Zakonet në varrim janë zakonet më konservative të popujve primitivë dhe nga ky shkak janë përhapur shumë në Ballkan. Sikur do të shikojmë gjurmët e gati çdo veprimi në varrimet në Shqipëri, edhe pse nganjëherë vetëm në ndonjë fshat të humbur, gjenden jo vetëm në Greqi dhe Serbi por edhe në Zibenbyrgen, madje edhe në Bukovinë. Rastet e izoluara kanë rëndësi etnologjike të jashtëzakonshme për të provuar se zakoni ka qenë i njëjtë në tërë gadishullin. Do t’i spjegojmë në pjesën paleotnologjike të veprës sonë, se cili është ky kult dhe çfarë elemente të huaj kanë hyrë në të.
Nëse do të vdesë ndonjë njeri në familje, në fshat ose në fis, sipas pikëpamjes shqiptare, këtë e tregojnë më parë disa shenja. Më mirë e tregojnë shpatullat e bagëtive të imta, pastaj kraharorët e zogjve. Përmbi mënyrën sesi parashikohet e ardhmja në këto mjete: është përshkruar në një kapitull të posaçëm, këtu vetëm e përmendim. Vdekja parashikohet edhe nga shenja të tjera. Sipas pikëpamjes së shqiptarëve por edhe të sicilianëve, rumunëve dhe muhamedanëve të Bosnjës dhe të Bullgarisë, çdo njeri ka në qiell yllin e tij dhe veçanërisht shqiptarët besojnë se njerëzit e shquar si mbretër dhe zyrtarë të lartë kanë një yll më të madh, më të bukur, kurse njerëzit e rëndomtë kanë yje të vegjël, me më pak dritë. Sipas këtij besimi çdo yll që shkëputet tregon vdekjen e një njeriu. Një besëtytni, që i përngjan kësaj, gjendet në Baden. Që çdonjëri ka yllin e tij, këtë besim e kanë edhe në Zvicër, në Bohemi dhe Oldenburg. Dhe qeni i një fshati kur ulurin (kuis) natën me kokë të ulur paralajmëron vdekjen e dikujt. Këtë e besojnë jo vetëm shqiptarët por edhe sicilianët, dalmatinët (Lesinë), kuçovllahët, rumunët dhe banorët e Azisë së Vogël. Pastaj këtë besëtytni mund ta ndeshësh në viset gjermanike gjer në Suedi.
Duhet therur një pulë, që këndon si këndes, se tregon një lajm të zi, që në familje dikush do të vdesë. Ky besim është romak, italian, sicilian dhe e gjejmë edhe në Bullgari, Rusi dhe Bohemi. Në Zibenbyrgen ka një variant, sipas të cilit duhet që pula, që këndon si këndes, të shikojë nga perëndimi.
Në kohën kur është shtruar sofra, është shenjë e keqe, po të këndojë këndesi, se paralajmëron vdekje në familje. Në këtë rast i urojnë që ngordhja t’i vijë atij dhe kështu e therin. Kur këndon pas buke paralajmëron vdekjen e një miku të shtëpisë. Kush shikon dy gjarpërinj në çastin që bashkohen ka një vdekje në familjen e tij, ose do t’i ndodhë një fatkeqësi. Këtë besëtytni e takojmë në Sicili dhe ka të ngjarë që burimin e ka në ato të Romës vjetër.
Në disa pika zakonet midis malcisë dhe qytetit të Shkodrës ndryshojnë. Sa vdes dikush i mbyllin kapakët e syve dhe i lidhin një shami nënë mjekër. Në malci i lidhin edhe këmbët, që kufoma të mos ikë. Ka të ngjarë që kjo e ka rrënjën te një besim i kotë, se në Lesinë kujtojnë që po të mos i lidhen (i qepen) këmbët, i vdekuri del nga vari dhe sillet si hije. Kjo ndodh edhe në disa vende të Bullgarisë. Në mënyrë simbolike në disa vise të Rumanisë, në Reshinar të Zibenbyngenit, i lidhin këmbët me një pe.
