Kush nuk e ka shijuar aromën e një cigareje nuk mund ta kuptojë çfarë fshihet prapa këtij tubi me gjethe të thara dhe kush nuk ka pirë një puro kubaneze nuk e imagjinon se çfarë përfaqëson kjo mënyrë e të pirit duhan
Vendasit ia shijonin aromën e këndshme qysh prej shumë viteve, tymi ishte një kënaqësi, por edhe element bashkues në ritet e shenjta dhe sociale.
Tregon historia dhe sigurisht jo legjenda se më 25 tetor të vitit 1881 në Malaga prindërit e një të sapolinduri qenë dëshpëruar pasi menjëherë pas lindjes, foshnja nuk jepte asnjë shenjë jete. Por mjeku, pa e humbur qetësinë, i dha një thithje të thellë puros që po pinte dhe ia hodhi tymin foshnjës.
Menjëherë i sapolinduri filloi të marrë frymë dhe të qarat e tij mbushën dhomën, me gëzimin dhe habinë e nënës dhe babait. Përveç se i shpëtoi jetën, ky mjek i mundësoi sidomos artit bashkëkohor që të mos humbiste një prej përfaqësuesve të tij më të famshëm e më gjenialë. Po, sepse ai i sapolindur quhej Pablo Picasso. Anekdota në fjalë natyrisht nuk do të demonstrojë se duhani të bën mirë, megjithëse në këtë rast e ka shmangur vdekjen e sigurtë të vogëlushit Pablo, por me siguri mund të simbolizojë një stil jetese dhe sidomos një kënaqësi superfine, e cila nganjëherë mund të kryejë deri në ndonjë mrekulli.
Kush nuk e ka shijuar kurrë aromën e një cigareje nuk mund ta kuptojë filozofinë që fshihet prapa këtij tubi me gjethe të thara dhe kush nuk e ka pirë kurrë një puro kubaneze nuk mund ta imagjinojë aspak se çfarë përfaqëson kjo mënyrë e pabarazueshme të piri duhan. Njerëz që janë ndjekës të puros, kështu quhen cigaret e ishullit karaibik të bërë rigorozisht me dorë, kapin hundën me dorë kur objektet e tyre të pëlqyera të dëshirës barazohen me një ves shumë normal. Dhe kanë plotësisht të drejtë. Në fakt, të pish një puro është një art shumë i rafinuar, hallka e fundit e një zinxhiri që fillon me zgjedhjen e cigares, me ruajtjen dhe lagështirën e përkryer, për të kaluar në ritin e prerjes e të ndezjes dhe të shoqërimit me një pije të shkëlqyer, shoku i udhëtimit i preferuar i saj që përshtatet me harmoninë e qiellzës. Quaje ves! Pastaj, përtej shijes, shumë "shenjtëri" ka origjinë historike dhe fetare. Po, padi kur Kristofor Kolombi në vitin 1492 vuri këmbën në territorin e Kubës, duke besuar në të vërtetë se kishte arritur Inditë, hyri në kontakt me indigjenët e vendit që e kishin zakon të bënin cilindra me gjethe të thara, të cilat i ndiznin nga njëra anë dhe ia thithnin tymin nga ana tjetër. Kjo sepse qysh në krye të herës për këto popullsi duhani ishte një element bashkuar në jetën shoqërore dhe fetare, duke qenë se përdorej në shumë rite të shenjta.
