Margaret Thatcher, e cila vdiq pas një ataku kardiak më 8 prill 2013 në moshën 88-vjeçare, ishte një nga figurat emblematike politike dhe më me ndikim të shekullit të XX. Ishte kryeministrja britanike më jetëgjatë e mijëvjeçarit dhe e vetmja grua që ka mbajtur këtë detyrë nga viti 1979 deri në 1990. Ishte gjithashtu edhe drejtuesja e Partisë Konservatore. Një gazetar sovjetik e quajti atë "Zonja e Hekurt", një nofkë që karakterizoi politikën e saj pa kompromis dhe stilin udhëheqës. Si Kryeministre, ajo zbatoi politika që njihen si Theçerizëm. Trashëgimia e saj pati efekt të thellë mbi politikat e pasardhësve, qofshin ata konservatorë apo laburistë, ndërsa përqasja e saj radikale dhe në disa raste konfliktuale, u bë tipar i qeverisjes së saj 11-vjeçare. Fillimisht një kimiste para se të bëhej avokate, Thatcher u zgjodh anëtare e Parlamentit për zonën zgjedhore Finchley në vitin 1959. Edward Heath e emëroi atë Sekretare të Shtetit për Arsimin dhe Shkencën në qeverinë e tij të vitit 1970. Në vitin 1975, Thatcher mundi Heath në zgjedhjet e udhëheqjes së Partisë Konservatore për t'u bërë kreu i Opozitës dhe u bë gruaja e parë të udhëhiqte një parti të madhe politike në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë qëndrimit të saj në detyrë, mijëra votues të zakonshëm morën një rol në shoqëri, duke blerë shtëpitë e tyre përmes privatizimit dhe duke shkëmbyer ethshëm aksionet e industrive të privatizuara si ajo e gazit apo telekomunikacionit. Por kundërshtimi i saj ndaj politikës së konsensusit e bëri atë një figurë përçarëse dhe opozita ndaj politikave dhe stilit të saj të qeverisjes solli në fund një rebelim brenda partisë së saj dhe kryengritje në rrugë.
Ndikimi i të atit
Margaret Hilda Thatcher lindi më 13 tetor 1925 në Grantham, Linkolnshair si vajza e Alfred Roberts, një tregtar ushqimesh, dhe bashkëshortes së tij Beatrice. I ati i saj, një metodist dhe këshilltar vendor, pati ndikim të madh mbi jetën dhe politikat e saj. Ajo studioi Shkenca Natyrore në Oksford dhe u bë presidentja e tretë femër e shoqatës konservatore të Universitetit të Oksfordit.
Ajo punoi për një kompani plastike dhe u angazhua në politikën vendore për Partinë Konservatore.
Thatcher u konsiderua si një kandidate potenciale për deputete në Kent, ku humbi në vitet 1950 dhe 1951. Gjithsesi ajo arriti sukses të madh në një zonë laburiste dhe tërhoqi shumë vëmendje mediatike si kandidatja më e re konservatore ndonjëherë. Më 1951 u martua me një biznesmen të divorcuar dhe filloi të studiojë për avokate. U kualifikua si e tillë më 1953, viti kur lindën dy binjakët e saj, Mark dhe Carol. Ajo hyri në Parlament më 1959-n. Brenda dy vitesh u emërua ministre e re dhe pas disfatës së konservatorëve më 1964-n, u promovua në rolin e qeverisë hije.
Derdhja e qumështit
Që në fillim ajo bëri fushatë për privatizimin e banesave kolektive dhe u bë kritike konstante e taksimit të lartë të ndjekur nga laburistët. Ajo u bë sekretare për arsimin më 1970-n, kur urdhëroi heqjen e qumështit falas që shpërndahej nëpër shkollat e Britanisë çdo mëngjes, një vendim shumë i debatueshëm, për të cilën tha se ishte edhe një leksion i madh, pasi zbatoi politikën më të urryer për përfitimin politik më të papërfillshëm. Qeveria e Heath u mposht nga kriza e naftës më 1973 dhe u detyrua të imponojë një javë pune me tri ditë përballë grevës së minatorëve të qymyrit. Qeveria e tij u rrëzua më 1974-n.
