Nga Albert vataj
Dominimi i femrës, si element komunikues, shprehës dhe dëshmues estetik dhe erotik në pikturën e Gustav Klimt është një realitet imponues. Shumçka në këtë qasje orvatet si një mjet, me të cilin piktori nuk rreket të nënshtrojë mashkulloren si balancë e popullimit në të atëhershmen shpirtërore, por të tregojë densitetin e pranisë së femrës në jetën e tij private dhe një lloj dallgëzimi që godet vijimsisht brigjet e prehjes së tij erotike. Kësisoj te Klimt dallon një shqisë e angazhuar në këtë lojë zjarri dhe pasioni, e cila e ndihmon atë të shohë përtej perdes së rastësores, të perceptojë me një aftësi vigjeluese gjithçfarë ndodh në shpirtin e kësaj krijese që i ofrohet si një blatim pasionit dhe jetës, edhe pse thellë atë e torturon vetëdija e asaj që do ta ndëshkojë, shterrimi. Gjithsesi ajo është aty për të vjelë nga qielli i thellë dhe i errët yjet më shndritëse. Klimt jetëson në tablonë e tij këtë material yjor drite, errësire, zjarri, theqafjesh, zhgënjimesh, boshi, epshesh, erosi, zemërthyerje, dhimbjesh dhe nënshtrimi. Dhe duket se e bën me mjeshtërinë e një oratorie magjepsëse ngjyrash dhe trajtesash brenda shtjellës së qiejve që i thyehen. Ai i jep formë pasionit dhe zë i jep epshit në çdo harmoni, në çdo dritëhije dhe ngërç që e sëmbon. Por ajo është gjithçka në këtë lojë koloriti, është një kacafytje botkuptimore dhe brendandjesore, që penelata e mjeshtrit dhe përfytyrimi i tij e ravijëzojnë me atë elekuencë ligjërimi që na shtang edhe sot, ndonëse shumëçka ka ndryshuar në raportet mashkull-femër.
Në traditat të ndryshme, boshti vertikal është relativisht mashkullore (yang) në krahasim me boshtin horizontal femërore (yin). Këtu, Gustav Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale, përshkruar qartazi dhe ngultazi nga njëra punë në tjetrën. Në të shumtat pothuajse, ndikimin zotërues dhe dominues të gruas ndaj burrit e gjejmë të trajtuar me një qasje të qëllimshme dhe shprehëse .
Kjo epërsi e e gruas, ishte jo vetëm një nga temat e mëdha të fundshekullit, por dhe kurajo kalorsiake e këtij bohemi artistik. Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë të tij se “I gjithë arti është erotik”, në veprën që la, dëshifrojmë huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një hapësirë e zbrazët e ndjek. Një zbraztësi e frikshme, e mbushur me makth dhe panik, me aludimin e dështimit dhe ndarjes përpiqet ta vërë përposhtë. Femra që ka marrë në dorë frerët e zotërimit të brendisë së mashkullit e ngjeth piktorin, e vë në dyshim potencën e tij seksuale, gjithnjë shikon pas në pamundësitë dhe zgafellat që ka mbjellur deri aty. Kjo është një ëndërr. Mbase, por zbrazësitë ku ai hedh yjet e tij të shndritshëm të dominimit dhe të skllavërisë së vullnetshme, kumtojnë atë ndjesi të çmbushur që ndjell. Nga ana tjetër kjo hapësirë e vrenjtur, shterron me kolorit të çelur e mbushet me dritë dhe kumtim.
Megjithëse Klimt është përpjekur ti mbush këtë gojë të stërmëdha gllabërimi, me simbole dhe zbukurime, ata shpesh i ngjajnë afreskeve të gozhduar në një mur manastiri ku s’ka rënë dritë kurrë dhe ky myshku dhe errësira e mbajnë atë se një shkëlqim mbi supet natës.
Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese e saj. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja. Klimt është i paparashikueshëm, te “Judith ose Salome” ai e gozhdon publikun para një “orgazme vrasëse” në praninë e një joshje fatale, në vend të portretit të një gruaje të virtytshme. Te “Frizën Beethoven”, një shpërthim estetik i jashtëzakonshëm i Klimt, parajsa është një nga motivet më të rëndësishme që shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore.
Për të kulmuar te “The Kiss”, e cila është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqsi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhë simbolike, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinjë të stërgjatë e trupa që i zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gadishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk e ndalën, Gustav Klimtin, dallon prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton po aq shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos personazhet në hapësira që zbraztësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si jehonë e errët dhe boshe.
Femra si përcaktuese e trajtesës dhe subjektit shprehës artistik, më shumë se një element dominues, ajo është shprehje e veçantisë së Gustav Klimt. Eshtë pikërisht ky dominim që e ka bërë atë më të afërt me nevojën e artdashësve për të qenë pranë këtij shkëmbimi energjishë dhe forcash që dëshmon solemnisht kjo penelatë.