Kjo është ajo që ka mbetur nga anija që u nis nga brigjet e Vlorës për të hedhur në bregun tjetër të Adriatikut ëndrrat e 142 njerëzve, por pa mundur të i’a dalë. As lotët, as pikëllimi nuk mund të i’a heqin ndryshkun këtij “arkivoli” që varrosi në fundin e detit fatet e atyre njerëzve që i’u vunë pas zërit të zemrës. Kjo karakatinë mbetjeje që lufton me agjentët atmosferik dhe mallkimin e zemrave të plasura të nënave, rreket të dëshmojë pambarimisht makthin e atyre minutave të ferrit. Ky masiv i ndryshkur është varri i përshpirtjes së atyre jetëve të flijuara për një ditë më të mirë. Në çdo fragment të saj, në këtë hije të rëndë që përtyp bashkë me fundin e vet, ajo mban strukur kujtimin e atyre njerëzve, dhimbjen e atyre prindërve dhe britmat e thekshme të atyre zërave të shuar në fundin e detit.
U nisën zemërthyer duke i kthyer shpinën të afërmve dhe të shtrenjtëve, u nisën në “tokën e premtuar”, por vdekja u kishte zënë pusi në mes të detit. U fundos anija me 142 fatkeq në bordin e saj, dhe së bashku me të u fundos çdo shpresë për t’i dhuruar atyre parajsën e dëshiruar përtej Adriatikut. Ata ikën për të mos u kthyer më, ikën për të mbetur theror i një fati të keq që kishte ngërthyer të sotmen dhe të ardhmen e atdheut, i cili tashmë nuk i përkiste as ëndrrave as mundësive të tyre të shuara në tabanin e detit. Ata ikën për të mbetur një klithmë kushtruese dhe ndëshkuese për politikën, fatkobin e këtij kombi. Ikën për të qenë kurbani i parë i një ere të re, i një të atëhershme që duhej denoncuar, duhej refuzuar.
Për t’iu larguar varfërisë ekstreme dhe tragjedisë së vitit 1997, me shpresën se do të bëheshin pjesë e botës ku punohet e jetohet normalisht, më 28 mars 1997 u nisën nga brigjet e Vlorës 142 persona, shumica familjarisht. Të joshur prej trafikantëve që kishin rrëmbyer një anije “Kater i Radës”, siç quhej, ata nisën udhëtimin drejt Italisë, vendit ku shqiptarët kanë pasur “stacionin” më të afërt e të dëshiruar të emigrimit, pa e ditur se ai udhëtim, ajo shpresë do të ishin të fundit e jetës së tyre. Anija me të cilën udhëtonin 142 kërkues të jetës së qetë, u fundos pas një goditjeje katastrofike prej një anijeje italiane në ujërat e Otrantos!
Më 28 mars të vitit 1997, ku anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane. Në bordin e anijes ishin 142 persona, nga ku 81 humbën jetën dhe vetëm 61 mundën të mbijetonin. Nga viktimat, 23 trupa nuk u arritën të gjendeshin kurrë. Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme. Eksodi i madh i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë kishte kohë që kishte nisur dhe në vitet e trazuara të 1997 largimet me anije ishin të shpeshta drejt vendit fqinj. Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë ndërhyrjes anija italiane “Sibilla” u përplas me “Katrin e Radës” duke e mbytur atë.