Kur i mbeten sytë të hapur një të vdekuri, ose kufoma nuk ftohet shpejt, atëherë kjo është shenjë që në familje do të vdesë dikush tjetër. Këtë besim e kanë edhe rumunët. Pasi pushojnë ulërimat e para të grave, lajmërojnë me lajmëtarë burrat, të cilët nuk tregojnë asnjë shenjë pikëllimi, fisin, miqtë dhe të njohur të largët të të vdekurit. Në Malcinë e Vogël, si në disa vise të Lituanisë prusiane, shpejt pas vdekjes së dikujt, bëjnë kurban për të vdekurin një qengj ose një dash, sipas zakonit të vjetër romak, të cilin e hanë ata që vinë për varrim. Po të bjerë varrimi në një ditë kreshme, atëherë e shtyjnë për t’u ngrënë të dielën.
Në Moldavi dikur thernin dele të zeza ose desh, bile pasi të kishte rënë nata, dy ditë pas varrimit. Gjakun e linin të kullonte në një gropë, lëkurën ia falnin priftit, që ndodhte në varrim. Përkundër në Hercegovinë dhe në Shqipëri në shtëpinë e të vdekurit nuk gatuhet gjellë në kohën midis vdekjes dhe varrimit.
Në Nikaj sofra e parë shtrohet në kohën kur i vdekuri ndodhet në shtëpi: në Apripa, ku mora pjesë edhe unë, u shtrua pas mesdite, pastaj ishte bërë varrimi. Hëngrën 13-20 gra dhe afër 400 burra. Edhe boshnjakët shtrojnë sofra, vetëm që muhamedanët nuk hanë veçse hallvë. Pasi e lajnë dhe e veshin të vdekurin, siç bëjnë në Bosnje, Rumani dhe në Bullgari, e mbulojnë pastaj me një mbulesë. Të pranishmit ruajnë natën të vdekurin dhe pinë ndërkaq raki dhe kafe.
Në Shqipëri, pikërisht si në Stamboll, në Rumani, në Zibenbyrgen, Maqedoni. Hercegovinë dhe në Malin e Zi, e ruajnë të vdekurin që të mos e kapërcejë atë ndonjë mace, se i vdekuri do të dilte nga varri dhe do të bëhej lugat. Edhe në Baden të Gjermanisë dhe në Zvicër i nxjerrin macet dhe qentë nga dhoma dhe shtëpia e të vdekurit. Edhe në Azinë e Vogël kujdesen që macet të mos e kapërcejnë kufomën, se nuk kalbet dhe kjo është shenjë e keqe. Por sidoqoftë këtu nuk ka konsekuencat e tmerrshme si në Ballkan. Shikojmë, që kjo besëtytni ballkanike e ka humbur fuqinë në Azinë e Vogël.
Në malcitë e veriut një ditë pas vdekjes ftojmë njerëz për të lëshuar vajin (kujën). Vaji përbëhet nga këngë të improvizuara me “Ku! Ku!” dhe “Le! Le!”, ku mburrin virtytet e të vdekurit. Vaji ka qenë përhapur dikur në tërë Evropën e Jugut dhe janë gjetur mbetje në Francën e Jugut dhe në Sicili. Varrimi bëhet kudo të nesërmen por mund të shtyhet, kur nuk lejojnë rrethanat, se çdo fis në Shqipërinë e Veriut ka varrezat e tij dhe prandaj farefisi lakmon ta varrosin në varrezat e fisit të vet. Vetëm kelmendasit, që vdesin në bjeshkë, nuk i zbresin te varrezat, por i varrosnin në bjeshkë. Por kur një shaljan vdes jashtë Shalës, si p.sh. afër Shkodrës, atëherë lakmojnë, me gjithë largësinë ta shpien në shtëpinë e tij. Prandaj koha e varrimit është e lidhur me largësinë e varrezave me kohën, që iu duhet miqve për të arritur në vend, etj.
Në Shqipëri (malcinë e veriut) nuk është, si në Malin e Zi, nevoja e një varrimi kishtar. Unë vetë jam ndodhur në dy varrime në malci dhe në fushë, ku ka munguar prifti. Sa më shumë njerëz e shoqërojnë të vdekurin te varrezat aq më shumë nder i bëhet atij dhe farefisit të tij. Shumë herë ndodh, që numri i tyre arrin 300 gjer 400 veta. Për ngushëllim përdoren formulat: “Ti shnosh!” me “Ju shnosh!”. Diçka në këtë mënyrë ngushëllojnë në Palestinë me fjalë: “Kokat shëndosh!” Përgjigja është: “Qofshin shëndoshë moshatarët dhe fëmijët e tuj!”