Thatcher u bë sekretare e mjedisit në hije, por u zemërua nga braktisja e politikave ekonomike konservatore nga ana e Heath dhe hyri në garë kundër tij për udhëheqësinë e partisë më 1975-n. Për surprizën e të gjithëve, ajo e mposhti Heath në votimin e parë, duke sjellë dorëheqjen e tij. Ajo u bë gruaja e parë në krye të një partie politike britanike.
“Zonja e Hekurt”
Thatcher filloi t’i lërë gjurmët e saj herët. Më 1976-n, pas një fjalimi që kritikonte politikat shtypëse në Bashkimin Sovjetik, një gazetë ruse i dha emrin “Zonja e Hekurt”, një titull që i pëlqeu edhe asaj vetë.
Duke e prezantuar veten si një politikane që ishte njëkohësisht zonjë shtëpie, që e dinte se çfarë ishte inflacioni për familjet e zakonshme, ajo sfidoi pushtetin e sindikatave, veprimet e vazhdueshme të së cilave sillnin vazhdimisht bllokim të industrisë.
Politika monetare
Si Kryeministre, ajo ishte e vendosur të riparonte financat e vendit, duke reduktuar rolin e shtetit dhe duke nxitur tregun e lirë. Ulja e inflacionit ishte synimi i parë i qeverisë së saj dhe ajo imponoi reforma radikale në ulje taksash dhe shpenzime buxhetore. U miratuan ligje kundër sindikatave, u privatizua industria shtetërore, si dhe banesat komunale. Miliona njerëz, që më herët nuk kishin ndonjë pjesë të ekonomisë, e gjetën veten pronarë të shtëpive të veta apo të aksioneve nëpër biznese. Politikat e reja monetare e bënë Londrën qendrën më tërheqëse financiare në planet.
Manifaktura e vjetër, e cila sipas kritikëve po krijonte një gropë plehrash të stërmadhe, u eliminua në garën për një Britani të re konkurruese. Kjo solli rritjen e papunësisë në mbi 3 milionë njerëz. Kryengritje pati mes deputetëve të stolave të pasmë (deputetë jo të kategorisë së parë) konservatorë, si dhe përplasje me popullin nëpër qytete, elemente që e detyruan Kryeministren të modifikonte politikat e saj.
Por ajo nuk hoqi dorë nga to. Më 1980-n tha para partisë: “Për ata që po presin për një kthesë, unë kam vetëm një gjë për të thënë. Ju po të doni, kthehuni… Zonja nuk kthehet.”
Lufta në Falkland
Vonë, më 1981, ajo ishte dukshëm me mungesë popullariteti. Vetëm një në katër anglezë miratonte punën e saj, por kriza ekonomike dukej se ishte kapërcyer. Më 1982, ekonomia pati filluar të ringrihej dhe bashkë me të, edhe pëlqimi i elektoratit. Por popullariteti i saj u rrit shpejt në prill 1982, kur iu përgjigj me vendosmëri invazionit të ishujve Falkland nga Argjentina. Kryeministrja hyri menjëherë në luftë, dërgoi një flotë dhe ishujt u ripushtuan më 14 qershor, kur Argjentina u dorëzua. Fitorja e luftës, si dhe sherret e brendshme mes laburistëve, sollën fitore masive në zgjedhjet e vitit 1983.
Pranverën që vijoi, sindikatat e minierave bënë thirrje për grevë kombëtare, pavarësisht se një vendim i tillë nuk ishte marrë përmes votimit të anëtarëve. Thatcher ishte e vendosur të mos lëshonte pe. Ajo pati krijuar përgjatë viteve stoqe të konsiderueshme qymyri për centralet elektrike dhe mund t’i lejonte vetes një betejë të gjatë pa lëshuar pe.
Mandati i tretë
Greva dështoi, pavarësisht përplasjeve të shumta mes policisë dhe sindikalistëve. Shumë qyteza minerare nuk e morën veten kurrë dhe kjo gjë përshpejtoi edhe rënien e industrisë së qymyrit. Në Irlandën e Veriut, ajo u përball me vendosmëri me grevistët e urisë së IRA-s, gjë që zemëroi edhe më të moderuarit mes katolikëve. Kritikët thonë se qëndrimet e saj shtynë shumë të rinj irlandezë drejt dhunës.
Ajo shpëtoi për fat nga një atentat i IRA-s. Nga shpërthimi i bombës u vranë pesë njerëz dhe u plagosën rëndë shumë të tjerë, përfshirë edhe një ministër. Ajo gjeti rastin për ta përmendur sulmin në një fjalim që dha disa orë më vonë. “Ky sulm dështoi. Të gjitha përpjekjet për të shkatërruar demokracinë përmes terrorizmit do të dështojnë.”
