Mikelanxhelo Buonaroti (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Protagonist i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Qe në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.
Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art "alla sua maniera" (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm.
**** Mikelanxheloja i tregoi një piktori një tablo që e kishte bërë duke marrë fragmente nga veprat e të tjerëve dhe i tha:
– Vështroni mirë e me gjykim të ftohtë. Po të marrë secili pjesën e tij, nuk do të mbetet veçse pëlhura.
**** Mikelanxhelo kishte përfunduar Davidin e tij madhështor, të cilin po e çonte në qendër të qytetit dhe po udhëzonte njerëzit për ta vendosur në vendin e caktuar. Aty pranë kaloi Pier Soderini, i cili ishte shumë i dëgjuar i asaj kohe në fushën e artit. Ai u ndal për ta vështruar veprën madhore të Mikelanxhelos. Pasi e pa skulpturën lart në podium, i vajti pranë autorit dhe i tha:
-Hunda e shtatores duket tepër e madhe në raport me komponentët e tjerë anatomik të imazhit të jetësuar të Davidit, nënshtruesit Golias së frikshëm. Atëherë Mikelanxhelo pa e prishur terezinë dhe duke shfaqur një lloj bindjeje për "vërejtjen" e bërë nga kolegu, rrëmbeu fshehurazi një grusht pluhur mermeri te këmbët e statujës dhe menjëherë mori daltën dhe bëri sikur po e gdhendte me kujdes duke derdhur nga pluhuri i marrë. Pastaj i hodhi sytë poshtë nga Soderini dhe i tha:
– Vështrojeni mirë tani, duket më mirë apo jo?
– Po, tha preraz ai. Më pëlqen më shumë kështu, – i tha Soderini – i dhe me të vërtetë jetë, plotësoi ai.
**** Një ditë Mikelanxhoja shkoi te Papa JuIi II. Roja e ndaloi duke i thënë se Papa nuk mund ta priste. Mikelanxhelo u fye rëndë dhe me përbuzje iu përgjigj:
– I thoni Papës se do të vijë një ditë që ai do të kërkojë të më takojë, por nuk do të mundet. Dhe menjëherë u largua nga Roma.
**** Një herë, kur skulptori i dëgjuar bëri statujën e Kupidit, vendosi t'i heqë asaj një krah dhe ta fusë veprën e tij në dhe, në një vend ku bëheshin gërmime arkeologjike. Kur u gjend shtatorja shumë e bukur e Kupidit, të gjithë qenë të bindur se ishte fjala për një vepër të lashtësisë. Atëherë Mikelanxhelo duke qeshur, nxori krahun e këputur dhe zbuloi lojën e tij.
**** Kur Mikelanxheloja pa djalin e bukur të një piktori, i tha:
– Babai yt ka arritur të bëjë më mirë figura të gjalla se sa të pikturuara.
**** Mikelanxhelo e admironte shumë artin e lashtësisë. Në vitet e fundit të jetës, kur u verbua, shkonte te këmbët e skulpturave të lashtësisë, i prekte me duar, i përkëdhelte konturet dhe derdhte lot nga mallëngjimi.
**** Mikelanxhelo kishte bërë një tablo të bukur për Andrea Donin, njeri shumë dorështrënguar. Kur ia dërgoi tablonë e shoqëroi me një letër, me anën e së cilës i kërkonte 70 dukatë për veprën. Doni dërgoi vetëm 40 dukatë. Mikelanxhelo ia ktheu paratë, duke i thënë se tashmë donte 100 dukatë.
Donfi, duke psherëtirë, i nxorri me pikëllim 70 dukatë dhe ia dërgoi. Mirëpo Mikelanxhelo iu përgjigj se tashti kërkonte 140 dukatë dhe asnjë më pak. Andrea Donfi që ishte dashuruar shumë pas tablosë u detyrua nga frika t'i dërgojë të 140 dukatët, sepse kishte frikë se mos artisti e ngrinte përsëri çmimin e veprës së tij.
**** Kur Mikelanxhelo bëri statujën e famshme të Moisiut, pasi e mbaroi e soditi gjatë dhe u kënaq aq shumë me veprën e tij sa thirri:
– Po fol de, pse nuk flet.