Sipas librave të shenjtë, lindja e çdo fëmije duhet të shoqërohet me dhimbje. E pra , asnjë lindje nuk është shoqëruar me kaq shumë dhimbje se sa ajo e shtetit të ri shqiptar.
Lufta ballkanike ndërmjet 4 aleatëve dhe Turqisë ishte në zhvillim të plotë, kur më 15-28 Nëntor 1912, në Vlorë një mbledje e madhe me delegatë nga e gjithë Shqipëria shpalli pavarësinë e Shqipërisë, pa u shqetësuar nga zhvillimi i luftës, por duke i kundërvënë arsyet e parimit, atyre të forcës.
Një javë më pas, kunsujt e Austro-Hungarisë dhe të Italisë në Vlorë u paraqitën pranë kryetarit të qeverisë së përkohshme për t’i njoftuar zyrtareisht nga ana e qeverive të tyre respektive se ato do të mbështësnin shtetin e ri shqiptar.
Në atë kohë Shqipëria ndodhej pjesërisht e pushtuar nga serbët e malazezët. Pas pak Janina dhe Shkodra do të binin në duart e grekëve dhe malazezëve, trupat e të cilëve do të futeshin akoma më thellë në brendësi të vendit, në mënyrë që ajo që quhej Shqipëri e pavarur të i8shte vetëm një territor i vohël, nga Vlora në Berat. Në këtë territor sundonte zia e bukës, ndërkohë që mbeturinat e ushtrisë turke që ia kishin mbathur nga Manastiri e Janina e keqësonin edhe më tepër gjendjen dhe përvbënin një rrezik për qeverinë e përkohëshme. Nga ana tjetër, Greqia kishte bllokuar brgdetin shqiptar, kishte këputur kabllin nënujor që lidhte Vlorën me Otranton, duke penguar çdo komunikim me jashtë. Pra, Shqipëria gjendej e rrethuar, e bllokuar dhe pa mjete materiale e mbështetje morale.
Ndërkohë, në Londër ishte mbledhur Konferenca e Ambasadorëve. Ndërmjet problemeve të tjera, ajo do të njihte Shqipërinë si një shtet të pavarur. Ishte një lehtësim i madh dhe një mbështetje e rëndësishme morale. Por jo e plotë. Mbetej të përcaktoheshin kufijtë e këtij shteti të porsalindur. Debatet mbi kufijtë e Shqipërisë zgjatën shumë kohë dhe përfshinë disa seanca të Konferencës. Sigurisht, fuqitë ndërluftuese nuk kërkonin gjë tjetër veçse ta ndanin midis tyre të gjithë Shqipërinë, duke e konsideruar veten si pasardhës të Turqisë në Evropë. Sipas aleatëve, Shqipëria nuk duhej të ekzistonte.
Mendimet e Fuqive të Mëdha ishin të ndryshme: Treshja kërkonte njohjen e një Shqipërie me kufij sa më të pranueshëm. Rusia dhe Franca e dëshironin këtë Shqipëri mëtë vogël, sa të ishte u mundur më të vogël, një dashtake, të lindur e të vdekur. Ndërmjet këtyre dy grupeve Anglia qëndronte në mes, duke anuar më shumë drejt së drejtës…
Fatkeqësisht, Konferenca e Londrës nuk bëri gjë tjetër veçse përcaktoi në vija të trasha kufijtë e Shqipërisë. Për ato të jugut do të dërgohej një komision ad hoc për të bërë përcaktimin në tërren mbi baza etnografike! E kemi kërkuar me shumë zell motivimin e kësaj loje, i kemi thartuar trutë, por arsyen nuk e kemi gjetur dot. Përse duhej “ komision studimi” kur Fuqitë e Mëdha i kishin të gjihta dokumentet e duhura, për këtë qëllim, të paraqitura nga konsujt e tyre, që nuk rreshtnin duke u marrë me këtë çështje qysh nga viti 1878?
Kufiri verior ishte përcaktuar më se i qartë, por edhe këtu duhej një komision për të përcaktuar vijën e saktë. Përsëri një komision!
Ndërkohë, Serbia kishte sulmuar Dibrën, kisht rrafshuar një rajon të tërë, kishte shkatërruar rreth 100 fshatra, masakruar ose djegur të gjallë me qindra njerëz të pafajshëm. Nuk duhej humbur zakoni i kanibalizmit! ( Fundi i Shtatorit 1913).
Mbëritën dhe komisionet për të dy kufijtë. Fatkeqësisht, ato punojnë ngadalë, dhe ai i veriut pothuajse nuk ka bërë , asgjë. Ai i jugut ka përshkuar trevat e Korçës dhe të Gjrikastrës dhe ka dërguar raportin e tij në Firence> U vendos që kufiri i jugut të jetë kepi Ftelia, përballë Korfuzit, dhe që Korça e Bilishti t’i rikthehen Shqipërisë.
Shumë mirë, por kjo duhej vënë në zbatim. Miqtë tanë, kaq të etur e kaq të gatshëm kur bëhej fjalë për konçensione, furnizime(1), për banka ose hua të detyruara, tregonin tani një ngathtësi të habitshme, kur ishte fjala për respaktimin e vendimeve të tyre, të marra në Konferencën e Londrës ose në atë të Firences.