Ai që e bëri të tillë qe sidomos shtrigani, behique, i cili komunikonte me zotat gjatë ceremonisë së cohoba-s. Vizioni shenjtëror, edhe pse në mënyrë negative, u mor edhe nga kisha katolike, e cila, sapo duhani u soll në Evropë nga njerëzit e Kolombit, kërkoi që të demonstrojë se gjethet e thara karaibike qenë me natyrë të pastër demoniake. Rodrigo de Jerez, një prej marinarëve të lundërtarit xhenovez që kishin mësuar të thithnin cohoba, e pagoi me çmim shumë të lartë dëshirën për të tymosur në shtëpi një prej këtyre cilindrave vegjetalë. E shoqja e denoncoi tek Inkuizicioni dhe e burgosi me akuzën se ishte i poseduar nga Satanai. Por mbrojtësit e fesë, në harkun e pak viteve, nuk mund të bënin asgjë për ta penguar pushtimin e cigares që u asimilua sidomos nga klasat më të kamura. Zhan Nikoti, ambasadori francez pranë oborrit të Portogalisë, qe një prej të parëve që e futi modën e cigares në aristokraci dhe, për kohën, edhe që t'i ekzaltonte cilësitë terapeutike të supozuara. Mëkat për të që ai sot kujtohet vetëm për faktin që një prej substancave më helmuese të duhanit, pikërisht nikotina, e ka marrë shtysën pikërisht nga emri i tij. Natyrisht, futja e vrullshme e duhanit në Kontinentin e Vjetër provokoi fillimin e kultivimit sistematik dhe të prodhimit të kësaj bime në Karaibe, më saktësisht në Kubë. Kjo bëri që të vërshonin para në arkat e Spanjës, duke parë se ishulli i përkiste asaj dhe për faktin që, duke filluar nga viti 1614, i gjithë duhani i destinuar për tregjet evropiane duhej të kalonte nëpërmjet monopolit të qytetit të Seviljes, ku transformohej në mijëra cigare për t'u eksportuar në Francë, në Angli e në Hollandë. Por rrjedha e historisë, në harkun e pak më shumë se një shekulli, i ndryshoi letrat në tavolinë. Spanja humbi në mënyrë progresive pushtet e prestigj, ndërsa në Kubë rebelimet e vazhdueshme të vegueros-ve, kultivuesve të duhanit, i shtynë autoritetet hispanike që të cedojnë benefice ekonomike dhe të miratojnë një politikë doganore më pak mbytëse.
Monopoli i Seviljes u zhduk dhe liberalizimi i tregtimit të puros-ve pati një rritje vertikale të paimagjinueshme. Brenda shumë pak kohe, në Havanë u hapën fabrikat e cigareve legjendare: në vitin 1827 Partagas, në vitin 1834 Por Larranaga, në vitin 1840 Punch, në vitin 1844 H. Upmann, në vitin 1848 El Rey del Mundo dhe në vitin 1850 Romeo y Julieta. Në vitin 1861, u arrit në pikën që në Kubë të operonin 1217 manifaktura, 516 prej të cilave prodhonin puros të destinuara për eksport. Në Evropë, cigarja vazhdoi që të jetë modë në klasat shoqërore më të kamura. Në klubet më ekskluzive të Londrës dhe Parisit u hapën salla apostafat për duhanxhinjtë, të cilët për të shmangur që rrobat e tyre të mbusheshin me erën shpuese të duhanit, filluan që të veshin mbrëmjeve veshje të zeza prej mëndafshi të quajtura smoking. Me evolucionin e zakoneve, ndryshoi edhe mënyra e prezantimit të vetë cigareve. Fillimisht, në vitin 1845, një prodhues i famshëm i quajtur Ramon Allones, inauguroi epokën e kutive prej druri për të vënë në shitje puros-et e tij dhe disa vjet më vonë të njëjtat filluan që të ilustrohen dhe vishen në mënyrë të pasur me etiketa dhe simbole. Menjëherë më pas, u krijuan fashetat. Për hir të së vërtetës, qysh një shekull më para aristokratët vendosnin përreth kokës së një puroje një unazë prej letre për të shmangur që dorzat e tyre prej mëndafshi të bardhë të bëheshin pis në kontaktin me dushin tepër të lagësht. Por, vetëm në periudhën midis viteve 1830 e 1835, një holandez i quajtur Gustave Anton Block, e sistematizoi përdorimin e fashetës për purot e tij Aguila de Oro, në mënyrë që t'i diferenconte nga purot e tjera në qarkullim.
Ideja u kap menjëherë nga prodhues të tjerë, të cilët në disa raste i bënë unazat e tyre kryevepra në kuptimin e vërtetë të fjalës: u krijuan kështu anillos, siç quhen në spanjisht, në mëndafsh dhe të veshura me perla të vogla. Por, duke pasur parasysh koston e madhe, shumë shpejt u zëvendësuan nga ato të bëra prej letre. Ndërkohë, edhe kushtet sociale dhe ekonomike të atyre që punonin në kompanitë prodhuese në Kubë u përmirësuan në mënyrë të ndjeshme. Nëpër fabrika, torcedores-at dridhnin cigaret, u krijua deri figura e "lexuesit", një punëtor në gjendje që të lexonte gjatë orarit të punës gazeta dhe libra. Autorë si Balzac, Zola, Verne e H.G. Wells u bënë shumë popullorë midis punëtorëve të duhanit, të cilët shumë shpejt u mbiquajtën "intelektualët e proletariatit". Fama e purove kubaneze rritej në mënyrë të çfrenuar.