Politika e saj e jashtme synoi t’i jepte Britanisë një profil të klasit të parë në skenën botërore. Ajo gjeti një shpirt binjak te Presidenti Ronald Reagan, i cili kishte mendime ekonomike të ngjashme. Ajo arriti një marrëveshje të pazakontë me Mikail Gorbaçov, Presidentin reformator sovjetik. Laburistët vijonin të ishin të përçarë kështu, që Thatcher fitoi në mënyrë të paprecedentë një mandat të tretë më 1987-n. Një nga aksionet e saj të para ishte imponimi i një takse të sheshtë, apo i një tarife të njëjtë për shërbimet publike, (rrugë, kanalizime etj). Kjo ishte një tarifë për banor dhe jo më një tarifë në përqindje me vlerën e shtëpisë.
Taksa shkaktoi dhunë në rrugë në nivel të jashtëzakonshëm. Deputetët konservatorë u alarmuan nga perspektiva e humbjes së zgjedhjeve dhe kjo gjë solli edhe rebelim brenda partisë së saj. Ajo fillimisht i mbijetoi sfidës brenda partisë, por jo për shumë kohë. Ishte çështja e Europës ajo që solli edhe rënien e saj. Pasi u kthye nga një samit në Romë, ajo pati grindje me homologët europianë, pasi kundërshtoi shtimin e fuqive të Komunitetit Europian. “Presidenti i Komisionit, Monsier Delors, tha se dëshiron një Parlament Europian, një komision për qeveri dhe Këshillin e Ministrave për Senat. Jo, jo dhe jo!”, tha ajo.
Konservatorët konkurrentë të saj gjetën rastin për ta hequr qafe. Ajo nuk pati mbështetje dhe u detyrua të japë dorëheqjen, duke akuzuar kolegët e vet se kishin bërë “tradhti me buzëqeshje në fytyrë”. John Major u bë pasardhësi i saj dhe Margaret Thatcher u kthye në periferinë e jetës parlamentare britanike për t’u tërhequr më 1992. Vitet e mëpasshme e përballën me skandale, ku më i famshmi ishte arrestimi i të birit për tregti ilegale armësh në Afrikë, si dhe përfitues të miliona eurove nga privatizimi i industrisë britanike të mbrojtjes, privatizim që u krye pikërisht nga Thatcher.
Ajo u tërhoq nga aktivitetet publike më 2001 për arsye shëndetësore.
Shumë pak politikanë kanë ushtruar një dominim të tillë të skenës politike gjatë mandatit të tyre në zyrë. Për kundërshtarët e saj, ajo ishte politikania që vendosi tregun e lirë mbi çdo gjë dhe detyroi britanikët të paguanin për politikat e saj në formën e papunësisë së lartë dhe kryengritjes shoqërore. Për mbështetësit e saj, ajo ishte heroina që e ktheu Britaninë nga rruga drejt shtetit mbizotërues në ekonomi dhe rrjedhimisht bllokues, që i dha fund mungesës së nacionalitetit politik dhe ekonomik të sindikatave dhe që riktheu Britaninë në skenën botërore.
Ajo e përshkroi kështu filozofinë e saj: “Mendoj se kemi kaluar një periudhë kur shumë fëmijë dhe njerëz kanë fituar bindjen se nëse kanë një problem, është puna e qeverisë ta zgjidhë atë. Nëse janë të pastrehë, qeveria duhet t’i strehojë. Ata po i hedhin problemet e tyre mbi shoqërinë. Por çfarë është shoqëria? Nuk ekziston diçka e tillë! Ka individë, burra e gra dhe ka familje. Asnjë qeveri nuk mund të bëjë asgjë përveçse përmes njerëzve dhe vetë njerëzit duhet të kujdesen për veten. Është detyra jonë të kujdesemi për veten dhe pastaj të ndihmojmë edhe fqinjin tonë, sepse ky është një biznes i përbashkët. Njerëzit që kanë të drejta duhet të mendojnë edhe për detyrimet.”
10 fakte për ish-Kryeministren britanike
Margaret Thatcher lindi në Grantham të Anglisë më 13 tetor 1925. 9 dekada pas lindjes së kryeministres së parë femër në Mbretërinë e Bashkuar, që vdiq në vitin 2013 në moshën 87-vjeçare, ju paraqesim 10 fakte suprizuese nga jeta e Zonjës së Hekurt
1 – Ajo lindi mbi një apartament sipër ushqimores së babait të saj
E lindur me emrin Margaret Hilda Roberts, kryeministrja e ardhshme ishte vajza e një shitësi ushqimesh që më vonë u bë kryebashkiaku i Grantham në Angli. Apartamenti në të cilin Margaret Thatcher lindi në atë kohë nuk kishte ujë të rrjedhshëm, ngrohje qendrore apo tualet të brendshëm.
2 – Para se të hynte në politikë, Thatcher punonte si shkencëtare ushqimesh
Edhe pse e kishte me dëshirë të ndiqte karrierën politike, Thatcher u diplomua në Universitetin e Oksfordit në vitin 1947 me një diplomë në kimi. Pas diplomimit ajo punoi si një shkencëtare ushqimesh në Kompaninë “Lyons and Co.” ku ishte pjesë e një skuadre që zbuluan metodën për të rritur sasinë e ajrit të injektuar në akullore që të prodhohej me më pak përbërës dhe me kosto më të ulët.
3 – Ajo i humbi dy zgjedhjet e para parlamentare
Thatcher që ishte një nga presidentet e para femra në Shoqatën Konservative të Universitetit të Oksfordit, fitoi vëmendjen e Partisë Konservatore pak pas diplomimit të saj. Në moshën 24-vjeçare ajo ishte ndër kandidatet më të reja që zuri vend në Dhomën e Komunave. Edhe pse u mund në dy zgjedhje parlamentare ajo e ngriti shumë reputacionin e saj
4 – Teksa studionte për drejtësi, Thatcher lindi dy binjakë
Pasi u martua me biznesmenin e pasur Denis Thatcher në vitin 1951, Margaret hoqi dorë nga karriera e saj shkencore. “Nuk më pëlqente të qëndroja në laborator aq shumë,” tha ajo gjatë një interviste. “Më pëlqente më shumë të isha në kontakt me njerëzit”. Çifti lindi binjakët Mark dhe Carol në vitin 1953.
5 – Ajo njihej gjithashtu dhe si “njeri pa ndjenja”
Përpara se gazeta sovjetike ta quante atë “Zonja e Hekurt” pas një fjalimi anti-komunist gjatë vitit 1976, Thatcher shërbente si sekretare edukimi në vitin 1970. Ajo i dha fund një programi për qumësht falas në shkollat e fëmijëve nga mosha 7-11 vjeç për të shkurtuar shpenzimet e qeverisë. Gazeta Sun në atë kohë e quajti “gruaja më e pandjeshme në Britani”
6 – Ajo nuk besonte se do të shihte një kryeministre femër në Britani gjatë jetës së saj
“Nuk do të ketë asnjë kryeministre femër gjatë jetës sime,” tha ajo në një intervistë gjatë vitit 1970. “Popullsia mashkullore ndjehet shumë e paragjykuar”. 5 vjet më vonë ajo zëvendësoi Eduard Heath si lidere e Partisë Konservatore, dhe në vitin 1979 i provoi vetes se bindja e saj ishte e gabuar.
7 – Laurence Olivier ishte përgjegjës për rritjen e saj në pushtet
Muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 1979, këshilltari i Thatcher Gordon Reece ishte i shqetësuar se votuesit nuk do ta pëlqenin zërin e mprehtë të kandidates. Rastësisht u takua me Laurence Olivier në tre, mjeshtër i teknikave të zërit. Pas trajnimeve intensive të zërit me këtë trajner, ajo arriti të kishte një zë autoritar dhe të qetë që i shërbeu në karrierën politike.
8 – Thatcher është kryeministrja më jetëgjatë në Britani e shekullit 20
Pasi e drejtoi partinë e saj në fitore në vitin 1979, ajo rifitoi zgjedhjet në vitin 1983 dhe 1987. Kur Thatcher dha dorëheqjen si lidere e Partisë Konservatore, e kishte udhëhequr vendin për 11 vjet e 209 ditë, duke e bërë atë kryeministren më jetëgjatë të shekullit 20.
