Plot 353,000 kartëmonedha të prerjes 50-euroshe të falsifikuara janë tërhequr nga qarkullimi në gjysmën e dytë të 2016. Rreth 80% e gjahut të falsifikatorëve janë emetimet 20 dhe 50 eurosh. Rreth 93.6% e kartëmonedhave të falsifikuara janë gjetur në vendet e eurozonës. Rreth 5.4% u gjetën në shtetet anëtare të BE-së, jashtë zonës euro dhe 1% u gjetën në pjesë të tjera të botës. Kjo është situata e cila ka shtyrë Bankën Qendrore Europiane të nxjerr nga funksioni prerjen 50 euro duke e zëvendësuar atë me element shtesë të sigurisë. Ndoshta jo dhe aq për t'i prerë rrugën falsifikatorëve se sa për t'ua vështirësuar mjeshtreve të përfitimit nga prodhimi i kartmonedhave false. Deri tani institucionet bankare të eurosistemit kanë bërë të ditur se 4 prill 2017 do të jetë ditëlindja e prerjes së re 50 euro. Futja e kësaj kartëmonedhe shënon hapin e fundit në përmirësimin e parasë së sigurt. Emetimi 50 euro vjen pas zëvendësimit të prerjes 5-10 dhe 20 euro, të cilat Banka Qendrore Europiane i ndryshoi në periudha të kohëpaskohshme.
Kartmonedha 50 euro nuk do të qarkullojë më me prerjen e saj aktuale. Banka Qendrore Europiane bën me dije se më datë 4 prill 2017 do të dalin në qarkullim kartëmonedhat e reja të kësaj prerjeje. Kartëmonedha e re është e katërta nga seria Europa. Para saj ishin ato të 5, 10 dhe 20 eurove, të cilat tashmë janë në qarkullim. Pra, thënë ndryshe, kartëmonedhat e sipërpërmendura kanë ndryshuar disa nga karakteristikat e tyre në prerje ngjyrë dhe detaje të tjera. Seria e re ka veçori të sigurisë së lartë, ndërsa ka një portret të Europës – figurës nga mitologjia greke – që është edhe si hologram kur e shikoni në dritë. Kartëmonedha e 50 eurove është më e shpeshta dhe paraqet 45 për qind të parave në qarkullim.
Yves Mersch, anëtar i Bordit Ekzekutiv ECB, shtoi se ky hap i diktuar nga situata është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur euron si një monedhë të qëndrueshme, dhe 338 milionë njerëz në të gjithë zonën e euros që e përdorin atë të mos ndjehen të kërcënuar nga falsifikatorët.