Në Shtetet e Bashkuara, presidentët Ulysses Grant dhe Abraham Lincoln, pasi kanë shijuar një puro, nuk do ta braktisnin më kurrë aromën e saj. I pari arriti që të tymosë deri në 25 copë në ditë. Edhe muzikantë të kalibrit të Wagner dhe Sibelius nuk mund të rrinin dot pa këtë lloj tymi. Por, është me ardhjen e shekullit XX që purot kubaneze patën konsakrimin definitiv të tyre. Kësaj i kontribuoi edhe legjenda e një toke që pasi kish përzënë spanjollët falë rebelimit të ndodhur në vitin 1895 për meritë të José Marti, u transformua, edhe për shkak të situatës politike tejet të paqëndrueshme, në një zonë të lirë ku gjithçka lejohej: Havana u bë brenda një kohe të shkurtër kryeqyteti i luksit të çfrenuar, i kënaqësisë dhe i lojës së bixhozit, akoma më përpara se Las Vegas. Në vitet '30, yje të mëdhenj si Marlene Dietrich, Nat King Cole, Errol Flynn, Gary Cooper, Ginger Rogers, Frank Sinatra dhe gangsteri Lucky Luciano filluan zakonin që të frekuentojnë hotelet Deauville, Capri e Riviera dhe klubet e natës Tropicana, Floridita e Bodeguita del Medio. Të gjithë kishin në gojë një puro të kushtueshme, simbol pushteti dhe dominimi. Edhe Ernest Hemingway nuk diti që t'i rezistojë sharmit të detit të Kubës, koktejit "Daiquiri" dhe aromës së purove kubaneze. Por, tashmë puros tymoseshin kudo, deri në Numrin 10 të Downing Street, kur Winston Churchill u bë Kryeministër anglez në vitin 1940. Është thënë se askush si ai nuk diti ta mishëronte vetë idenë e cigares. Dhe është e vërtetë, duke qenë se llogariten në 300 mijë (po, e keni lexuar mirë, 300 mijë!!!) purot që politikani britanik arriti të pinte gjatë jetës së tij. Në pikën që një vitola, domethënë një tip i caktuar puroje kubaneze, e njohur për nga gjatësia dhe nga trashësia e saj, në ditët e sotme quhet me emrin e shtetarit të madh. Anekdotat lidhur me Churchill dhe purot e dashura të tij gëlojnë gjithandej. Duke filluar nga ajo që e pa protagonist me Marshallin Montgomery, i cili një ditë i tha: "Unë nuk pi alkool, nuk pi duhan, fle shumë, ja pse jam në formë 100 përqind", të cilit Kryeministri iu përgjigj: "Unë pi shumë alkool, fle pak dhe tymos një puro pas tjetrës! Ja pse jam në formë 200 përqind". Kur Londra, gjatë betejës së Anglisë, iu nënshtrua bombardimeve të dhunshme nga ana e Luftwaffe, Churchill nuk kishte frikë për jetën e tij, por për purot që i ruheshin pranë dyqanit Dunhill.