Në Shqipëri ndryshon afati i varrimit sipas vendit. Në Lezhë u vra natën vonë një kelmendas; të nesërmen shpejt në mëngjes e shpunë te varrezat e Nikshit në Eregnat dhe në mesditë e varrosën. Një mërturas, që ishte vrarë një ditë më parë dhe që ia kishin shtruar kufomën në varrezat e Apripës, e varrosën pasi perëndoi dielli. Të vdekurin e shtrijnë në një arkivol (tabut), i venë një mbulesë, pastaj dy burra të fortë e kapin arkivolin, i cili përbëhet nga dy breza druri të sharruar, midis të cilëve është mbërthyer një pëlhurë dy e gjysmë ½ pëllëmbë e gjerë dhe e mbartin me ndihmën e dy rripave, që i kanë lidhur në anët e brezave dhe që i varin mbi supet.
Në Malcinë e Madhe dhe të Vogël, para se ta nxjerrin të vdekurin nga shtëpia, e ngrein qivurin tri herë dhe tri herë e lëshojnë përdhe. Kjo e ndalon vdekjen të vijë përsëri në atë shtëpi. Në këtë rast në Rumani prekin me arkivol tri herë pragun e shtëpisë. Në Glasinac të Bosnjës e ulin arkivolin tri herë rrugës, për te varrezat, por në pjesën tjetër të Bosnjës duket se ky zakon mungon. Në Glasinac ngrehin gurë, atje ku kanë ulur të vdekurin rrugës për te varrezat. Ndalja rrugës për te varrezat, që është zakon në Glasinac, na kujton gjer diku një ngjarje në Rumani. Trashëgimtarët atje janë mjaft në gjendje të përballojnë shpenzimet e ceremonive kishtare siç janë lutjet, që bën popi, sa herë ndalet kufoma, duke kapërcyer ndonjë rrugë ose ndonjë përrua. Në këtë rast në Rumani nuk ngrehin gurë; atje ngrehin stivë gurësh vetëm në vende ku dikush ka dhënë shpirt nga shkaku i një fatkeqësie. Në Shqipëri ngrenë muranë në vendin e një vrasje. Këtë zakon e gjejmë te muhamedanët e Palestinës dhe përgjithësisht në Atlasin e Algjerisë (Stuhlmann). Murani iu përgjigjet “Marterln” në Alpet.
Në Malcinë e Madhe është zakon në vendin e shtëpisë, ku ka qenë shtrirë i vdekuri të venë një çanak me miell, që është caktuar për të vobektit. Në Trebinjë venë në atë vend një sahan me grurë, që ia flakin të vdekurit nga pas, nganjëherë bashkë me sahanin. Edhe në Maqedoni, siç bëhet edhe në Cerenicën e Malit Zi, i hedhin të vdekurit, kur e nxjerrin nga shtëpia një qyp nga pas. Romakët duket se kanë pasur një zakon të këtillë, se e thotë formula: “fractus est ei deus”. Edhe në Rumani kanë zakon në këtë rast, të thyejnë një qyp. Në Gjermani kjo të mbron kundër kthimit të shpirtit (Wuttke).
Në Shqipëri, kur e nxjerrin të vdekurin nga shtëpia mbartësi i parë i qivurit pret tre dhëmbë (si në çetele) te trari, që mban derën. Gratë mundohen të ndalojnë, që t’u nxjerrin të vdekurin jashtë dhe bien mbi kufomë dhe e puthin atë. Të gjithë ata, që e takojnë rrugës grupin, që përcjell të vdekurin, përshëndetin njerëzit dhe të afërmit e të vdekurit me fjalët: “Zoti të dhëntë kyvet!”. Në Kelmend e vënë kufomën e zbuluar në një hije të varrezave, e lajnë dhe nderojnë, po të mos e kanë bërë më parë në shtëpi, i veshin petkat më të mira, i venë armët përbri dhe disa mollë në këmbët e kryqëzuara.
