Faik Konica u lind më 15 mars të vitit 1875 në Konicë dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dera e Zenelbejllinjëve të Konicës, kurse e ëma vinte nga dera e bejlerëve të Delvinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër në Kolegjin Saverian, Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën e Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe ShBA.
“Ca këshilla mbi artin e të shkruarit”
Shkrimi është botuar më 1897
Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit. Kohë e lumtur, kohë e bukur, kohë plot me shpresë! Qofshin të paharruara për jetë në kujtim të kombit, emrat e S. H. Frashërit dhe N. H. Frashërit, e Kristoforidhit, Pashko Vasë Pashës, e Mitkos e Radës, e Nacos edhe të gjithë atyre që pak a shumë hapnë udhrat për përparimin e gjuhës shqip. Me të katër anët, një zjarr I bukur zien në zemër të djalërisë, dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes.
Mjerisht, në përpiqen me gjithë shpirt, më të shumtët përpiqen pa rregull, punojnë pa udhë dhe pa fitim për gjuhën. S’është mjaft të marrë pendën njeriu dhe të nxinjë kartën, duhet të mësonjë, të shkruanjë me mjeshtri se s’arrin të hedhësh gurë më gurë për të ngritur një shtëpi, është nevojë t’i vesh gurët radhë më radhë që të lidhen dhe të qëndrojnë shëndoshë e bukur.
Kam, pra, detyrë t’u jap të rinjve shqiptarë, mëmgjuhëliërimtarë ca këshilla mbi artin (a mjeshtrinë e të shkrimit).
I. (Çdo të thotë)
Kur qëlloni të shkruani gjësendi, qoftë një biblh (libër) e madhe a një artikull pesë-gjashtërradhësh, e para nevojë është të dini mirë ç’doni të dëfteni. Se shumë herë këndojmë të shkruara, të cilat s’kanë as mendim, as qëllim dhe si, mbarohen, një pyetje na vjen në buzë: “Mirë, po ç’dolli nga kjo?” Para që të zini të shkruani, pra, thuani vetes sua:j “Dale të mendohem mirë ç’dua për të shkruar….”
II. (Stili)
Si të vendosni shëndoshë në mend, ç’keni për të thënë, kërkoni mënyrën qysh do ta thoni. Duhen në krye ca fjalë, hyrje të shkurtëra dhe për të pëlqyer, që të kuptonjë atë hop këndonjëtori “ku fle lepuri” si thonë toskët, dhe që të ëmbëltohet e t’i ketë ënda të këndojë më poshtë. Se po të jetë hyrja si një gërmadhë, shpejt- shpejt këndonjëtori ktheh fletën.
III. (Organizim)
Pas hyrjes, zini të shfaqni mendimin tuaj, nuk përnjëherë, po dalngadalë, thela- thela, që të gëlltitet më lehtë, që të kuptohet më thellë. Togjtë fjalësh (a frazat) të mos jenë kurrë të veçantë, të jenë të lidhur njëri me tjetrin; një togfjalësh duhet të pjellë një tjatër më poshtë që të hipë këndonjëtori si në një shkallë dhe kur t’i afronjë majës të jetë gati për të kuptuar praponë (konklurimi). Se po të hidhni pa vijë një copë mendim këtu, një copë mendim atje, do të bëhet çorbë, ku këndonjëtori s’ka për të kuptuar tjatër gjë, përveçse shkronjëtori nuk di t’i japë kuptim.
IV. (Fundi)
Prapoja, duhet, me një mënyrë të ngjeshur e të fortë, të përsëritnjë në fare pak fjalë gjithë mendimet e mësipërme edhe të nxjerrë një fund, i cili është qëllimi i shkronjës.
V.
Mbani mend edhe ca të tjera të nevojshme. Kur e thatë një gjë njëherë të jetë e mbaruar, mos ma përsëritni më tutje me të tjera fjalë. Gjuha të jetë e qëruar, pa ato fjalë që na i kanë mbjellë magjitë e të huajve; të merret dhe vesh lehtë; prandaj hiqni dorë nga togjtë letrash të gjata, të cilët duhet mjeshtri e madhe për t’i përdorur. Mësoni dhe mirë rregullat e gjuhës shqip: mos thoni për tregim: “Fshati që u linda”, kjo mënyrë përdorje e fjalës që është turqisht dhe mjaft për të qeshur, në shqipe duhet thënë: “Fshati ku u linda” a “Fshati në të cilin u linda”. (E mira e të mirave është të lëshohet mënjanë fjala që, përdorja e së cilës për shumë shqiptarë është mjaft e rëndë).
Fund, kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok letrash si një copë muzike.
Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë)