Nga Albert Vataj
Gustave Flaubert parashikon me veprën e tij formulën, e cila më vonë u bë e famshme, ‘art për art’. Do të guxonte duke e parë dhe konsideruar artin si një mision jo qëllim që shtërngueshëm rreket të gjej shtigje për t’ia dalë. Shkruani vetëm për kënaqësinë e të krijuarit, do të mëtonte ai, shkruani për veten tuaj, pa asnjë interes për famën apo paratë. Ndryshe çdo paparashikueshmëri, sipas këtij precizimi do tu godasë më shumë se juve, veprën tuaj, aktin jetëdhënës të shpirtit në fjalë, sendërtime të atyshme, shpesh ashpërsisht të rrepta, të trishta, e pse jo, por sublime.
Pasioni i vërtetë dhe i vetëm i Floberit është letërsia. Ai ia kushton jetën fjalës së shkruar, duke filluar të shkruajë në dhjetë të mbrëmjes dhe duke vazhduar pa ndërprerje deri në katër të mëngjesit.
Dhe në ato orë krijimtarie të ethshme ai nuk sheh gjë tjetër veç vetes dhe personazheve të tij që lëvizin, veprojnë dhe nuk bën gjë tjetër veçse dëgjon me kujdes fjalët e tyre.
Një vizionar, pa dyshim. Por ndryshe nga vizionarët e tjerë të mëdhenj të letërsisë. Ai nuk e humb lidhjen me realitetin; ai ngre një barrierë të pakapërcyeshme mes vetes dhe personazheve të tij. Floberi beson se shkrimtari nuk duhet të gjykojë dhe, pasi t’u japë jetë personazheve të tij, ai duhet të zhduket.
Edhe pse ai konsiderohet si pararendës i natyralizmit francez, qëllimi i punës së tij është të kënaqet me shkrimin, të krijojë metafora dhe të arrijë një përsosmëri stilistike që krijon libra “të padobishëm”, sepse qëllimi përfundimtar i romancierit, sipas shkrimtarit, është të vëzhgojë realitetin dhe transkriptojnë atë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Prandaj Floberi mund të konsiderohet një shkrimtar realist për arsyen e thjeshtë se ai i përkushtohet realitetit. Dhe duke qenë se realiteti që e rrethon nuk i sjell asnjë kënaqësi, ai vetë duhet të shndërrohet në stil dhe të marrë një ritëm të kënaqshëm, ndoshta si kundërvënie. Më shumë se historia për t’u treguar, Flaubert-i është i interesuar për ritmin e tregimit, duke ndjekur një ideal prozë, në të cilin fjala mund të përkthehet në të njëjtën kohë në pikturë, muzikë dhe poezi. Synimi që ai i vendos vetes është plotësisht i arritur, por shkrimtarit i kushton një çmim shumë të lartë: vetë ekzistencën e tij. Njeriu melankolik dhe i ngulët përshkruhet nga miqtë si një artist i madh që lodh mendjen dhe tërhiqet zvarrë në jetë, sikur diçka të ketë vdekur në mënyrë të pandreqshme brenda vetes.
Shkrimtari i famshëm, Gustav Floberi, (Gustave Flaubert) u lind më 12 dhjetor 1821 dhe u shua 8 maj 1880. Mbeti në historinë e letërsisë si një romancier me shumë ndikim. Ai është konsideruar si eksponenti kryesor i realizmit letrar në vendin e tij. Njohet veçanërisht për romanin “Zonja Bovari” (1857) i ekranizuar, ishte një nga veprat më të jashtëzakonshme. “Zonja Bovari” e Floberit gjendet ndërmjet mënyrës se si është bota dhe mënyrës se si do të dëshironte ajo që të ishte. Kjo novelë franceze është brilante në në portretin realist të mërzisë, e cila ishte tipike për Francën në këtë kohë. “Zonja Bovari” është e avancuare, revolucionare dhe kontradiktore për kohën, në të cilën është shkruar. Kjo novelë pati influencë në lëvizjen e realizmit dhe modernizmit në shekujt XIX dhe XX.
Gustav Floberi ishte një nga novelistët më të njohur francez të Shekullit XIX që u lind në kohën kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit, Vinjisë, Mishlesë dhe i Shatobrianit, të cilët i admiroi pafund.
Flauber gjatë krijimtarisë së tij arriti të shmangte pasaktësitë, abstraksionet, shprehjet e turbullta dhe ishte kundër çdo klisheje. Në një letër drejtuar Xhorxh Sand, ai tha se e kalon kohën “duke u përpjekur të shkruaj fjali harmonike, duke shmangur asonancat “. Flauber besoi dhe ndoqi parimin e gjetjes së “fjalëve të duhur”, të cilën ai i konsideroi si mjetin kryesor për të arritur cilësi në artin letrar. Puna kohëgjatë dhe skrupuloziteti e cfilisnin. Kishte raste që shkonte një javë me një faqe dhe sërish ai ishte i pakënaqur me atë që bënte. Në një letërkëmbim të Flaubert ai e evidenton një gjë të tillë, duke shpjeguar se proza e saktë nuk rrjedh prej tij dhe se stili i tij u arrit përmes punës dhe rishikimeve të vazhdueshme.
Ky stil i përpiktë i të shkruarit është gjithashtu i dukshëm kur dikush krahason rezultatet e Flauberit gjatë gjithë jetës me atë të bashkëmoshatarëve të tij (për shembull Balzak ose Zola). Flauber botoi shumë më pak sesa ishte norma për kohën, dhe kurrë nuk u afrua me ritmin e një romani në vit. “Zonja Bovari” i ka kushtuar jo më pak se pezë vite intensive pune.
***
Gustave Flaubert (Gustav Flober), biri i njërit nga kirurgët më të shquar të shekullit, që në vegjëli pa nga afër realitetin e hidhur dhe vuajtjet e njeriut dhe u mbrujt me një frymë skeptike dhe analitike, e cila ishte si kundërpeshë ndaj temperamentit të tij disi anarkik dhe ëndrrave për aventura. Veç kësaj, prej të atit ai trashëgoi syrin klinik ndaj jetës, aq sa arriti me anën e penës të bënte autopsinë e shpirtit të njeriut. Prindërit donin që ai të vazhdonte për drejtësi. Pasi mbaroi liceun “Kornej” në qytetin e lindjes aty rreth viteve 1840, kur po ofronte revolucioni një serë rrethanash që e çuan ne pjekurinë e dhuntive të tij letrare dhe në përcaktimin e veprimtarisë së tij artistike. Në shkollë të mesme, Floberi u lidh ngushte me Alfred De Puatvenin , i cili me aftësi intelektuale dhe estetike që kishte ushtroi një ndikim pozitiv mbi të. Familja e dërgoi në shkollë për tu bërë jurist, por s’kaloi shumë kohë dhe Floberin e kap një krizë nervash me karakter epileptik, sidoqoftë është fakti që ai i ndërpreu studimet dhe fitoi nga prindërit të drejtën të vendosej përfundimisht në vilën e tyre të bukur të Kruasese, afër Ruanit, ku sot ka mbetur një pavijon i vetëm që është muzeu i vogël i Floberit, në fillim ai aty do të jetonte me të ëmën dhe mbesën, pastaj i vetëm deri sa të shuhej. Disa faktorë që e çuan në shpërthimin e forcës se tij krijuese janë disa lidhje dashurore dhe miqësore, të cilat zgjuan një muzë të hovshme krijuese dhe jo vetë. Ndjenjat gjithë pasion që ushqente ai ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës me origjinale dhe më të thellë të romantizmit evropian, pasqyrimin e jetës duke u nisur nga vetvetja dhe të shkruante “Kujtimet e një të marri” në vitin 1838 dhe “Nëntori” më 1842, të cilat u shtohen kryeveprave autobiografike që nga “Rrëfimet” e Rusoit, deri ato të Alfred De Mysese
Një nga miqtë e tij më të ngushtë të Floberit që luajti një rol thelbësor në krijimtarinë e tij, ishte dhe poeti Luigj Buile, kur ky vdiq në korrik 1869 autori i “Zonjës Bovari” do te shkruante: “Kjo është për mua një humbje e pazëvendësueshme, pardje varrosa ndërgjegjen time letrare, trurin busullën time “Buileja ishte tamam ndërgjegjja e Floberit. Poeti nuk do ta kishte shkruar kurrë “Zonjën Bovari” as “Salambone” as “Një zemër e thjeshtë” as “Shën Zhylienin” as “Herodiasin”, ashtu siç shkrimtari nuk do të kishte shkruar dot vargje “Melanis” apo “Fosilet”.
