Që shoqëria jonë ka kohë që "funksionon" keq, për këtë nuk ka askush dyshim. Dhe që kjo situatë ka shkaqet dhe arsyet e veta, edhe kjo dihet. Njerëzit janë të shoqërisht të shqetësuar dhe individualisht të turbulluar, nga që janë përballë një procesi komplekset të përkeqësimit evident të treguesve urbanë, moralë dhe komponentëve të nevojshëm komunitarë që kanë ndikime të forta përkeqësuese të situatës sociale që zhvillohet në shoqërinë tone. Në instancë të fundit ka shumë komponentë që tregojnë se "shëndeti i shoqërisë" shqiptare jo vetëm nuk është mirë, por prognozat sociale dëshmojnë se ai mund të vazhdojë të përkeqësohet akoma më shumë në të ardhmen.
Arsyet janë të shumta dhe të shumëllojta. Historike e kontekstuale, politike dhe ekonomike, sociale e kulturore që determinojnë këtë tipologji pak të veçantë të problematikave sociale që preokupojnë njerëzit tanë dhe shoqërinë tonë në tërësi. Në të vërtetë në se shoqëria shqiptare e ditëve tona është kaq kaotike, disfunksionuese dhe me tronditje të thella ekzistenciale dhe kjo është e lidhur para së gjithash me ndryshimin radikal të tipologjisë së shoqërisë, në procesin e kalimit nga një "shoqëri e mbyllur" në "shoqëri të lirë dhe të hapur", pa shumë kufizime e determinantë socialë.
Në thelb shumë anomali të jetës sociale janë të lidhura ngushtë me faktin që zgjerimi i lirisë individuale u shoqërua dhe vazhdon të shoqërohet me keqpërdorimin e "kufijve" të saj nga mënyra si sillen njerëzit eksentrikë, mungesa e vullnetit qytetar, nevojës së domosdoshme të vetëpërmbajtjes civile e humane. Kjo ka bërë që të ndihemi sikur jemi në rrugë pa krye. Ky perceptim i vërtetë i realitetit të shoqërisë tonë, ka bërë që të tronditen thellë të gjithë strukturat e organizimit të jetës sociale apo ato që përbëjnë bazamentin funksionues të shoqërisë demokratike.
Nuk është fjala këtu që duke evidentuar problemet dhe patologjitë sociale të shoqërisë së sotme, qoftë edhe me sinjale "getoizimi" për të "ndjellë" ndonjë nostalgji për të kaluarën e saj, më saktë për të ashtuquajturën "Shoqëri e Madhe" e dikurshme supersociale, totalitare që sundonte dhe disiplinonte "rregimin e getos" dhe sjelljen sociale të individit, apo që atë e konsideronte si përbërës pasiv të nënshtruar vullnetarisht ndaj saj. Por është fjala që degradimi i shumë strukturave themelore të organizimit të jetës kanë ndikuar në deformimin e thellë të shoqërisë, duke i dhënë asaj një formë "getoje", ku çdo njeri bën si të dojë, vepron subjektivisht, pa pasur asnjë imperativ moral e social kategorik, që duhet të ndikojë në qëndrueshmërinë dhe funksionimin e jetës së përbashkët shoqërore.
Padyshim është e vërtetë e paluajtshme e qytetërimit modern, që njeriu është thirrur që në suazën e kësaj shoqërie e të këtij qytetërimi, që të jetë i lirë nga determinimet e shumta sociale, sepse liria individuale në jetën shoqërore është "themeli i ekzistencës së krijuar". Madje në këtë shoqëri liberale është e pranishme dhe relativisht e lejuar edhe e "drejta për të mëkatuar", për të kundërshtuar "fatin vetjak". Këto janë pjesë thelbësore e të drejtës së ushtrimit të lirisë. Mungesa e kësaj të drejte në jetën shoqërore, thonë filozofët e personalizimit do ta përçudnonte njeriun, do ta bënte atë vegël pasive në duart e shoqërisë.
Por problemi është se në shoqërinë tonë në emër të lirisë po shfaqet jo vetëm "qytetari i lëvizshëm" që ka bon sens dhe lëviz lirisht në hapësirat e zgjeruara të shoqërisë të ndërtuar mbi bazën e lirisë sociale dhe prerogativave të shumta që ka krijuar demokracia në Shqipëri, por krahas tij, madje mbi të po tenton të shfaqet një lloj tjetër qytetari, që në emër të "lirisë individuale" të pakufizuar po cenon rendin social, ekzistencën normale të shoqërisë. Pikërisht nga që ai i kërkon të liritë dhe të drejtat përtej normave morale dhe ligjeve zyrtare.
Praktikisht jemi duke u përballur me situata të rënduara sociale që qarkullojnë në gjithë strukturat e shoqërisë tonë. Padyshim që kjo situatë ka shumë shkaqe pse është e tillë, pse ka tendencë të agravohet. Por gjithashtu ka shumë optika e grila për tu parë me kujdes social, për tu shpjeguar dhe interpretuar drejt. Secili qytetar, intelektual, filozof apo sociolog duke qenë të shqetësuar përballë këtij realiteti, mundohen të bëjnë diagnoza të përgjithshme dhe të diferencuara për një varg problemesh sociale, sikurse janë niveli ende problematik i varfërisë, krimi i shtuar, dhuna e zgjeruar në jetën publike, familje e shoqëri, treguesit e lartë të vrasjeve e vetëvrasjeve, divorcet në rritje, dobësimit të rolit edukativ të familjes dhe shkollës, etj.
