Nga Alberet Vataj
Dekarti ishte kryesisht i interesuar për problemet e sigurisë intelektuale. Ai fliste me mirësjellje për poezinë, duke thënë se poetët sjellin tek ne njohuritë nëpërmjet “forcës së tyre imagjinative”, duke e bërë të vërtetën “më të ndritshme” nga ajo që e paraqesin filozofët. Megjithatë poezia është një dhuratë e mëndjes dhe jo fryt i studimit për të na dhënë metodat e zbulimit të së vërtetës, në mënyrë të vetëdijshme. Mëtej ai respekton teologjinë duke konkluduar se “të vërtetat e saj janë të zbuluara … janë plotësisht mbi inteligjencën tonë” dhe sipas tij për të qënë i sukseshëm në mendimin rreth tyre “duhet të jesh më shumë se një njeri i zakonshëm, duke pasur ndihmë nga lart”. Ai nuk i mohonte këto të vërteta dhe mbeti në pikëpamje një katolikë i devotshëm deri në fund; por Dekarti nuk gjeti tek teologjia një metodë me anën e së cilës këto të vërteta të mund të arriheshin vetëm nëpërmjet fuqisë së arsyes njerëzore. Po ashtu as filozofia, të cilën ai e mësoi në kolegj nuk ndihmoi në këtë drejtim, sepse “asgjë e thjeshtë nuk gjendet në të që të jetë subjekt i diskutimeve dhe për pasojë të mos jetë e dyshimtë…”.
Kërkesa e tij për siguri e udhëhoqi të kalonte nga librat e tij, tek “libri i madh i botës”, ku përmes udhëtimeve ai takoi “njerëz të temperamenteve dhe natyrave të ndryshme” duke mbledhur “eksperienca të ndryshme”.
Dekarti ishte i vendosur të zbulonte bazat e sigurisë intelektuale përmes arsyetimit të tij. Ai i dha filozofisë një fillim të ri, duke përdorur ato të vërteta që mund të njiheshin nëpërmjet fuqive të tij personale, si bazë për të gjitha dijet e tjera. Ai ishte tepër i ndërgjegjshëm për vendin e veçantë që zinte në historinë e filozofisë, sepse ai shkruante “megjithëse të gjitha të vërtetat, që unë po klasifikoj përmes parimeve të mia, janë njohur në të gjithë kohët dhe nga të gjithë njerëzit, po aq sa di unë nuk ka ekzistuar as një njeri përsa unë njoh, që ti përshtasë ato si parime të filozofisë … si burime të të gjitha njohurive të tjera që ka bota. Prandaj kjo detyrë më mbeti mua”. Ideja e tij ishte që të arrinte në një sistem mendimi, ku parime të ndryshme ishin të vërteta dhe të lidhura me njëra tjetrën aq qartë, sa që mendja të kalonte lehtë nga një parim në tjetrin. Por me qëllim që të arrinte një lidhje të tillë organike të të vërtetave, Dekarti e kuptoi se duhej “ti përshtaste këto të vërteta në një skemë racionale”. Me një skemë të tillë ai jo vetëm mund të paraqiste njohuritë e kohës, por edhe “të drejtonte arsyetimin njerëzor drejt zbulimit të të vërtetave, të cilat deri atëherë nuk njiheshin”. Detyra e tij kryesore tani e tutje ishte të krijonte “skemën e tij racionale”, metodën e tij.