Ata ishin të jashtëzakonshëm. Gjenialiteti i tyre duket se nuk ua mbajti të pastër shpirtin, trupin, moralin dhe idealin. Madje në shumë momente të jetës së tyre ata nuk do të mund të ishin aq të fuqishëm, aq të famshëm. Ndoshta gjërave të vogla nuk kishte se pse t'i kushtonin përkujdes të tillë, mbi vlerat e njeriut normal. Nuk të shkon ndër mend se Ernest Heminguei do të ishte një Don Zhuan i pamëshirshëm edhe në një jetë të trazuar që ka bërë, apo se Karl Marks do të përcaktohej si një nga intelektualët më pisanjosë të asaj kohe. Për të mos harruar Lev Tolstoin i cili kërkonte të ndryshonte një botë të tërë. Duke menduar se ishte “Vëllai i madh i Zotit” ai ka shkruar për të bërë ndryshime, që në të shumtën e rasteve kanë lënë gjurmë mëkatare. Intelektualët që kanë bërë vërtet bujë me veprat dhe mendimet e tyre janë të shumtë.
Në një nga bestsellerët sipas New York Times, “Intellectuals” e Paul Johnson shkruhet për këta mendimtarë të mëdhenj se leximi i mëkateve është më interesant se vepra të tëra që kanë renditur.
Ernest Heminguei, një humbës gjigant
Ernest Heminguei, jo vetëm do të shfaqë karakteristikat kryesore të intelektualit, por i zotëron në masë të jashtëzakonshme dhe në një kombinim plotësisht amerikan.
Heminguei ishte një shkrimtar, thellësisht origjinal që diti të transformojë vetë mënyrën e të shprehurit të bashkëkombësve të tij dhe të gjithë botës anglofone.
Ai shkriu bashkë karaktere të ndryshme amerikane, duke i personifikuar si arketip i tyre dhe për këtë u konsiderua simbol i Amerikës së kohës së tij, pak a shumë si Volteri për Francën e viteve 1750, dhe Bajroni për Anglinë e viteve 1820.
Ernest Heminguei lindi në vitin 1899 në Ouk Park, lagje e pastër e Çikagos nga prindërit Grejsi dhe Edmundsi, intelektualë të cilët ishin plotësisht të integruar në shoqërinë ku jetonin. Të dy ishin shumë besimtarë të cilët respektonin biblën dhe shkonin çdo të dielë në kishë. Kodi moral respektohej me rreptësi të madhe dhe çdo shkelje dënohej me ashpërsi. Nëna i rrihte fëmijët me një furçë flokësh ndërsa babai me lëkurën që mrehte briskun. Kush zbulohej se kishte gënjyer apo mallkuar duhej ta lante gojën me sapun dhe pas kësaj të gjunjëzohej dhe t’i kërkonte falje Zotit. Nëna e Hemingueit kërkonte nga djali i saj të ishte një model tipik i protestianizmit, të mos pinte duhan dhe alkool, të arrinte i virgjër në martesë, të nderonte dhe t’i bindej babait dhe nënës, sidomos nënës.
Por Heminguei nuk e pranoi fenë e prindërve duke mos u bërë djali që ata donin. Ai ishte i bindur se kishte trashëguar një botë false të simbolizuar nga kultura fetare dhe morale e prindërve të tij dhe se ajo duhej zëvendësuar me një botë që i përshtatej së vërtetës.
Shpërthimi ndodhi në 1926 kur u botuan dy nga veprat e tij më të fuqishme “Fiesta” dhe “Lamtumirë armë”. U shitën qindra e mijëra kopje, u lexuan dhe rilexuan, u asimiluan dhe u përpinë, shkaktuan zilinë dhe u gërrmuan nga shkrimtarët e çdo lloj besimi.
Imazhi i Hemingueit si njeri i veprimit u rrit pra me të njëjtën shpejtësi si fama e tij. Njëlloj si intelektualë të tjerë, duke filluar nga Rusoi, Heminguei zotëronte gjeninë e vetëreklamimit.
Kishte pamjen e njeriut të fortë dhe burrëror, i cili shquhej për xhaketat sahariane, rripin te supi, pushkët, kapelen me strehë, një erë pluhuri duhani dhe uiski. Kushte maninë të dukej më i vjetër: që në moshën 20 vjeçare, për miqtë ishte “Baba Heminguei”.
Shkrimtarit të madh hera herës i pëlqente të gënjente. Ai madje krenohej se të gënjyerit ishte pjesë e stërvitjes së tij si shkrimtar. Shumë nga gënjeshtrat e tij kishin të bënin me pjesëmarrjen e tij në luftën e Parë Botërore.
Në disa raste, edhe në intervista të dhëna për shtypin, deklaroi se kishte marrë pjesë në tre beteja me repartin 69 të këmbësorisë italiane. Tha gjithashtu se ishte i pari që kishte hyrë në Parisin e çliruar në 1944.