Zakoni të mbajnë vaj, (ta vajtojnë) pastaj ta ruajnë të vdekurin, ta lajnë dhe ta nderojnë është kaq universal, sa që në Shqipëri i venë të vdekurit pemë (fruta), ndërsa në Rumani ky zakon mungon. Të njëjtin zakon shqiptar e kanë grekët, maqedonasit dhe bullgarët dhe përdoret shumë, se këto fruta janë caktuar për farefisin e dhuronjësit në botën tjetër. Në Greqi i japin ftoj të vdekurit për farefisin në botën tjetër, një vajzë të vogël ia vënë në prehër. Në Bullgari nuk ka rëndësi vendi se ku, në Maqedoni i venë pemët midis këmbëve të të vdekurit. Në Prusinë Lindore iu venë fëmijëve të vegjël mollë. Në Rumani përputhet me këtë zakoni që, kur përcillnin të vdekurin, të marrin me vete një pemë (dru) me kokrra artificiale, të cilin e vendosin përbri varrit.
Kur vdes një vrasës para se të marrë ndjesën e kishës, atëherë e varrosin jashtë varrezave dhe vetëm pas 3 vjetëve e nxjerrin nga varri, e varrosin brenda në varrezat dhe bekojnë varrin e tij. Një kusar (cub), që vritet në kohën kur grabit, nuk varroset kurrë në tokë të bekuar, por mbetet jashtë varrezave. Edhe gërbulët (lebrosët) varrosen jashtë varrezave, për të mos infektuar të vdekurit e tjerë. Në Rumani, meqenëse vendi i varrezave është i vogël, shumë herë i varrosin të vdekurit në varre të vjetra. Kokat e të parëve i mbledhin me mundim dhe i hedhin mënjanë përsëri në varr. Por kur rastësisht varrimi bëhet ndaj të ngrysurit, atëherë ndodh që mbeten jashtë copë kockash, kështu që kudo nga të gjitha anët shikon kocka njerëzish.
Në varr i vdekuri është shtrirë me fytyrën nga lindja. Në Çelëz varret shikojnë nga jugë-lindja. Në fusha më flisnin për një varr të vjetër që këmbët duhej t’i kishte nga ana e lindjes. Besëtytnia maqedonase se nuk është mirë të flejë njeriu me kokën në perëndim, se kështu janë orientuar kufomat në varr dhe besëtytnia bullgare se ai që fle me fytyrën nga dielli vdes, kanë padyshim lidhje me zakonin e vjetër, sipas të cilit varet orientoheshin prej perëndimit nga lindja.
Ky zakon gjendet edhe në Rumani, që çdo i vdekur të varroset në mënyrë që këmbët të drejtohen nga perëndimi dhe koka nga lindja. Këtë zakon të orientimit të varrit e kanë edhe sot ortodoksët e Bosnjës por katolikët e kanë humbur atë. Në Malcinë e Vogël e gërmojnë varrin e grave ½ m më thellë se të burrave që është zakonisht 1 m i thellë. Gërmimin e varrit e fillon punëtori më i vjetër, pasi ka prerë tre dhëmbë në bishtin e kazmës ose lopatës. Në Bosnjë e kanë ruajtur këtë zakon si duket vetëm në Grahovo, por vetëm që dhëmbët i bëjnë në bisht pasi të kenë gërmuar varrin. Kur gërmojnë të tri goditjet e para, në Shqipëri, i bëjnë me belin (kazmën) prapa kurrizit. Pasi mbaron punën e tij, punëtori nuk ia jep shokut veglën në dorë, por e lëshon mbi tokë, prej ku e ngre punëtori tjetër.
Kur punëtorë hapin një varr nuk i urojnë me: “Puna mbarë!”, as me “l’lumshin krahët”. Asnjerit nuk i lejohet, të kapërcejë një varr të hapur, as nuk është mirë të lihet bosh, por duhet vënë brenda një vegël (lopatë ose kazmë). Edhe në Rumani kujdesen që një fëmijë të mos e kapërcejë varrin e posagërmuar.
