Jeta na ka mësuar dhe vijon pambarim të na mëkojë prej dijes së saj udhë dhe shtigje, për të mbërritur tek njeriu, për të ngulmuar në përmbushjen e përsosjes së vetvetes. Të gjithë ne mbartim dhe promovojmë një identitet të shkruar prej paraardhësve. Prindërit tanë kanë meritën për gjithçka të mirë tonën dhe janë fajtorë për gjithçka të dënueshme. Ne jemi fajtorë pa faj dhe meritues pa lavdi. E jona është ngulmi i përsosjes, kapërcimi i pragut, tejkalimi i vetvetes së trashëguar, ndërhyrja në kodin gjenetik. E gjithë kjo sfidë titane kalon përmes një fushëbeteje risqesh dhe pamundësish, hezitimi dhe sprapsjeje. Por përsosjen e meritojnë heronjtë. Të jetosh si një gladiator, gjithnjë duke u përpjekur.
Në këtë udhë jete, ajo që bën dhe e ndjen është ajo që duhet të bësh. Mos u bëj rob i fatalizmit, nëse nuk do të lësh veten të bjerë në boshin e asgjësë, ta gjesh heroin brenda teje teksa zvarritet në baltën e nënshtrimit prej të pamundurës.
Nuk është e thënë se duhet të ecësh me hapa të shpejtë për të mbërritur diku, hapat e sigurt janë ata që të çojnë aty ku duhet dhe kur duhet. Universi punon për ty, si për çdo krijesë tjetër brenda havanit të saj. Besoji kësaj force, këtij bashkëveprimi dhe do të shohësh se mrekullia e sfidave nuk do të ngurojë të të ngjitë në podin e sfidantit.
Jepu me gjithë shpirt asaj që e do me gjithë zemër dhe do të shohësh se përveçse i pasur do të jesh dhe i lumtur. Ushqeje me dritë gjithçka që jeta ta kredh në terr dhe se bashkë me veten ke çliruar prej kësaj robërie edhe ata që sjellin farën e së mirës te vullnetet për të ndryshuar botën që na përket të gjithëve.
Më mirë vdis duke u përpjekur sesa të zvarritesh duke u ankuar. Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj. Nuk ka forcë të hyjshme apo përkufizime që tregojnë udhën e së vërtetës, jetën e merituar, zotërimin e gjithçkasë që të përket. Kërko gjithçka tek vetja. Gjithçka që do është gjithnjë me ty. Mjafton të dish të kërkosh dhe do të kesh gjithçka.
Ndihu zot i fatit tënd dhe prano Zotin si nënshkruesin e këtij fati që të përket ty!