Edhe seksi nxirrte në pah anën e tij gënjeshtare: një nga historitë e tij më të preferuara për Italinë kishte të bënte me një siçiliane, pronare e një hoteli, e cila e kishte sekuestruar, duke i fshehur rrobat për ta detyruar të bënte dashuri me të për një javë të tërë.
Gënjeu përsa i përket të gjitha martesave të veta, ndarjeve dhe lidhjeve.
Për t’u theksuar është dhe fakti se shkrimtarit gjigant i pëlqenin edhe grindjet. Xhelozia dhe zilia e Hemingueit për talentin dhe suksesin e të tjerëve ishin të pamata.
Në vitin 1937 ishte zënë me të gjithë shkrimtarët që njihte me një përjashtim të vetëm, që sigurisht e nderon: Ezra Paund, shkrimtari i vetëm që nuk sulmon në autobiografinë e tij.
Heminguei ia doli të mos zihej edhe me Xhojsin, ndoshta sepse i mungoi rasti ose ndoshta sepse nuk rreshti kurrë se provuari respekt për veprën e tij.
Një herë e përkufizoi si “I vetmi shkrimtar i gjallë të cilin e kam respektuar”. Hamendësi të pafundme janë bërë mbi një damar të tij hipotetik femëror, bile homoseksual ose transeksual, të bazuar në fiksimin e tij të shprehur për flokët e sidomos për ato të shkurtër te gratë, që i atribuohet faktit se nëna e tij për një kohë të gjatë nuk pranoi ta vishte si djalë dhe t’i priste flokët. Ajo që është e sigurt sidoqoftë është se Heminguei e kishte të vështirë të ndërtonte me një grua një marrëdhënie të saktë dhe civile që të mos bazohej në nënshtrimin e plotë të saj.
Ashtu siç rezultojnë të dështuara edhe katër martesat e tij. Gratë e tij e vuajtën raportin jo të drejtë që ai krijonte me to, megjithëse arrinte të kishte sukses me çdo grua që shihte. Arrinte t’i kishte të gjitha, edhe për pak kohë.
I vetmi personazh femëror për të cilin provonte dashuri, ishte motra e tij e vogël Ursula, “motra ime e adhuruar Ura”, siç e quante, pasi Ursula e adhuronte dhe ishte skllavja e tij. Në të vërtetë, tre nga gratë e tij qenë jashtëzakonisht të nënshtruara në krahasim me mesataren e grave amerikane të asaj epoke, por me sa duket për të nënshtrimi nuk ishte i mjaftueshëm.
Donte dhe llojshmërinë, lëvizjen si dhe tensionin dramatik. Pavarësisht nga fiziku i forte, alkoolizmi i vuri minat shëndetit të tij duke filluar me mëlçinë andej nga vitet ‘30.
Në dy korrik 1961, pasi kishte tentuar shumë herë të kuronte gjendjet e tij depresive dhe paranojake nxorri çiften angleze më të mirë, e mbushi dhe ia hoqi vetes. Përse e kërkoi vdekjen Heminguei? Ndoshta sepse kishte krijuar një kod të vetin moral të bazuar mbi nderin, të vërtetën, besnikërinë por nuk iu përmbajt atij dhe kështu e ndjeu veten të dështuar. Heminguei ishte një njeri i vrarë nga arti i vetë dhe jeta e tij të jep një mësim që të gjithë intelektualët do duhej ta përvetësonin, se arti i vetëm nuk është i mjaftueshëm.
Lev Nikollaeviç Tolstoi, një përçmues i gruas
Nga të gjithë intelektualët Lev Tolstoi ishte ai që synoi për më lartë deri në atë pikë sa të ngjallë drojtje, bile edhe frikë. Arriti deri aty sa të mendojë se mund të arrinte transformimin moral të shoqërisë falë burimeve të zgjuarsisë së vetë dhe forcës shpirtërore që kishte brenda vetes.
E konsideronte veten hallkë të një zinxhiri të gjatë intelektualësh dhe profetësh që përfshinin “Moisiun, Isain, Konfucin, grekët antikë, si Budën, Sokratin e më pas Paskalin apo Spinozën. Ai ndjente në shpirtin e tij një “madhështi të pamasë” dhe çuditej që të tjerët nuk i pranonin dhuntitë e tij:
“Përse askush nuk më do? Nuk jam budalla, nuk jam përbindësh, shpirtkeq apo injorant, është e pakuptueshme”, shkruhet në një nga ditaret e tij.
Megjithatë impulsin për të shkruar e kishte me hope dhe kjo qe dhe tragjedia e Tolstoit. Shpesh shkruante: “Po bëj një punë që për mua është aq e natyrshme si ajri që thith dhe që më lejon të shoh nga lart me krenari fajtore atë që bëni ju”.