Kjo tragjedi e rëndë ka ndodhur në vitin 1997! Për 14 vite radhazi (1997-2011), familjarët zhvilluan një betejë të ashpër e këmbëngulëse me drejtësinë italiane, për të zbuluar motivin e sulmit të anijes italiane, urdhëruesit dhe autorët dhe për t’i ndëshkuar ata për këtë tragjedi të rëndë ndaj 142 njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur. Por gjyqet u zvarritën, gjersa përfunduan në një farsë me 2 dënime të nivelit të hajdutëve të cigareve në super-markete. Ajo që ka mbetur nga tragjedia, është anija shqiptare “Kater i Radës’ i kthyer si relike në bregun e Vlorës, pllaka përkujtimore me emrat e atyre që humbën jetën, kujtesa dhe lotët e familjarëve, që bëjnë homazhe çdo 28 mars, duke hedhur lule në det, në kujtim të tyre! Ishte një tragjedi që nuk duhej të bëhej nga ata që e bënë. Nuk kishte asnjë motiv, ndërkohë që anija shqiptare “Kateri i Radës” me 142 persona në bord kishte hyrë në ujërat italiane. Ishte anija luftarake italiane “Sibilla”, ajo që e goditi tragjikisht, duke shkaktuar 81 viktima, mes të cilëve 46 gra e fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar. U deshën 6 muaj pas ngjarjes, që anija “Kater i Radës” të nxirrej nga fundi i detit bashkë me një pjesë të trupave të viktimave. Në lidhje me tragjedinë e Otrantos, drejtësia bëri objekt të gjykimit si fajtorë, kapitenin e anijes italiane “Sibilla”, Fabrizio Laudadio dhe kapitenin e anijes shqiptare “Kateri i Radës”, Namik Xhaferri. Plot 18 vite më parë, Shqipëria e përfshirë në kaosin popullor prej piramidave, përjetoi ngjarjen më të rëndë të emigracionit klandestin, ndërkohë që tragjedia e 81 viktimave të 28 marsit 1997 është kthyer në homazhe, kujtime, lule e dhimbje të familjarëve të tyre…
Gjyqi në Leçe, më 29 qershor 2011, vetëm 2 dënime simbolike
Tragjedia e Otrantos, e ndodhur më 28 mars të vitit 1997 është mbyllur nga Gjykata e Apelit në Leçe, duke dënuar kapitenin e anijes “Sibilla”, Fabrizo Laudadio me 2 vjet e 4 muaj burg. Ndërkaq, edhe kapiteni shqiptar i anijes “Kateri i Radës”, Namik Xhaferri është dënuar me 3 vjet e 10 muaj burg, si shkaktar i vdekjes së 108 emigrantëve shqiptar. Prokurori i Përgjithshëm Giuseppe Vignola, kërkoi lirimin e kapitenit italian Laudadio, duke pretenduar se përplasja mes “Sibillas” dhe “Katerit të Radës” që kishte emigrantët shqiptarë, ishte shkaktuar nga manovrat e gabuara të komandantit të motovedetës shqiptare, për t’i shpëtuar bllokadës detare në brigjet puljeze. Por, nga pamjet filmike, të siguruar nga prokuroria italiane, shihej qartë anija “Sibilla” një flotë-anije luftarake italiane, që ka goditur në mes anijen e vogël shqiptare.
Lista emërore e 81 viktimave të gjetur e të evidentuar të tragjedisë
1. Zeqine Fejzaj, 61 vjeçe
2. Blerina Fejzaj, 8 vjeçe
3. Zonja Fjezaj, 36 vjeçe
4. Mihal Fejzaj, 60 vjeç
5. Fatos Fejzaj, 39 vjeç
6. Roland Fezaj, 14 vjeç
7. Oltion Fejzaj, 13 vjeç
8. Mimoza Xhavara, 32 vjeçe
9. Kamela Xhavara, 9 vjeçe