Madje nuk mund të mohojmë kontributet teorike e sociale të individëve dhe strukturave politike, kulturore, akademike e fetare, përpjekjet e sinqerta politike e intelektuale për të rekomanduar edhe "ilaçe" të përgjithshme e specifike që mund t'i shërbejnë përmirësimit të kësaj situate, gjithsesi problematike e tejet shqetësuese. Të gjitha shpjegimet dhe arsyet kanë në thelbin e tyre gjetje racionale të vërteta, por që janë të përshtatshme për secilën diagnozë sociale. Por sipas mendimit tim, kjo situatë e përgjithshme tashmë ka një tjetër arsye, që është edhe ajo më e përgjithshme, e cila tregon se shoqëria shqiptare është në këtë gjendje dhe ajo nuk mund të stabilizohet pa siguruar kushtet e duhura për të pasur besim qytetar në një shoqëri të bazuar në qytetarin që sillet si individ dhe komportohet me të tjerët mbi bazën e parimit të respektimit të detyruar të një lloj humanizmi individual, solidariteti urban dhe "drejtësie sociale".
Ky është kusht sine qua non për të bërë të mundur kapërcimin e pragut të rrezikshëm të deformimit të shoqërisë, katandisjen e lidhjeve e marrëdhënieve sociale në nivelin e një "getoje" ku nuk ka asnjë besim qytetar, lidhje njerëzore të qytetëruara që të prodhojnë kapitalin e duhur apo që garantojnë qëndrueshmërinë e lidhjes, koherencën e veprimeve të përbashkëta dhe kohezion e duhur social.
Nuk ka dyshim që ideja e ndërtimit të një shoqërie të lirë, të drejtë, të barabartë për të gjithë qytetarët, ka qenë thelbi i asaj që prisnin qytetarët shqiptarë nga demokracia. Kjo ishte pritmëria më e madhe politike e sociale, si mjet për t'u larguar si shoqëri nga realitetet e pabarazisë së shumëfishtë e të gjithanshme të kohës së komunizmit banal. Sigurisht shoqëri të drejtë dhe të barabartë në aspektet themelore. Të drejtësisë sociale si qëndrim i paanshëm, i njëjtë për të gjithë, e cila do të ishte baza ekzistenciale e stabilitetit të shoqërisë. Nga një shoqëri e tillë do të ishte i fituar çdo qytetar dhe vetë demokracia si realitet.
Shoqëria shqiptare kaloi nga një shoqëri totalitarisht e integruar në struktura të kontrolluara supersociale në një shoqëri me struktura të lëkundura, të copëtuara dhe jo koherente të integrimit shoqëror. I habitshëm shpejtësia sociale e këtij procesi të kalimit nga një shoqëri e unifikuar nga prangat e dogmatizmit moral dhe shoqërizimit ideologjikisht represiv, në një shoqëri tejet liberale, por shumë anemike me struktura fraxhile, të pafuqishme për t'i garantuar shoqërisë veprimin kompakt të strukturave liberale të shoqërizimit postmodern dhe integrimit urban.
Padyshim kjo situatë bën që shpesh njerëzit e mërzitur e të dëshpëruar nga ky realitet social, mendojmë të shqetësuar se "ku po shkojmë"? Po ndërtojmë shoqëri me norma sociale të bazuara në opinionin e përbashkët qytetar apo po ecim drejt një "getoje sociale", ku secili bën atë që do dhe që për pasojë asnjëherë së bashku nuk do bëjmë atë që na duhet si shoqëri? Nuk është fjala për të kërkuar recidiva të shoqërisë unike me struktura të ngurta të shoqërizimit totalitar, por është fjala për të realizuar funksionimin e një shoqërie të lirë, të bashkuar nga zbatimi i përbashkët qytetar i ligjeve, normave morale, kërkesave të bashkëjetesës urbane, nevojës së ekzistencës dhe funksionimit të një lloj "solidariteti abstrakt", i cili sipas Jurgen Habermasit, është kusht për ekzistencën e shoqërisë moderne e liberale, kusht për lidhjen sociale dhe kohezionin midis qytetarëve që nuk njihen "mes veti".
Liria për shumë njerëz që nuk kanë sens qytetar është konsideruar si një mundësi individuale për të realizuar një shpërthim i thjeshtë kaotik social. Kjo është arsyeja që sociologët e tranzicionit duke parë situatat që zhvillohet në shoqëritë ish komuniste kanë ngritur shqetësimin se ato janë në fazën kur lirinë e munguar të komunizmit e shpëtuan nga armiqtë organikë por po e rrezikojmë nga tepritë anarkike individuale, të cilat po rrezikojnë shndërrimin e shoqërisë nga një strukturë organike funksionale në një "geto sociale". Në këtë kontekst intelektuali Zh Atali mendon se liria në kohën moderne shoqëria ka dy rreziqe të mëdha përballë. Tepritë e modernitetit dhe armiqtë klasikë të saj. Për ne që jemi akoma në epokën e tranzicionit social, është e domosdoshme që të përpiqemi ta mbrojmë shoqërinë tonë në të njëjtën kohë pikërisht nga të dy këto rreziqe eminente…
Nga Gëzim Tushi