Më në fund, Greqisë iu dorëzua një notë, sipas së cilës ajo duhej të largohej nga rajonet që duhej t’i riktheheshin Shqipërisë. Ajo bëri sikur u bind dhe Korça u zbras prej trupave grekë më 3 Mars 1914. Por Greqia ishte nënshtruar sa për sy e faqe. Dy fuqitë që nuk e dëshironin njohjen e Shqipërisë, shfaqën hapur simpatinë dhe mbrojtjen e tyre ndaj Greqisë. Nën nxitjen e këtyre dy mbrojtësve, Greqia vendosi t’i kundërshtojë vendimet e Konferencës së Londrës dhe të Firences. Nën emrin e epirotëve, Greqia vendosi në rajonet ku ajo sapo ishte larguar ushtarët dhe oficerët e vet. I quajturi Zografos ( sot sekretar shteti i punëve të jashtme në kabinetin Gunaris) u ngarkua që tq ekzekutonte këtë plan. Ushtarët dhe oficerët grekë, kryen poshtërsitë më të ndyra në jug të Shqipërisë. Por simpatia e Francës dhe e Rusisë ishte në krahun e tyre; shtypi i paguar nga ato, vetëm lavdëronte krimet e tyre dhe tek çdo vrasës shihte një hero të tipit Epaminondas. .
E çfarë mund të bënte Shqipëria?
Mbreti i saj (që kishte mbërritur ndërkaq) nuk kishte forca të mjaftueshme përveç një mbeturine xhandarmërije, për orgaqnizimin e të cilës ishin ngarkuar oficerë holandezë. Kjo forcë dhe oficerë hiolandez u dërguan që të luftonin kundër grekëve.
Tani, simbas Konferencës së Londrës, Shqipëria ishte njohur si shtet asnjanës nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha, domethënë Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Rusisë. Dy nga këto fuqi, Franca dhe Rusia, përkrahnin hapur intrigat e grekëve. Të tjerët qëndronin si spektatorë të heshtur.
Por, ndërmjet këtyre gjashtë fuqive, kishte dy të tyjera që paraqiteshin si mbrojtëse të Shqipërisë: ato ishin Austria dhe Italia. Po ç‘bënin ato? Këto dy “mbrojtëse” dukej hapur se nuk interesoheshin fort për fatin e Shqipërisë, ose më mirë rrihnin ujë në havan. Ato ishin tepër të zëna me intriga të vogla, me çilimillëqe, me politikë tregtare, me bankat, me konçensione, etj., etj.
Shqipëria, pra, e braktisur ne fatin e vet, e dobët dhe e pa formuar mirë, gjendej përballë armiqësive të hapura e të deklaruara jo vetëm të Greqisë, që kishte marrë flamurin dhe po e shkretonte vendin pa mëshirë, por edhe të dy shteteve të vegjël sllavë, Malit të Zi dhe Serbisë. Këtyre tri fqinjëve të tërbuar u ishte bashkuar edhe Turqia, që nuk mund të pranonte një shtet të pavarur mbas një vartësie të vjetër. Pra, grekë, serbë e turq ishin kapur dorë më dorë nën vështrimin atëror dhe tutelën e gjashtë Fuqive të Mëdha.
Nga ana tjetër, Shkodra ishte kthyer në një vatër intrigash të tjera. Dihet se malazezët hynë në Shkodër më 24 Prill 1913, por me ndërhyrjen kërcënuese të Austrisë, dhe falë qëndrimit energjik të Anglisë, malazezët u detyruan të largohen nga qyteti më 14 Maj. Shkodra dhe rethinat e saj u vunë nën autoritetin e një force të vogël ndërkombëtare, e cila qëndroi aty deri në muajin Gusht, domethënë deri në çastin e fillimit të luftës së madhe. Por, përfaqësuesit e huaj në Shkodër, nuk lanë një çast pa thurur intriga, duke e nxitur popullin kundër regjimit. Përfaqësues të krishterë dhe si të dërguar të Fuqive të Mëdha në luftën kundër Turqisë-nuk skuqeshin aspak duke bërë propagandë për një princ musliman të familjes otomane.
Më së fundi shpërtheu kryengritja, një ktyengritje e mallkuar. Një pjesë e Shqipërisë së mesme rrëmbeu armët dhe u ngrit hapur kundër qeverisjes së Princ Vidit. Mbreti i kishte të Gjitha forcat në jug, kundër grekëve, duke u përpjekur të mbronte çdo copë tokë që grekët kërkonin ta shkretonin, çdo fshat që ata donin ta digjnin.
Gjatë kësaj kohe Fuqitë vazhdonin të mos interesoheshin, ose më mirë të armiqësoheshin me Shqiperinë. Dështimi i të poshtrir Esat (nxitës i kryengritjes) e kishte bërë të pakënaqur Italinë, që ndjehej e fyer në dinjitetin e saj si mbrojtëse e Esatit. Një rivalitet i tërbuar nisi ndërmjet Italisë e Austrisë, rivalitet që ishte mjft i dëmshëm për Shqipërinë. Shqipërisë iu refuzua çdo ndihmë, iu sekuestrua paraja që ndodhej në bankat e Austrisë dhe Italisë, u kërcënua mbreti se do të lihej pa bukë qyteti i Durrësit dhe garnizoni që e mbronte, duke suprimuar të vetmin shërbim lundrues për të bërë të pamundur transportin e sendeve ushqimore.
Dhe kështu, i gjendur pa rrugëdalje, Princi Vid u detyrua të marrë udhën dhe të largohet përkohësisht nga Shqipëria.
L’Indipendance Albanaise,
Viti I, Nr. 4, 1 Prill 1915.