Rrugëtimet më frytdhënëse të Floberit ishin ato në Britanijë, pastaj në Egjipt, Greqi, dhe Azinë e Vogel, ai pasqyroi gjithçka që përjetoi prej tyre në letrat dhe shënimet e udhëtimit. Në pamje të parë kryeveprat e Floberit duken të ndryshme nga njëra-tjetra, romanet e tij i kushtohen epokave të ngjashme me atë te vetes. “Tundimi i Shen Antonit” flet për përfundimin e botes antike dhe për gjallërimin e zjarrtë fetar që do të çonte në krijimin e kishës se krishtere. “Salamboja” tregon një episod të rënies së kartagjenës. “Herodiasi”, kjo mbahet si vepra e gjithë jetës së tij, ngaqë vazhdimisht ai atë e ka nisur dhe përfunduar duke nxjerrë tre versione nga periudha relativisht të largëta (1849, 1856 dhe 1874) Ndëshkimi i këtij shkrimtari të madh është ripërtëritur pa pushim, për të flasin botimet dhe përkthimet e shumta për të flasin studimet dhe monografitë e panumërta që mbajnë emra të shquar si: Turgenievi, Zhorzh Muri, Henri Xhejmsi, Teodor Fontani, Tomas Mani, Jakoseni, Marsel Prusti, Zhan Pol Sarti, Natali Sarroti etj etj, dhe që vazhdojnë pareshtur të pasojnë njëra-tjetrën si shpendia të nxjerra nga stralli i artit floberian.
Në vitin 1860 Flober perjetoi suksesin si shkrimtar dhe intelektual ne oborrin e Napoleonit te III. Ne mes të miqëve të tij ishin njerëz që personifikonin epokën, si Emil Zola, Zhorzh Sand, Hipolite Taine dhe shkrimtari rus Turgeniev, me të cilët Floberi bashkonte te njejtat ideale estetike, dedikimi për realizmin dhe paraqitjes së jetës pa paragjykime. Sa i përket jetës personale, mund të thuhet se ishte disi e shthurur dhe kishte pëlqime për prostitutat, frekuentim që e degdisi atë në sëmundje veneriane. Flobert nga natyra ishte melankolik, orët e gjata në izolim e në punë të përkushtuar letrare e bënë jetën e tij të rëndë. Në një letër dërguar Ernest Feydeau, ai shkruan se “Librat nuk bëhen si fëmijët por si piramidat ”
Vitit e fundit të jetës ishte i pushtuar nga trazimet financiare, pasi më të ardhurat që kishte u desh t’i vinte në ndihmë familjes së nipit që kishte falimentuar. Në vitin 1870 veprat e Flauberit u bë shembull për ata që quheshin shkolla e re e shkrimtareve natyralistë, nën moton veprat letrare paraqesin realitetin, por romancieri nuk duhet të gjykojë, të mësojë, të shprehë, të moralizojë, por të qëndrojë neutral. Flauberi për veten e tij e urrente etiketimin realist.