Këmbet të lagen nga këto valë malli, dhe deti prehet nën petalen e kësaj melankolie. Numëron gjurmët e pritjes në këtë ikje vetmie. Hapat t'i skalit frymëmarrja dhe t'i vjedhin valet. Ikën brigjeve kur pritja shuan gjurmët e përflak mallin. Ikën ngarkuar me pafundësi dhe përshpëritje valësh dhe shndërrohesh në valë trishtimi që na përqafon me mallin e valëve.
Valët vijnë dhe ikin. Pas përherë nderet në vështrimin e përhumbur pamja e një malli që përflak buzët nga kujtimi i puthjes, që porsi valët, vijnë dhe ikin, për të lënë trishtim që e ngjyn perëndimi me dritën që rrëzohet, buzët që i kris pritja dhe zemra që thyhen si valët.
Trishtimi që na përqafon me mall është ngasja e shkumëzuar që vjen e përplaset përgjatë bregut duke shuar kujtime dhe hapa që lamë në kundrinë tonë melankolike. Ky prag ka shëmbëllimin e të gjithë perëndimeve. Të gjithë ndarjet shihen në pasqyrimin e trishtë, penelatat e shkujdesuara që dergjen ashpër mbi syprinën e një malli që dot se gërmëzuan fjalët. Ti je tej, atje ku pamja terron e shikimi shëmbet në pamundësinë e rrokjes së horizontit, hapsinës që i mbledh krahët si një zog që ulet për të prekur tokën.
…Rend në kurmin e këtij epshi dhe ndjeje deri në harrim thellësinë e pafundësisë…
…dhe ledhatoje me jehonat e zërave që pëshpërijnë me valët, dorën e avullt të qiellit, prekjen që kridhet mbi ëndjen tënde si një aromë afshesh që të dehin…
..të gjithë prehrat e brigjeve të përkundin me ëndjen e ninullave të valëve dhe ëndrra të thërreth në yjësinë e një dimensioni që shuhet në zërin tënd…