10. Majlinda Xhavara, 4 vjeçe
11. Desantila Xhavara, 24 vjeçe,
12. Firdesa Xhavara, 1 vjeçe
13. Gerard Xhavara, 4 vjeç
14. Majlinda Roshi, 38 vjeçe
15. Qemal Roshi, 38 vjeç
16. Roland Roshi, 2 vjeç
17. Pushime Meminaj, 60 vjeçe
18. Donika Idrizi, 40 vjeçe
19. Elona Idrizi, 14 vjeçe
20. Semiranda Idrizi, 11 vjeçe
21. Romeo Andrea, 28 vjeç
22. Silvana Andrea, 18 vjeçe
23. Kristina Andrea, 2 vjeçe
24. Bardhyl Lame, 37 vjeç
25. Tushe Lame, 38 vjeçe
26. Artuela Lame, 35 vjeçe
27. Kasiani Bestrova, 6 vjeçe
28. Viktore Bestrova, 9 vjeçe
29. Konstandin Bestrova, 2 vjeç
30. Anife Begotare, 41 vjeçe
31. Rezart Begotare, 12 vjeç
32. Erald Begotare, 13 vjeç
33. Zeman Avdia, 37 vjeç
34. Nertila Avdia, 11 vjeçe
35. Olsi Avdia, 6 vjeç
36. Irma Greko, 21 vjeçe
37. Kristi Greko, 3 muajsh
38. Bardhosh Deliaj, 46 vjeç
39. Burbuqe Deliaj, 45 vjeçe
40. Melpo Sejdiaj, 46 vjeçe
41. Hanëme Birçe, 41 vjeçe
42. Besmir Birçe, 9 vjeç
43. Lavdosh Kaja, 22 vjeç
44. Robert Bajrami, 19 vjeç
45. Miklovan Troqe, 17 vjeç
46. Anastas Mërkuri, 30 vjeç
47. Lindita Demiri, 12 vjeçe
48. Lindita Demiri, 12 vjeçe
49. Bektash Tahiri, 47 vjeç,
50. Andi Aliaj, 17 vjeç,
51. Teferi Saliu, 48 vjeç
52. Lirim Bulla, 17 vjeç
53. Zini Muça, 27 vjeç
54. Ermal Xhaka,18 vjeç
55. Fatmir Geraj, 28 vjeç
56. Kastriot Sharraj, 36 vjec,
57. Përparim Mamanaj, 13 vjeç
58. Zylyma Sulejmani, 22 vjeçe
59. Krenar Sulejmani, 27 vjeç
60. Alban Sulejmani, 4 vjeç
61. Mirand Kuçuku, 28 vjeç
62. Kizeta Sulo, 21 vjeçe
63. Klodian Sulo, 2 vjeç
64. Fiqiri Sulaj, 30 vjeç
65. Ervin Sula, 15 vjeç
66. Latif Berberi, 53 vjeç
67. Maze Seferaj, 31 vjeç
68. Brunilda Seferaj, 25 vjeçe
69. David Seferaj, 1 muajsh
70. Vjollca Kaçupi, 22 vjeçe
71. Albana Botrova, 22 vjeçe
72. Merita Ferko, 32 vjeçe,
73. Bledar Ferko, 10 vjeç
74. Fredi Ferko, 8 vjeç
75. Viktori Kaçupaj, 25 vjeç,
76. Robert Llanaj, 30 vjeç,
77. Ilir Kicja, 34 vjeç
78. Maringlen Bardha, 16 vjeç
79. Kastriot Hasanbashaj, 27 vjeç
80. Klorida Hasanbashaj, 24 vjeçe
81. Xhuljana Hasanbashaj, 3 vjeçe
Ja 10 detaje nga kronika e tragjedisë së 28 marsit 1997
1. Data 28 mars 1997: Në Kanalin e Otrantos anija ushtarake italiane “Sibila” godet dhe shkakton mbytjen e anijes shqiptare “Kater i Radës”. 108 viktimat, përfshirë gra dhe fëmijë, udhëtonin drejt Italisë me një anije të vjetër ushtarake, të nxjerrë jashtë përdorimit.
2. Data 29 mars 1997: Admirali Alfeo Battelli që kishte koordinuar operacionet në det, një ditë më parë, jep urdhër për hapjen e një hetimi të brendshëm në Marinën Ushtarake. Nga ky hetim del se kontakti mes anijeve “Sibilla” dhe “Kater i Radës”, ka qenë një nga shkaqet e mbytjes.
3. Data 5 Prill 1997: Deputetja italiane Irene Pivetti, ish-kryetare e Dhomës së Deputetëve, deklaron se për të përballuar mbërritjen e mijëra shqiptarëve, ata duheshin hedhur në det. Për këtë deklaratë, ajo kërkoi falje pas 14 vjetësh, gjatë një misioni në Vlorë, të organizatës së saj joqeveritare.
