje, autobuzë, minibuzë, trena dhe taksi. Kudo gjen tabela dhe harta të Budapestit ku shënohen me ngjyra të ndryshme, linjat që duhet të marrësh për të vizituar vendet që do.
Çfarë nuk duhet të humbisni nga Budapesti
Nuk mund të kuptohet një vizitë në Budapest, nëse nuk viziton Kështjellën e Budës dhe lagjen e saj. Një pjesë të madhe të kodrës së Kështjellës e zë Pallati Mbretëror, i cili u shkatërrua plotësisht gjatë pushtimit turk. Otomanët vendosën aty disa topa të mëdhenj që me dy të shtëna mund të shkatërronin gjithë qytetin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore pjesa e brendshme e pallatit u dogj, por më pas u rindërtua në vitin 1970 dhe në të gjenden Galeria Kombëtare, Muzeu Historik i Budapestit, Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu i Arteve Bashkëkohore.
Lagjia e Kështjellës është një nga pikat më të bukura për shëtitje romantike. Pallatet elegante të silit barok dhe zopf janë kujtime nga pushtimi turk. Kisha Mattia është një dëshmi tjetër e këtij pushtimi, ndërsa muret janë zbukuruar me afreske dhe portete të shenjtëve, Krishtit dhe Shën Mërisë, xhamat janë të zbukuruara me pashallarë të rrethuar nga gra që u shërbejnë. Në krah të saj dhe në qendër të sheshit është monumenti i stilit barok i Trinia e Shenjtë (simboli i Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë), në krahun tjetër ngrihet Bastioni i Peshkatarëve, një kështjellë e vogël prej guri të bardhë me shumë rrugica, shkallë të gurta dhe pika vrojtimi.
Sheshi i Heronjve dhe Muzeu i Arteve të Bukura
Përgjatë rrugës Andrassy, rruga e parë metropolitane me të vërtetë elegante, përveç vilave të bukura të përfaqësive të huaja gjendet edhe Teatri i Operas, ndërtim i hershëm, i zbukuruar me afreske të piktorëve më të famshëm të asaj epoke. Teatri i Operas dhe Akademia e Muzikës janë sinonimi i elegancës, por nuk mungojnë edhe pubet, teatrot, klubet e natës që ofrojnë argetim pa fund për të gjithë.
Rruga Andrassy mbyllet me Sheshin e Heronjve ku ndodhen dy muzeume: ai i Arteve të Bukura dhe ai i Artit Modern, dy ndërtesa të mëdha të silit klasik të vendosura përballë njëra tjetrës. Është e rëndësishme të theksohet se Muzeu i Arteve të Bukura është një nga më të mirët në Evropë, pasi mban koleksione të mahnitshme të skulpturave greko-romake, por edhe piktura nga emra të mëdhenj si Rafaelo, Tiziano, Veronese, Rembrandt.
Në qendër në hapësirën midis dy muzeve lartësohet monumenti Milenium, ku paraqiten me mjeshtëri të gjithë heronjtë kombëtarë hungarezë. Portetet e tyre të punuara në bronz, paraqesin heronjtë legjendarë në pozicione luftimi, hipur mbi kuaj dhe karroca, me shpata në dorë.
Shëtitja përgjatë lumit, urat dhe ishulli i Margaritës
Çdo qytet kur vështrohet nga lart, të jep një tjetër pamje të tijën. Në rastin e Budapestit, pamja është krejt speciale, sepse bukuria e tij qëndron në harmoninë e bukurisë natyrore dhe asaj arkitektonike. Panorama ndryshon nga këndvështrime të ndryshme, nga kodrat, urat kishat dhe kullat dhe të gjitha janë njësoj tërheqëse.
Në majë të një kodre është vendosur Statuja e Lirisë, monumenti tipik komunist me lartësi 14 m. Urat mbrojtëse rreth e qark monumentit si dhe ujvara poshtë tij, falë sistemit modern të ndriçimit ofrojnë nje spektakël të mahnitshëm. Ura e Elisabetës, një nga më të dëgjuarat, u ngrit për nder të mbretëreshës së vrarë me 1898 dhe u rindërtua në vitin 1964 me harqe moderne dhe statuja në të dyja anët.
Ishulli i Margaritës, u quajt keshtu për nder të vajzës së flijuar në të nga i ati. Ai shtrihet midis dy urave Margarita dhe Arpad dhe është parku më i bukur i Budapestit. Në të mund gjeni përveç shtëpisë muze, shumë bare, restorante dhe motele me pishina. Nëse doni të përshkoni ishullin, do të gjeni biçikleta me qera dhe udhëtimi përgjatë tij do të jetë i paharrueshëm.
Qyteti i burimeve termale dhe jetës së natës
Dy gjërat që do të hasni me shpesh në Budapest janë burimet termale dhe klubet e natës. Kryeqyteti i Hungarisë ka një pasuri burimesh termale unike në shkallë botërore. Në 14 vende shpërthejne rreth 123 burime termale. Banjoja termale Lukacs është pishina më e preferuar e artistëve hungarezë, ndërsa banjoja Gellert është një nga më elegantet.
Klubet e natës janë po kështu shumë të përhapura, ato gjenden edhe në mes të qytetit anës rrugëve kryesore, por edhe në kodrën e kështjellës dhe në periferi. Përveç tyre ka edhe shumë restorante me muzikë, klube xhazi etj.
Kuzhina hungareze është shumë e mirë dhe e pasur. E veçanta e saj është përdorimi i tepërt i esencave djegëse. Përsa i përket pijeve, askush nuk mund të largohet nga ky vend pa blerë një shishe Unicum, pija e famshme kurative hungareze. Restorantet ku mund t'i shijoni të gjitha këto janë të shumtë, por për ata që të ngrënit e quajnë sfidë, eskperienca në restorantin Fatal, me porcione të jashtëzakonshme ushqimi, do të jetë e paharrueshme.