Nga Albert Vataj
Më 26 prill 1514 Nikolaus Kopernikus bën vëzhgimet e para të planetit Saturn. Sot ajo që ka arritur Kopernikus pesë shekuj më parë, nuk është më shumë se një fakt, por kjo nuk mund ta zbresë atë njeri të madh nga kreshta e krenarisë ku qëndron vepra monumentale e atyre që “guxuan” të hedhin vështrimin tej, në hapësirën e paanë dhe caqet e ndaluara të universit. Ky hap në terrin e universit që llamburit nga shkëndija kureshtjesh dhe ngulmesh është gjigand, sepse shënon fillimin e udhës së gjatë të njeriut drejt galaksive të universit, por edhe vendosjen e një pozicioni të ri të njeriut në marrëdhënie me gjithësinë.
Nikolaus Kopernikus u lindi më 19 shkurt 1473 ne Thorn, Poloni dhe vdiq me 24 maj 1543 në Frauenburg. Kopernikus doli për here të pare me idenë se Dielli ishte i palëvizshëm në qendër të universit dhe toka sillej rreth tij. Kjo ide ishte fillimi i një ndryshimi se si bota shihej që nga koha e Arisotelit, shek. IV pes, dhe kështu Koperniku u bë nismëtari i revolucionit shkencor. Që nga viti 1512 derisa vdiq, më 1543, jetoi në Frauenburg, një qytet i vogëlth në Prusinë Lindore, ku u emërua kanonik në katedrale. Nikolaus Kopernikus në fakt është specialist i së drejtës kanunore, disiplinë në të cilën arriti gradën doktor. Puna si kanonik në katedrale i plotësonte nevojat ekonomike, kështu që mund t’u kushtohej hulumtimeve shkencore të trupave qiellorë. Astronomia ishte disiplina e preferuar e tij. Pozicioni gjeografik i Frauenburgut, që ndodhej në bregdet, e favorizonte punën argëtuese të tij. Nikolaus Kopernikus e vendosi observatorin dhe vendbanimin në një nga kullat mbrojtëse të bregut. Instrumentat e tij ishin shumë të thjeshtë, por më i madhi i vazhduesve të veprës së tij, Tiho Brahe, ishte më i lumturi i njerëzve kur i ofruan një të tillë.
Koperniku ishte më shumë teoricien se vrojtues. Ndihmesa e tij në astronomi, që është një ndihmesë mjaft e madhe, qëndron në një teori në kundërshtim me idetë e pranuara deri atëherë, nuk është kupa qiellore që bën një rrotullim të përditshëm përreth tokës, por është toka që rrotullohet rreth boshtit të saj imagjinar, dhe përshkon në të njëjtën kohë një rrotullim rreth diellit. Nikolaus Kopernikus arriti në këtë përfundim pasi studioi astronomët grekë e arabë, por edhe nga vrojtimet vetjake. Toka nuk është qendra e universit, por një nga planetët që rrotullohen rreth diellit. Kjo frazë e thjeshtë është parimi themelor i “pikëpamjes kopernikiane për një nga miliona trupat e tjerë qiellorë. Nikolaus Kopernikus në përfundimet e tij arriti pas shumë fakteve shkencore, por do të duhej të vinte gjysma e shekullit XIX për ta provuar atë përfundimisht.
Kopernikus u bë njëri nga astronomët më të shquar evropianë me teorinë e tij të lëvizjes së planetëve nëpër orbita rreth diellit. Me zbulimet e tij ai krijoi një botëkuptim të ri pas mesjetar. Përveç kësaj ai ishte astrolog, astronom, jurist, fizikant, diplomat, ekonomist matematikan, mjek, qeveritar dhe ushtar.
Ai zbuloi njollat e Diellit dhe ishte një nga të parët që zbuloi edhe hënat e Jupiterit, çka tregonte se Toka nuk ishte e vetmja qendër e universit. Ai, gjithashtu, kuptoi se Rruga e Qumështit nuk ishte vetëm një vijë e shndritshme në qiell, por një vijë që përbëhej nga shumë yje. Të gjitha këto zbulime janë ndër më të mëdhatë e bëra ndonjëherë në astronomi. Zbulimi kyç i Galileos ishte nisja e kërkimeve shkencore të yjeve, duke përdorur teleskopët, që do të mundësonin pamje shumë të thella të universit në krahasim me syrin.
Kombësia e Kopernikus që nga shekulli i 19 u bë shkak për shumë kundërshtime të ashpra. Një gjë por është e qartë se ai ishte ose polak, ose gjerman. Kjo gjë pasqyrohet në emrin e tij. Në gjermanisht ai quhet përgjithsisht Nikolaus Kopernikus, për shkak të versionit të latinizuar Copernicus nga mbiemri Koppernigk. Polonisht ai quhet Mikolaj Kopernikus. Nikolaus Kopernikus ishte biri i një gruaje gjermane, kombësia e të atit është e paqartë. Qyteti i tij i lindjes Torn pak kohë pas lindjes së tij kaloi nën sundimin e mbretit polak, kështu që ai formalisht njihet si polak.
Zigmund Frojd, në një nga veprat e tij, thotë se gjatë rrjedhës së kohëve, shkenca i ka dhënë dy goditje krusmuese mendimit naiv që njeriu kishte për vlerat e tij: herën e parë, kur Nikolaus Kopernikus nuk e pranoi tokën si qendrën e universit dhe e dyta kur Darwini provoi t’i heqë njeriut pozicionin e privilegjuar që besonte se zinte përballë botës së kafshëve. Përpara Kopernikus mendohej se dielli dhe yjet ishin krijuar në funksion të tokës dhe toka në funksion të njeriut. Kur ai shpalli se universi nuk rrotullohej rreth planetit tonë, vetëdija njerëzore pësoi një trandje shungulluese. Kopernikus pati një ndikim aq revolucionar në botëkuptimin që njerëzit kishin për botën, sa vetëm bashkëkohësi i tij, Kristofor Kolombi, mund të mendohej se kishte arritur një lavdi të atillë.