4. Data 19 Tetor 1997: Pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxjerr nga 800 metra nën det anijen “Kateri i Radës”. Brenda gjenden 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë.
5. Data 17 nëntor 1998: Leonardo Leone de Kastris, zëvendësprokurori i ngarkuar nga Gjykata e Brindizit për hetimet paraprake, përfundon hetimet. Deklaron për manipulim të provave fotografike dhe xhirimeve e regjistrimeve të kryera nga anijet italiane.
6. Data 19 mars 2005: Përfundon në Brindisi gjyqi i shkallës së parë. Drejtuesi i anijes që u mbyt, Namik Xhaferi dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni italian, me tre vjet.
7. Data 29 qershor 2011: Pas 13 orësh debat, trupi gjykues ul dënimet për dy komandantët, me tre vjet për Namik Xhaferrin dhe me dy vjet për kapitenin Laudadio.
8. Data 29 janar 2012: Në Otranto inaugurohet monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me pjesën e sipërme të anijes fatkeqe shqiptare. Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Ushtarake Italiane.
9. Dy pjesë të anijes “Kateri i Radës”, pulti i komandës dhe busulla kthehen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, realizojnë një vepër arti në një shesh të qytetit, pranë portit.
10. Prej 3 vitesh pas inaugurimit të monumentit në përkujtim të ngjarjes dhe viktimave, nuk po flitet më për tragjedinë e Otrantos, nga asnjë prej palëve shtetërore italiane e shqiptare.
Dëshmon kreu i Shoqatës “Tragjedia e 9 janarit 2004-Karaburun”, Nikoll Mëhillaj
Vetëm 7 vjet pas tragjedisë së 28 marsit 1997 të ndodhur në Otranto, në 9 janar 2004, ndodh një tjetër tragjedi klandestinësh në Karaburun, pas mbytjes së një gomoneje, me të cilën udhëtonin drejt Italisë 31 persona, në kërkim të jetës më të mirë, të cilën në Shqipëria nuk e kishin! Në këtë tragjedi humbën jetën dhe trupat 20 persona, ndërsa mëngjesin e 10 janarit, u gjetën pa jetë 17 burra dhe 3 gra, ndërsa shpëtuan 11 të tjerë! As kjo tragjedi nuk është zbardhur, ndërkohë që familjarët e viktimave janë organizuar në shoqatën “Tragjedia e 9 janarit 2004-Karaburun”, kreu i të cilës Nikoll Mëhillaj, dëshmon dhe akuzon kështu: “Në tragjedinë e 9 janarit në Karaburun kanë qenë dy gomone në det, por shteti vetë e ka fshehur njërën prej tyre dhe në tjetrën ka grumbulluar trupat e jetë dhe të pajetë që janë gjendur në mes të natës në mes të detit”. Kjo deklaratë vjen nga kreu i shoqatës “9 janari”, Nikoll Mëhillaj, në 5-vjetorin e tragjedisë së ndodhur pranë gadishullit të Karaburunit më 9 janar të vitit 2004. Në këtë ditë, tashmë e cilësuar me të drejtë si e “zezë”, udhëtonin me gomone drejt Italisë 39 persona, por fati i keq e desh që prej tyre vetëm 11 të ktheheshin të gjallë, 21 të vdekur, ndërsa 7 deklarohen të humbur që prej asaj dite. Ndërkaq, nga instancat shtetërore të asaj kohe u deklarua se në det ka qenë vetëm një gomone, por sot pas 5 vitesh ekzistojnë dëshmi që tregojnë se në det kanë qenë 2 gomone, por për ta minimizuar sa më shumë tragjedinë, është deklaruar vetëm njëra…”.
Vitet 1992-1997/ Ja 22 raste “ëndrrash” klandestinësh, që kanë përfunduar me fatkeqësi
1. Data 22 prill 1992: Një grup prej 17 klandestinësh nga zonat e Pogradec, Librazhd, Fier, zhduken në malin e Gramozit në Ersekë, kufirin me Greqinë.