Kur bie shi dhe mbushet varri me ujë, atëherë thuhet, i vdekuri ka qenë njeri i keq, kur çel moti, thuhet e kundërta. Në Bohemi besojnë pikërisht të kundërtën. Ndërsa gërmohet varri fillon vaji i përgjithshëm. Në Malcinë e Vogël marrin pjesë të gjithë burrat, që kanë ardhur për varrim dhe nga gratë vetëm ato të farefisit. Në Kelmend i afrohen të vdekurit në gropë, sipas familjeve, natyrisht burrat veç dhe gratë veç. Gratë shkojnë me radhë sipas rangut në familje, ato në krye të mbuluara me shami koke dhe të gjitha duke qarë; pastaj tërhiqen mënjanë, për t’iu lëshuar vend atyre që vinë nga pas dhe ulen te koka e të vdekurit. Ka grupe burrash, që ngushëllojnë heshtas; të tjerë afrohen duke ruajtur zakonin e Malcisë Madhe dhe të Vogël. Në këtë rast, me këmbën e mëngjër përpara, qëndrojnë radhë përkrah njeri tjetrit me duart mbi hijet, afër 30 hapa larg nga i vdekuri. Kryetari i grupit del tani nga radha me këmbën e majtë përpara i thërret të vdekurit me emër, e pyet ku është dhe përse i la shokët, pastaj marshojnë të gjithë si me këmbajka [Mangallkë (Korça)] me gjunjë të ngrirë, kokën lart, me shikim jo të natyrshëm të ngulur në një drejtim nga përpara, pa asnjë lëvizje tjetër të trupit, përveç rrotullimit që shkaktojnë hapat, i afrohen kufomës. Gjesti nuk është aspak qesharak, përkundrazi ecja e ngrirë e njerëzve, që i afrohen të vdekurit, të ngjeth mishin.
Ndërkaq kali i të vdekurit në Kelmend, qëndron pranë të zotit, por sa afrohet njeri nga grupet që vajtojnë, ia nxjerrin atij përpara dhe kthehet me të te i vdekurit. Gjatë kohës, kur përcjellin të vdekurin i varin kalit në qafë dhe në kokë shami të zeza të disave nga gratë, që erdhën në varrim. Pas këtij akti çdo anëtar i grupeve vajtonjëse ndahet nga i vdekuri dhe të gjithë shpërndahen në varrezat, duke formuar grupe. Ulen përdhe bisedojnë me njeri tjetrin dhe pinë duhan.
Siç dihet, trakasit e vjetër dhe, më vonë, në fillim të kohës mesme, edhe popuj të tjerë, kishin zakon ta varrosnin kalin bashkë me të zotin. Nga pikëpamja historike është interesant që ky zakon ka mbetur në disa vise të malcisë, ku kuajt janë të rrallë. Kelmendasit kanë jetuar më parë në një vend ku kali luante rol më të madh, nga ç’luan në vendbanimin e sotshëm. Përmend me këtë rast, që kali lot një rol me rëndësi në kultin e të vdekurve të çerkezëve dhe të osetëve. Ceremonia me kalin duket se mungon në Malcinë e Vogël, dhe fakti që ekziston në Malcinë e Madhe shpjegon mbase, përse në shumë varre janë skalitur figura kuajsh.
Edhe në Malcinë e Vogël i afrohen grupet qivurit në mënyrën që përshkruam këtu, por, përveç ulërimave dhe vajtimeve, është zakon që në ekstazë të grisin gjak fytyrat, të rrahin kraharorin me grushte, sa të buçasë. Në Malin e Zi rrahin kokën me grushte dhe në Çeki kraharorin. Në Kelmend pasi kanë gërmuar varrin, përgatitin qivurin. Me ndihmën e një shufre të drejtë matet shtati i të vdekurit dhe qivuri ndërtohet tamam pas trupit. Këtë zakon e kanë edhe rumunët dhe thonë, se do ishte keq, sikur qivuri të ishte shumë i madh sa të mos e mbushte tërësisht kufoma e të vdekurit. Në rastin, që ndodha vetë, arkivoli ishte te supet gati dy herë më i gjerë se te këmbët, kishte pra formën e një trapezi. Në Malcinë e Vogël nuk goditin qivure. Në vend të këtij veshin varrin me afër 60 cm. mur të thatë. Edhe në Malin e Zi e quajnë përdorimin e qivurit një zakon të importuar.