Pikërisht gjatë një sulmi ajror, një bombë e kapi plotësisht dyqanin. Në orën 2 të natës, pasi ka konstatuar dëmet, drejtori i telefonoi menjëherë Churchill dhe i tha tekstualisht këto fjalë: 'Sër, purot kanë shpëtuar". Edhe Presidenti amerikan John Fitzgerald Kennedy qe një tymosës i kallur i purove kubaneze. Të preferuarat e tij qenë Petit Upmann të H. Upmann. I pëlqente deri në pikën sa që në vitin 1961, disa ditë përpara se të nënshkruante dokumentin që do të vinte në fuqi embargon kundër Kubës dhe Fidel Kastros, dërgoi disa bashkëpunëtorë të tij në Havanë që t'i blinin purot e tij të preferuara. I sollën 11500 copë të mira. Përsa i përket Fidel Kastros, kur u ngjit në pushtet në vitin 1959, një prej vendimeve të para që mori qe ai i shtetëzimit të të gjitha kompanive të cigareve. Një zgjedhje e dhimbshme që çoi në zhdukjen e purove legjendare su Murias, Henry Clay, Farach, Villar y Villar. Por, lider maximo iu desh që të kthehej shumë shpejt në hapat e tij, i bindur edhe nga "Che" Guevara, pasi cilësia e lartë që dallonte cigaret kubaneze ishte pothuajse zhdukur krejtësisht. Kështu që i dha jetë një organizmi përgjegjës, Habanos S.A., me detyrën që të koordinonte ndërmarrjet e ndryshme prodhuese për prodhimin vjetor të cigareve. Gjithmonë Kastro qe protagonist i lindjes së asaj që aktualisht quhet si cigarja më e mirë e botës, cohiba-s. Në fillimin e viteve '60, akoma në fermentim të plotë revolucionar, Fidel Kastro u takua një mëngjes me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Të gjithë ndezën purot e tyre dhe lider maximo mbeti i goditur nga aroma e thellë e një puroje të ndezur nga një që ndodhej afër me të. Menjëherë deshi të dijë se kush ishte fshatari që ishte në gjendje të krijonte një puro artizanale kaq të mirë. Ai fshatar, i destinuar që të bëhej një prej njerëzve – simbol të gjithë historisë së cigareve, ishte Eduardo Ribera, i cili kish individualizuar në zemër të rajonit Vuelta Abajo më të mirin e të gjithë Kubës për bimën e duhanit, një parcelë përrallore, e aftë që t'u transmetonte gjetheve një aromë unike, të paarritshme.
Pasi ka pirë purot e tij, lider maximo emëroi Ribera si përgjegjës të një ndërmarrjeje të re, të quajtur pikërisht cohiba, nga emri i ceremonisë së tymit të indiosve të lashtë, që i filloi shitjet e purove të saj nga viti 1968. Qysh nga ai vit, "ndjekësit" e purove kubaneze kanë një pikë referimi të saktë, kur duan të pijnë diçka absolutisht të jashtëzakonshme.
Por, a po ka përhapje masive puroja kubaneze sot? "Për atë që vendos të kalojë në këtë lloj cigareje, duhet ta kuptojë se 'filozofia' që është mbi shpatulla është krejtësisht e ndryshme respektivisht mënyra të tjera të pirjes së duhanit. Kush e pranon këtë diferencë, patjetër që hyn në një botë të mrekullueshme". Po, sepse të konsakrohesh me purot, siç e kemi thënë, fillon e ndryshon rrënjësisht konceptin dhe vetë raportin me pirjen e duhanit. Në fakt, cigaret karaibike janë jashtëzakonisht delikate dhe për t'i pirë sa më mirë duhen ruajtur në kuti të veçanta prej druri (të bëra me dru kedri hispanik), të quajtur humidors, në brendësi të të cilave lagështia ruhet midis 70 dhe 75 gradëve, njëlloj si ajo që haset në klimën e Karaibeve. Por ky është vetëm fillimi. "Riti i pirësit të purove është shumë i larmishëm", shpjegon Maurizio Dalla Valle, President i "Aldano", një fabrikë e famshme italiane që prodhon humidors. "Përtej humidor-it të duhur, të zgjedhur mbi bazën e nevojave të veta, ai që fillon, duhet ta kuptojë se puroja duhet prerë dhe pirë në një mënyrë të caktuar, jo siç bëhet me një cigare të zakonshme". Që diçka praktikisht po ndryshon në Evropë, kjo shikohet edhe nga shoqatat e të pasionuarve që rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe nga vëmendja që masmediat i kushtojnë këtij fenomeni. Po kemi edhe një rritje të numrit të grave që kalojnë nga cigarja tek purot, që siç e thotë edhe shkrimtarja e shekullit të kaluar, George Sand, duhanpirëse e kallur: "Puroja është komplementi i një stili elegant jetese". Ndoshta, mbi bazën e asaj që është thënë deri më tani, nuk do të rezultojë pastaj dhe aq e tepruar sa proklamoi dikur një zë anonim, domethënë se "të pish cigare është njerëzore, ama të pish puro është hyjnore".
Përgatiti ARMIN TIRANA