9 – Ajo i shpëtoi një tentative për vrasje të IRA-s
Më 12 tetor 1984, një bombë me sahat ishte vendosur nga anëtari i Ushtrisë Republikane Irlandeze, Patrick Magee në Hotelin Grand në Brighton të Anglisë, ku liderja e Partisë Konservatore, Thatcher, mbante një konferencë. Shpërthimi dëmtoi banjon e suitës së kryeministres, por ajo në atë moment ishte në dhomën ngjitur dhe shpëtoi pa u lënduar.
10 – Dita “Margaret Thatcher” festohet çdo vit në Ishujt Falkland
Në prill të vitit 1982, Argjentina pushtoi Ishujt Falkland, një koloni britanike në Atlantikun Jugor që duhej nga të dy vendet. Në përgjigje, Thatcher dha urdhër për një sulm të fuqishëm, falë të cilit e rimorën përsëri ishullin që ndodhet 8 mijë milje nga Londra. Çdo 10 janar, ishujt Falkland festojnë Ditën Margaret Thatcher për të përkujtuar përvjetorin e vizitës triumfuese në koloni.
DISA FJALE QE KUJTOHEN:
Politikane me bindje
“Kemi pasur praktikë që të mos kemi shumë këshilltarë. Unë kam pasur timin – një ekspert – dhe e dija se ajo çfarë kam thënë, do të intepretohet saktë. Nuk doja të frikësoja cilindo përkthyes duke e detyruar t’i thotë zotit Gorbachev atë që doja t’i thosha. Ai do të tallej me mua dhe unë do t’ia ktheja gjithashtu me tallje dhe në fund do t’i thosha ‘t’i zgjidhim problemet’”
“Më pëlqen debatimi. E dua debatin. Nuk pres nga askush që vetëm të qëndrojë i ulur diku dhe të pajtohet me mua – kjo nuk është punë e tyre”. (1980)
“Unë s‘jam një politikane konsensuale. Jam politikane me bindje“. (1979)
“Nuk kam gjë kundër asaj se sa flasin ministrat e mi, përderisa bëjnë ashtu siç u them unë”. (1980)
“Për ata që i presin pa frymë ato copë-frazat e preferuara mediale, atë rrotullimit mbrapsht, e kam vetëm një gjë për të thënë. Rrotulloheni vetëm atëherë kur dëshironi. Një zonjë nuk është pro rrotullimit”. (10 tetor 1980, Konferenca e Partisë Konservatore)
Fjalë tipike të Thatcher
“Askujt nuk do t’i kujtohet samaritani i mirë, nëse ai kishte vetëm qëllime të mira. Ai duhet të ketë edhe para”. (1980)
“Në Falklande u desh të luftonim me armikun. Por, duhet që gjithmonë të jemi të vetëdijshëm edhe për armikun brenda nesh, luftimi i të cilit është shumë më i vështirë, dhe shumë më i rrezikshëm se çlirimi”. (Për grevën e minatorëve, 1984-1985)
“Nuk ekziston diçka e tillë, si shoqëria. Ekzistojnë vetëm individë, burra e gra, dhe ekzistojnë familje”. (1987)
Një grua në botën e meshkujve
“Asnjë grua në kohën time nuk do të donte të bëhej kryeministre apo sekretare e Jashtme – e as çfarëdo tjetër ngjashëm. Sido që të jetë, as unë s’do të doja të bëhesha kryeministre. Sepse, pastaj të duhet t’i përkushtohesh punës 100 përqind”. (1969, si kundër-kandidate e deputetit konservator Finchley)
“Secila grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, është goxha afër të kuptuarit të problemeve të drejtimin të një shteti”. (1979, viti kur Thatcher bëhet kryeministre)
“Ne u bëmë gjyshe”. (Në ditën e lindjes së nipit të aj të parë, 1989).
Për Europën
“I dua paratë e mia prapa”. (Në Samitin e Bashkimit Europian, në Dublin, 1980).
“Ne nuk i definuam me sukses kufijtë e shtetit Britanik, por i pamë ata të ri-imponuar në nivel evropian, nga një super-shtet europian që po ushtron një dominim të ri nga Brukseli”. (1988)
“Jo, jo, jo”. (Dhoma e Përfaqësuesve, më 20 tetor 1990, kulminacioni i shpërthimit anti-europian të saj, që shtyu Geoffrey Howe të jepte dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit, por edhe të mbante një fjalim dorëheqjeje, përmes të cilit kërkoi që edhe Thatcher ta sfidonte pozitën e saj)