2. Data 26 prill 1992: Zhduken 7 klandestinë brenda kufirit grek në zonën e Korçës, gjendet vetëm trupi i njërit prej tyre.
3. Data 30 prill 1992: Gjenden 5 klandestinë të vdekur në Qafë-Botë të Sarandës, në një kasolle bagëtish.
4. Data 4 maj 1992: Banorët e zonës së Devollit, informojnë për zhdukjen e 6 klandestinëve në një humnerë, në tentativë për të kaluar kufirin me Greqinë.
5. Data 7 maj 1992: Gjenden të vdekur në Igumenicë 3 klandestinë shqiptarë, të vrarë me armë zjarri.
6. Data 19 maj 1992: Zhduken 13 klandestinë zhduken në det, të nisur nga Vlora, asnjë informacion për jetën e tyre.
7. Data 21 maj 1992: 8 klandestinë rezultojnë të zhdukur në det, të nisur me gomone nga Divjaka, asnjë informacion
8. Data 30 maj 1992: Zhduken pa asnjë gjurmë 5 klandestinë me gomone, të nisur nga grykë-derdhja e Semanit.
9. Data 14 tetor 1992: Ndodhi tragjedia e parë në gjirin e Vlorës, ku u mbytën 25 persona, nga fundosja e anijes në Otranto.
10. Data 19 shtator 1993: Nisen 11 persona nga gjiri i Vlorës, por në Otranto fundoset skafi, dhe kjo ishte loja e parë e nisur me gomonet mafioze.
11. Data 11 dhjetor 1993: Mbyten 5 persona në Otranto, nuk jepet asnjë informacion për fatin e tyre
12. Data 22 shtator 1994: Nga përplasja e dy skafeve në ujërat tona, humbasin jetën 14 kurdë e shqiptarë që udhëtonin si klandestinë për në Itali.
13. Data 13 shtator 1995: Humbasin 13 persona nga mbytja e një skafi në ujërat neutral, mbytet edhe skafi me 2 skafistë, të nisur nga bregu i Vlorës.
14. Data 28 nëntor 1995: Pas mbytjes së një skafi me 27 klandestinë, humbin jetën 11 persona, 16 arrijnë të shpëtojnë.
15. Data 29 nëntor 1995: Në Otranto zhduket një gomone me 18 shqiptarë e Kosovarë, nga kërkimet nuk u gjet asnjë prej tyre.
16. Data 30 nëntor 1995: Dy skafistë vlonjatë dhe 1 fëmijë, u dorëzuan të vdekur nga një anije patrulluese amerikane, e cila i gjeti në Kanalin e Otrantos, flitej për 25 të mbytur.
17. Data 14 mars 1996: Zhduket skafi me 34 vetë në bord, 31 prej tyre ishin nga Maqellara e Dibrës, nuk gjendet asnjë kufomë.
18. Data 29 tetor 1996: Mbyten 2 skafistë dhe 8 klandestinë në Sazan, gjenden vetëm 6 trupa prej tyre.
19. Data 28 mars 1997: Shënohet katastrofa më e madhe në historinë e mbytjes së shqiptarëve në Otranto, mbyten 108 klandestinë, kryesisht gra e fëmijë nga të cilët 84 nuk gjenden.
20. Data 12 prill 1997: Mbyten 4 klandestinë me një gomone, 3 nuk gjenden, shpëton vetëm 1 prej tyre.
21. Data 18 maj 1997: Trafikantët hedhin nga gomonia në Otranto 13 klandestinë, mes të cilëve 4 fëmijë, shpëtojnë vetëm 10 prej tyre.
22. Data 23 dhjetor 1997: Skafistët hedhen në Otranto 33 klandestinë, ndërhynë policia detare italiane dhe shpëton vetëm 19 prej tyre.
(Për materialin janë shfrytëzuar prublikimet e ndryshme. U kërkojmë ndjesë për ndonjë zemërlëndim pa shkak dhe fale për ndonjë pasaktësi jo të qëllimtë)