Po ashtu mund të thuhet se jo gjithmonë të shkruarit për të ishte aq i lehtë. Një pjesë e madhe e “Lufta dhe Paqja” u rishkrua të paktën shtatë herë. Akoma të shumta qenë redaktimet dhe rishikimet e “Ana Kareninës”, që pësoi modifikime me rëndësi thelbësore. Një nga mëkatet më të mëdha për të cilën e kishte ndjerë veten shpesh në faj janë borxhet e mëdha në të cilat ndodhte të zhytej, jo rrallë. Thuhet se filloi të luajë shumë në Moskë dhe në Petërburg në vitin 1849. Në 1 maj i shkruan vëllait Sergeit:
“Erdha në Petërburg pa asnjë arsye, nuk bëra asgjë që t’ia vlejë, veçse humba një shumë të çmendur parash dhe hyra në borxhe”. Ai i jep vëllait porosi që të shesë menjëherë një pjesë të çifligut. “Kam nevojë absolute për 3500 rubla. Bëhen marrëzi vetëm një herë në jetë. Liria dhe filozofia ime kushtojnë shtrenjtë, dhe ja tek jam duke i paguar”. Vazhdoi të luajë bixhoz dhe për dhjetë vite të tjera, me rezultate shkatërrimtare, duke shitur ndërkohë një pjesë të madhe të pronave e duke u futur në borxhe me miqtë dhe të afërmit e tij, shumë prej të cilëve nuk ia ktheu. Tolstoi e dinte se vepronte keq duke frekuentuar prostitutat dhe duke joshur fshataret e reja dhe e akuzonte veten për këto mëkate.
Por më shumë akuzonte gratë. Para syve të tij, ato të gjitha ishin tunduese, si Eva. Ndoshta nuk është shumë e guximshme të mendohet se për shkak të faktit që pati nevojë fizikisht për to, gjatë gjithë jetës dhe se përfitoi nga kjo nevojë, Tolstoi provonte kundrejt tyre mosbesim, antipati, deri në urrejtje. Ndërsa Tolstoi shkrimtar kërkon të depërtojë në psikologjinë e Ana Kareninës nuk na rezulton që si burrë të jetë përpjekur ndonjëherë të kuptojë psiqikën femërore. Kur ishte 70 vjeç, shkruante:
“Gruaja….Në përgjithësi ajo është budallaqe, por kur punon për djallin, ai i huan zgjuarsinë e tij. Shiko, ka bërë mrekullira që kërkojnë zgjuarsi, mprehtësi, durim për të bërë pisllëqe”. Problemi është se Tolstoi, edhe pse ishte një përkrahës i bindur i familjes, nuk besonte te martesa ose të paktën te martesa kristiane, si bashkim i dy të rriturve me detyra dhe përgjegjësi të barabarta. Martesa e tij pati probleme gjatë gjithë jetës së tij dhe pse pranë tij ishte Sonja, gruaja më e nënshtruar që ai njohu ndonjëherë.
Sonja, kishte bërë ç’ishte e mundur për ta mbajtur martesën në këmbë, duke marrë përsipër, shpesh herë në mënyrë pedante, drejtimin e punëve të të shoqit, duke i kryer shërbime të domosdoshme dhe duke u bërë skllavja e tij rebele. Mori përsipër detyrën e frikshme të transkriptimit të romaneve të të shoqit, duke dëshifruar kaligrafinë e tij të tmerrshme. Natyrisht ishte shoqja ajo që pësoi të gjitha goditjet e kataklizmave shpirtërore të Tolstoit.
Pasi e kishte detyruar që për një çerekshekulli t’i bindej kërkesave të tij seksuale, papritur ai i propozoi që njëlloj si ai, të hiqte dorë nga marrëdhëniet seksuale dhe të jetonin “si vëlla e motër”. Për Sonjën kjo ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës së saj bashkëshortore ku në qendrimin e çuditshëm të tij shihte dhe sjellje të mëdha xhelozie. Tolstoi ishte xheloz, dhe këtyre viteve, 1898, i përket edhe “Sonata e Krojcerit”, ngjarja e trazuar e një burri tejet xheloz kundrejt marrëdhënies që ka gruaja e tij me një violinist dhe arrin deri aty sa ta vrasë atë. Fakti më i mundimshëm i muajve të fundit të jetës së tij, sidomos për atë që admiron veprat e shkrimtarit të madh, është se ato dallohen jo më nga një konflikt fisnik, por nga xhelozia, inatet, hakmarrjet, dredhitë, tradhtitë, qejfmbetjet, krizat e nervave dhe të meskinitetit. Në përpjekje për të zbatuar transformimin shpirtëror radikal që ai e quante të detyrueshëm, Tolstoi arriti deri aty sa të shkatërrojë familjen e tij dhe vetveten. Ndërkohë Tolstoi ishte i sëmurë me bronkopolmonit dhe në 1 nëntor e kishte ndërprerë udhëtimin, duke u strehuar në stacionin e vogël të Astapovës. Aty kalon dhe ditët e fundit të jetës së tij.
