Nga Albert Vataj
Beteja e Maratonës është një prej ndeshjeve ushtarake më të famshme të antikitetit. Ajo është njëkohësisht një nga betejat më të hershme të regjistruara në histori, jo dhe aq për shkak të përmasave dhe ndryshimeve që sillte, se sa për arsyen e një përballje në numër të pabarabartë. Fitorja ndaj pushtuesit pers u dha shteteve greke besim në aftësinë e tyre për të mbrojtur veten dhe besim në vazhdimësinë e ekzistencës së tyre. Për këtë arsye, beteja është konsideruar një moment përcaktues në zhvillimin e kulturës evropiane.
Në shtator të 490 BC, një ushtri perse prej 600 anijesh transportonte një forcë pushtuese prej afërsisht 20.000 ushtarakësh të këmbësorisë dhe kalorësisë në territor grek pak më në veri të Athinës. Misioni i tyre ishte të shtypnin shtetet greke, si hakmarrje për mbështetjen e tyre për kushërinjtë në ishujt e Jonit, që ishin revoltuar kundër sundimit pers.
E pashqetësuar nga superioriteti numerik i pushtuesit, Athina mobilizoi 10.000 luftëtarë për të mbrojtur territorin e tyre. Të dy ushtritë u takuan në fushën e Maratonës, 26 kilometra në veri të Athinës. Fushëbeteja e sheshtë e rrethuar me kodra dhe det ishte ideale për kalorësinë perse. Duke parë avantazhin që terreni dhe madhësia e forcës së tyre u jepte persëve, gjeneralët grekë hezituan.
Një nga gjeneralët grekë – Miltiadhi – bëri një thirrje plot pasion për guxim dhe i bindi gjeneralët e tjerë që të sulmonin persët. Miltiades urdhëroi forcat greke që të formonin një linjë të barabartë në gjatësi me atë të persëve. Pastaj – me një akt që armiku besoi se ishte çmenduri – ai urdhëroi luftëtarët grekë që të sulmonin linjën e persëve në një rrugë pa krye. Në përleshje, mesi i linjës greke u dobësua dhe la terren, por krahët ishin në gjendje të afrohen dhe persët e zënë në kurth u masakruan. Rreth 6.400 persë u therën ndërsa vetëm 192 grekë u vranë.
Persët e mbetur u larguan me anijet e tyre dhe bënë përpjekje të sulmojnë atë që menduan se ishte Athina e pambrojtur. Megjithatë, luftëtarët grekë marshuan drejt Athinës dhe mbërritën në kohë për të mposhtur persët.
Rrëfimi
I njohur si “Babai i Historisë”, Herodoti shkroi përshkrimin e tij të betejës disa vjet pasi ajo kishte ndodhur. Sipas tij, udhëheqësit ushtarakë grekë ishin të ndarë nëse duhej të sulmonin menjëherë pushtuesit apo të prisnin për përforcime. Gjeneralët athinas ishin të ndarë në mendime. Disa këshillonin të mos riskonin në një betejë, sepse ishin shumë pak për të përballur persët. Të tjerë ishin për luftë, menjëherë. Mes këtyre ishte Miltiadhi. Ai, duke parë që mendimet ishin të ndryshme dhe që pritej të mbizotëronte këshilla më e pavlerë, vendosi të shkojë tek Polemarku (një dinjitar i nderuar i Athinës) dhe të bisedonte me të. Para Kalimakut të Afidnres, Miltiadhi shkoi dhe tha: “Varet nga ti, Kalimak, ose Athina t’i nënshtrohet skllavërisë, ose, duke siguruar lirinë e saj, të mbahet mend nga të gjithë brezat e ardhshëm. Sepse, kurrë më parë që nga koha kur u bënë popull, athinasit nuk kanë qenë në një rrezik kaq të madh. Nëse ulin kokën përpara persëve, plagët nga të cilat do të duhet të vuajnë janë të vendosura tashmë. Nëse, nga ana tjetër, luftojnë dhe fitojnë, Athina do të ngjitet duke u bërë qyteti i parë i Greqisë. Ne, gjeneralët, jemi dhjetë vetë dhe votat tona janë të ndara: gjysma jonë preferojnë të luftojnë, ndërsa gjysma të shmangin luftimin. Tani, nëse nuk luftojmë, unë shoh një trazirë të madhe në Athinë, që do të shkundë vendosmërinë e njerëzve dhe më pas mendoj se do të dorëzohen. Por, nëse luftojmë në betejë para se këto ide të hidhen për qytetarët tanë, do të jemi në gjendje të mposhtim armikun. Kështu që, në këtë çështje ne varemi nga ti. Ti vetëm duhet të shtosh votën tënde në krahun tim dhe vendi yt do të jetë i lirë – dhe jo vetëm i lirë, por shteti i parë i Greqisë. Ose nëse preferon t’ia japësh votën atyre që janë kundër luftimeve, atëherë do të ndodhë e kundërta”. Me këto fjalë, Miltiadhi e bëri për vete Kalimakun; si dhe siguroi votën që shkaktoi vendimin për të shkuar në luftë.
Fillon beteja
Miltiadhi e vendosi linjën greke të betejës me qëllim që të shtrihej në gjatësinë e ushtrisë perse, e cila ishte shumë më e madhe. Më pas, për befasinë e persëve, ai urdhëroi luftëtarët grekë që të turreshin drejt vijës së armikut: “Athinasit iu turrën barbarëve. Tani, distanca mes dy ushtrive ishte diçka më pak se tetë mijë. Persët, kur panë që grekët po afroheshin me shpejtësi, u përgatitën t’i presin, ndonëse atyre iu duk se athinasit i kishte lënë mendja dhe ata ishin nisur drejt shkatërrimit të tyre; sepse ata shihnin vetëm një grusht burrash që vinin me vrap, pa kalorës apo harkëtarë.
Kështu mendonin barbarët; por athinasit iu hodhën dhe luftuan në një mënyrë që ia vlen të regjistrohet. Ata ishin të parët mes grekëve, me aq sa di unë, që bënë armikun të rëndë dhe ata ishin gjithashtu të parët që guxuan të shihnin në sy persët. Deri në ato momente, vetë emri i persëve kishte qenë terrorizues për grekët, vetëm kur e dëgjonin.
Dy ushtritë luftuan në fushën e Maratonës për një kohë të gjatë; dhe në mesin e betejës barbarët po fitonin dhe ata i thyen dhe nisën t’i ndjekin grekët brenda vendit; por në dy krahët, athinasit dhe platenianët e mposhtën armikun. Duke bërë këtë, ata lanë barbarët e mbetur të largohen dhe duke bashkuar të dy anët, iu sulën atyre që kishin thyer qendrën e grekëve, me të cilët luftuan dhe i mposhtën. Edhe këta u përpoqën të ikin, por athinasit iu vunë pas duke i ndjekur kudo, deri në brigjet e detit.