Shekspiri mbamendet të jetë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes evropiane dhe një nga viganët mendimtarë më të fuqishëm që lindi kjo epokë. Shekspiri ka rrëmbyer skeptrin e sundimtarit në botën e dramaturgjisë dhe letërsisë të të gjithë kohëve. Krijimtaria e Shekspirit karakterizohet nga madhështia e dimensioneve të saj, me gamën e mendimeve dhe gjerësinë e pazakonshme të mesazheve. Dramat e tij dallohen për shumëllojshmërinë e tipave, situatave, personazheve, epokave, popujve, mjediseve shoqërore dhe skutave më të thella të personalitetit dhe karakterit të njeriut të sekushëm në këtë botëjetim. Kjo begati e imagjinatës, tempi i shpejtë i veprimit, forca e pasioneve të paraqitura dhe tensioni i personazheve të caktuara, janë tipike për epokën e Rilindjes.
Uilliam Shekspir e ngriti artin poetik në majat më të larta. Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë përsipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njejtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngritet identiteti i Evropës historike.
Dishepuj dhe shëmbulltarë të Shekspirit behin të shumë në dalldinë e solemnitetit, ku u përkund kjo përvojë befasuese. Krijues të vendeve të tjera, të cilët kungojnë këtë shpirt në shtatin e dramaturgjisë së vendeve të tyre, do të vënë si gurëthemelet e dramaturgjive të veta kombëtare, siç bënë Lesingu, Gëte, Shileri, Hygoi, Pushkini etj.
Pena e këtij talenti të etertë është po kaq shkëlqimuese edhe në rezatimin e dashurisë, pavarësisht se shpesh ajo rreket të ngjizet përmes situatash thellësisht tragjike.
– Kur zien gjaku, zemra e ushqen dorëlëshuar gjuhën me përbetime
– Çdo pengesë për dashurinë vetëm e forcon atë
– Dashuria e vërtetë nuk mund të flasë, sepse ndjenja e vërtetë shprehet më shpejt me vepra se sa me fjalë.
– Dashuria sheh jo me sy, por me zemër, prandaj edhe Kupidin e paraqesin të verbër dhe me krahë.
– Dashuria u jep fisnikëri edhe atyre, të cilëve ua ka mohuar natyra.
– Edhe një krim i përgjakshëm nuk e zbulon veten aq shpejt sa dashuria që kërkon të mbahet e fshehtë.
– I kam rrëzuar muret me krahët e dashurisë, sepse pengesat prej guri nuk mund ta ndalin vrullin e dashurisë.
– Mund të bësh shumë gjëra me urrejtjen, por shumë më tepër arrin të bësh me dashurinë.
– O dashuri fuqiplotë, që nganjëherë kafshën e bën njeri dhe njeriun kafshë.
– Qesh me dashurinë ai që nuk ka qenë burgosur kurrë prej saj
– Të gjithë të dashuruarit betohen se do të bëjnë shumë më tepër se sa kanë mundësi dhe nuk kryejnë as atë që është e mundur.