Karl Marks, intelektuali patetik
Marksi lindi në Treviri (në atë kohë ndodhej në dominimin e Prusisë) më 5 maj 1818, i vetmi fëmijë mashkull i nëntë vëllezërve që arriti moshën e pjekurisë së plotë. Thuhet se Marksi, i kremzuar në moshën 15 vjeçare, ka qenë për një farë kohe një kristian i thekur. Studion në universitetin e Berlinit i cili në atë kohë ishte më i miri në botë. Zhvilloi disa tipare karakteristike atë të studiuesit talmudist, prirjen për të grumbulluar një sasi të madhe materiali e për ta projektuar në enciklopedi. Me pak fjalë, Marksi bëri jetën e studiuesit. Një herë u ankua: “Jam një makinë e dënuar për të përpirë libra”.
Nuk i interesonte ta gjente të vërtetën, përkundrazi i pëlqente ta shpallte atë. Tek ai bashkëjeton poeti, gazetari, moralisti dhe secili nga këto personalitete ishin njëlloj të rëndësishëm. Edhe pse gjithë jetën e tij ia përkushtoi shkrimeve mbi Kapitalin, në leximet që i bëhet veprës së tij shihet paaftësia themelore markiste për të kuptuar kapitalizmin, një paaftësi që i detyrohej pikërisht faktit se mendja e tij nuk ishte shkencore.
Ai nuk e hetonte drejtpërdrejt realitetin, as përdorte në mënyrë objektive studimet faktike të kryera nga të tjerët. Marksi bën jetën e një intelektuali bohem. Lahet rrallë, për veshjet nuk ka kujdes dhe të brendshmet nuk i ndërron, shpesh është i dehur. Ndonjëherë nuk bën gjë për ditë të tëra, por nëse ka shumë punë i kushtohet ditën dhe natën me këmbëngulje. Miku i tij më i ngushtë ishte Karl Haincen, i cili u hakmorr duke i bërë një përshkrim monumental shkurtabiqit të tërbuar. Sipas tij Marksi ishte “pisanjos i padurueshëm”, një kryqëzim midis “maçokut dhe majmunit” me flokë të zinj të çrregullt dhe lëkurë në të verdhë. Kishte sy të vegjël, të egër, dhe të këqinj që lëshonin vetëtima keqadashëse. E kishte zakon të thoshte: “do të zhduk”. Problemet me paratë i filluan kur Marksi ishte në universitet dhe e shoqëruan për gjithë jetën, rridhnin nga një qëndrim thelbësisht fëminor.
Marksi kërkonte huara pa u menduar, shpenzonte gjithçka dhe pastaj çuditej e nxehej kur i mbaronte afati dhe i duheshin paguar interesat. Interesin, thelbësor në çdo sistem të bazuar mbi kapitalin, ai e konsideronte si krim kundër njerëzimit, si bazë të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, gjë të cilën i tërë sistemi i tij synonte ta zhdukte. Kjo, në terma të përgjithshme, por në rastin e tij ai reagonte ndaj vështirësive duke shfrytëzuar cilindo që i gjendej pranë, në radhë të parë vetë familjen e tij. Viktimat e para të mendjelehtësisë dhe të qëndrimit joserioz të Marksit ndaj punës qenë familjarët, sidomos e shoqja. Xheni Marks është një nga figurat më tragjike dhe patetike të historisë së socializmit. Kishte ngjyrë të bardhë si skocezët,
lëkurë të zbehtë, sy jeshil dhe flokë ngjyrë bakri. Ishte vërtet e bukur dhe Marksi e dashuronte: poezitë e tij e provojnë këtë. Si mundej një njeri aq egoist të frymëzonte një dashuri kaq të madhe?
Mund të thuhet se Marksi ishte i fortë dhe me personalitet të fuqishëm, në rini ishte i pashëm, megjithëse pak i pastër dhe shumë zbavitës. Ai kishte më shumë nevojë për të shoqen se sa ishte i gatshëm ta provonte. Pas vdekjes së saj, në vitin 1881, ai nuk qe më i pari. Nuk punonte më, bënte kura termale nëpër Europë, ose udhëtonte drejt Algjerit dhe Zvicrës, në kërkim të diellit ose ajrit të pastër. Vdiq në vitin 1929, kur vizioni marksian i një diktature të proletariatit kishte marrë formë konkrete dhe të tmerrshme dhe Stalini, njeriu që kishte fituar pushtetin absolut aq të dëshiruar nga Marksi, po niste sulmin katastrofik kundër fshatarëve rusë. SHQIP