Etiketa kërkon që, gjatë gjithë kohës së varrimit, farefisi të mos tregojë asnjë shenjë tronditje, bile të shfaqen me orë të mira, duke i përgjigjur çdo ngushëllonjësi, që shtëpia ka akoma shumë burra, të cilët janë aq trima dhe të zotë, si ai që la jetën, që humbja të duket kështu sa më e pakët që të jetë e mundur. Pasi janë mbledhur mjaft njerëz, qivuri është ndërtuar dhe varri gërmuar, në Kelmend e vendosnin qivurin anës më të gjatë të varrit, bile atje ku është grumbulluar dheu i gërmuar dhe kapakun e vënë pranë qivurit. Në çastin kur e ngrenë të vdekurin nga hija e madhe, për t’a mbartur pranë varrit, edhe grupet e njerëzve lënë hijet dhe mblidhen rreth varrit. Pasi mblidhen të gjithë, e vënë të vdekurin në qivur dhe burrat e farefisit afrohen për ta puthur në fytyrë dhe për tu përshëndetur me të; pastaj i marrim për kujtim kutinë e tabakos ose ndonjë copë veshje, e mbulojnë me savan dhe i mbërthejnë qivurit kapakun. Në Bogë është zakon, në këtë rast, t’i çierrin pakë savanin ose gishtin e vogël kufomës, se të dyja këto e ruajnë (konservojnë) atë në varr.
Në kundërshtim me zakonin shqiptar, që ta ruajnë kufomën të mos tretet, rumunët dhe grekët dëshirojnë që, kur ta hapin varrin pas disa viteve të mos gjejnë veçse kockat. Për kufomat, që nuk treten pas një kohe të gjatë, thuhet se shtrigojnë. Duhet pra, që të shpejtohet tretja e tyre, të hiqet mallkimi, që rëndon mbi të vdekurin, sipas pikëpamjes greke dhe rumune. Pal Nika në Flet, në Shqipërinë e Veriut, që pas shumë viteve e gjeti të patretur trupin e të atit, besonte se kjo tregonte që i ati, një burrë famëkeq në kohën e tij, kishte qenë në një farë mënyre i shenjtë.
Ceremonitë e varrimit në Malcinë e Madhe ndryshojnë pak nga ato të Malcisë së Vogël. Në Malcinë e Vogël i venë të vdekurit në gojë një metalik (monedhë) para se ta varrosin, të cilin më parë e sjellin tri herë rrotull varrit, pastaj i venë mbi kraharor një qiri të ndezur. Në disa rrethe në vend të qiriut venë mollë, siç thamë më lart. Në Malcinë e Madhe nuk është zakon t’i venë të vdekurit metalik në gojë. Meqenëse metaliku është tepricë e besëtytnisë pagane, kisha e ka ndaluar, por prapë, në mos haptas përdoret fshehtas. Sipas pikëpamjes shaljane, të vdekurit i venë metalikun në gojë, që t’i paguajë zotit të varrit varrin, në rast që ai kërkon dëmshpërblim, se siç thamë më lart trualli i varrezave është i ngushtë dhe lehtë mund të dëmtohet varri përsëri. Për këtë arsye edhe në Glasimac të Bosnjës, i venë të vdekurit në varr para të vogla (metalike). Në Hercegovinë i venë në varr të vdekurit disa pare të vogla vetëm atëherë, siç pretendojnë, kur janë gjetur atje kocka. Zakon i “ovëlls”, sepse për këtë është fjala, sipas Tozerit, ka qenë në Greqi dhe në ishujt e Greqisë deri në bregdetin e Azisë së Vogël dhe, sipas Abbotit, edhe në Maqedoni. Mariana shkruan se dikur ka qenë në formën e vjetër edhe në Rumani. Edhe sot është zakon në Bullgari dhe në Rumani t’i venë të vdekurit në dorë të holla dhe, veç kësaj, kur e mbushin varrin, ndërsa njerëzit e shtëpisë hedhin dhe, të afërmit e të vdekurit hedhin në varr të holla të vogla.
Meqenëse në Malcinë e Vogël, si dhe në Malin e Zi, nuk ndërtojnë, në fund të varrit shtrojnë kashtë dhe lëkurë bagëtish, marrin armët e të vdekurit, e shtrijnë me rrobat e tij në varr, e mbulojnë me një savan, shpërndajnë mbi të duhan dhe mbi muret e thatë anës venë binarë, kështu që, kur ta mbushin varrin me dhe, të mos bjerë dhe mbi kufomën. Në Zibenbyrgen dhe në Bukovinë përdorin qivure dhe çdonjëri hedh një lopatë ose një dorë dhe në varr, me fjalët: “Hallall buka dhe kripa, që kemi ngrënë së bashku!”, pastaj përshëndetin të afërmit me: “Zoti ju dhashtë kyvet!” dhe “U pastë lan nafakën prapa!”.