Është nata ajo që i jep kuptimin ditës. Dhe falë gjumit që bëjmë natën përvojat e ditës marrin dhe gjejnë një kuptim dhe kanë një logjikë. Pyetja që dukej se ishte e destinuar për të mbetur pa një përgjigje (përse flemë?) po shndërrohet në fakt në një pus të vërtetë të mbushur me mrekulli për shkencën dhe kjo hap pas hapi ndërsa eksperimentet shkencore nxjerrin në pah rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë për mirëqenien dhe vetë jetën tonë, orët e errësirës së natës.
Në fakt të jetosh pa gjumë është e pamundur dhe kjo jo vetëm në aspektin e lodhjes fizike. Nëse nuk do të ishte gjumi, pra pauza mes ditëve, atëherë nuk do të ekzistonte as reflektimi dhe as ndarja e ngjarjeve nga njëra-tjetra. Ndërsa gjatë gjumit truri ynë përjeton dhe përpunon të gjitha përvojat e ditës. I çmonton, i kategorizon dhe i vendos ato në zona të ndryshme të tij. Dhe aty qëndrojnë në formën e kujtimeve për rreth një muaj, një vit, apo për gjithë jetën sipas rëndësisë së tyre apo impaktit emotiv që na kanë lënë. Ky lloj spastrimi është ajo ndjesi që në mëngjes e quajmë “çlodhje”, apo “mendje të lehtë”. Pa këtë rregullim që bëhet gjatë natës në trurin tonë do të mbizotëronte rrëmuja dhe ne vetë nuk do të përjetonim kurrë ndjenjën e mirë dhe të këndshme e plot energji që na dhuron në mëngjes një gjumë i mirë natën. Dhe për më tepër të gjitha përvojat e një dite më parë do të përfundonin në një kosh të madh dhe të paformë me pak mundësi për t’u rikuperuar më pas.
Vlera e gjumit
Gjumi ndikon drejtpërsëdrejti në sistemin endokrin dhe metabolizmin, që ndikojnë direkt në gjenerimin e hormoneve dhe rigjenerimin e energjisë. Gjumi gjithashtu ka rëndësi për rritjen e qelizave, rëndësia e të cilave është e pamohueshme. Gjumi ka efekt direkt në funksionimin e rregullt të trurit, në aftësinë e përqendrimit dhe të ruajtjes së memories. Na bën më elastik kur kemi të bëjmë me vendimmarrjen dhe gjykimin. Gjumi gjithashtu rrit aftësitë motorike dhe reaksionin. Aktualisht po zhvillohen një numër eksperimentesh për ndikimin e pagjumësisë në sëmundjet si diabeti, hipertensioni, obeziteti dhe depresioni. A e dini se pagjumësia rrezikon jetën tuaj? Po, nëse flini në prani të njerëzve që gërhasin atëherë mund të fitoni sëmundjen e quajtur ‘apnea e gjumit’ që është fatale për organizmin e njeriut. Kjo nuk është e tëra. Pagjumësia mund të shoqërohet me lodhje të madhe, ecjen në gjumë dhe të folurit në gjumë. Por, sa duhet të flemë për të qenë të shëndetshëm? Njeriu në gjumë dhe për një gjumë sa më të shëndetshëm duhet të kalojë katër cikle të cilat janë përafërsisht nga dy orë dhe më pas është faza e çlodhjes në gjumë. Gjithsej, njeriut të rritur i duhen tetë orë gjumë të pastër për të mbajtur organizmin të shëndetshëm.
Gjithkush ka nevojë për gjumë dhe kjo nevojë është sasia e gjumit që çdo organizëm kërkon për t’u rizgjuar i rigjallëruar. Shuma mesatare e gjumit të nevojshëm ndryshon gjatë periudhave të jetës, sidomos gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Edhe pse ekziston një shumë mesatare gjumi, sasia e gjumit gjithashtu ndryshon nga personi në person – çka e bën gjumin gjenetik apo të përcaktuar nga gjenet e çdo individi. Sipas Fondacionit kombëtar të Gjumit – National Sleep Foundation – SHBA, foshnjet nga 3 në 11 muaj kanë nevojë për 14-15 orë gjumë në 24 orë; nga 12 në 35 muaj duhet 12-14 orë; parashkollorëve 3 – 6 vjeç u duhet 11- 13 orë gjumë; fëmijët nga 6 në 10 vjeç kanë nevojë për 10 – 11 orë; adoleshentët nga 11 – 18 vjeç kanë nevojë për 9 orë e gjysmë gjumë; dhe të rriturit për një mesatare prej 8 orësh në 24 orë.
Përllogaritet se një të tretën (1/3) e jetës, njeriu e kalon në gjumë.
Çfarë ndodh nëse nuk plotësohet nevoja për gjumë? Duke mos fjetur sa duhet, personi grumbullon një borxh që zakonisht duhet paguar (me gjumë). Kjo mund të përfshijë gjumin shtesë. Nëse njeriu fle më pak sesa trupi ka nevojë, ai/ajo ndjen lodhje, vështirësi në të menduar, shton rrezikun për aksidente, komplikime shëndetësore (p.sh., shtim në peshë). Megjithatë, disa studime të kohëve të fundit kanë treguar se borxhi i gjumit nuk mund të shlyhet.
Qëllimi dhe funksioni i gjumit vazhdojnë të mbeten kryesisht mister. Vetëm në dekadat e fundit shkencëtarët kanë filluar të zbulojnë disa nga sekretet e tij. Ekzistojnë të paktën 3 teori pse njeriu fle.
Teoria e riparimit; është shpjegimi më i pranuar, që sugjeron se gjumi rikthen në jetë indet dhe përgatit trupin për të nesërmen. Kjo mund të përfshijë pastrimin e neuro-transmetuesve të akumuluar nga truri, si dhe riparimin e indeve në të gjithë trupin.
Teoria e adaptimit; është shpjegim alternativ që thotë se gjumi rrit aftësinë për të mbijetuar. Ndërsa nata mund të jetë e rrezikshme, sidomos nga kafshët grabitqarë, kjo i shtynë qeniet për të kërkuar një strehë të sigurt. Duke shmangur rreziqet, kafsha jeton gjatë dhe ka më shumë gjasa për të riprodhuar – kështu, gjumi bëhet një përparësi për t’u përshtatur.
Teoria e konservimit; sipas kësaj teorie, gjumi është një mjet për të ruajtur energjinë. Gjatë gjumit, metabolizmi ngadalësohet, kështu që nevoja e përgjithshme për kalori është e pakët. Në qoftë se koha shpenzohet zgjuar, njeriu nuk mund të ketë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar
Ka teori që thonë se gjumi duket të ketë funksione të tjera por që ende nuk njihen. Gjithësesi mendohet se gjumi e ndihmon njeriun të mësojë, rafinojë dhe konsolidojë kujtimet. Gjumi ndihmon në forcimin e sistemit imunitar. Pavarësisht nga qëllimi ose funksioni, gjumi është, qartë, një nga aktivitetet më të domosdoshme të jetës, dhe ndoshta një për të cilat dihet shumë pak. Kjo çon në mundësi për spekullime filozofike dhe analizë të vetvetes – nëse shtrirë me sy në tavan, në pritje për gjumë, lind pyetja “Pse flemë?”