Ata që më quajnë “guruja i seksit” janë komplet budallenj; nuk kuptojnë një gjë të thjeshtë, që e përsëris: Jam njeriu më anti-seks në botë. Nëse më dëgjojnë siç duhet nuk do të ketë pornografi, homoseksualë, lezbike – perversitete të çdo lloji. Dhe ju më quani “guru i seksit”! Mos harroni: seksi nuk gjendet në gjenitale, por në kokat tuaja. Ka një qendër aty që kontrollon veglat tuaja; prandaj, kur seksi përmbahet, nuk është punë gjenitalesh. Ka sekte Kristiane që janë vetëtredhur për të ruajtur beqarinë absolute. Por kjo nuk i çliron prej seksit, pasi qendra e vërtetë është në kokë, nga ku seksi është vetëm një zgjatim. Prandaj, kur fantazoni për seksin gjenitalet tuaja preken menjëherë: janë zgjatime të mendjes suaj. Dhe kur mendja përmbytet nga seksualiteti, shfaqet ajo që religjionet tuaja janë përgjegjëse: pornografia.
Gjithë përpjekja ime është t’ju them se kënaqësitë e jetës duhen provuar nga njeriu. Sipas llogarive të mia, jeta përshkon një minicikël të plotë pas shtatë vjetësh dhe një ndryshim. Shtatë vitet e para janë i përkasin fëmijërisë, pafajësisë, lojës, është e artë ajo jetë. Kujtimet e atyre ditëve i përndjekin njerëzit deri në vdekje, pasi asnjëherë gjatë jetës së tyre nuk mund të bëjnë diçka më të mirë. Shtatë vitet e tjera janë pjekja e energjive seksuale. 14 vjeç njeriu është seksualisht i pjekur, i aftë të prodhojë biologjikisht fëmijë.
Nëse nevojat seksuale të dikujt nuk plotësohen ai fillon të hajë shumë. Është fakt i njohur tani se pas martese femrat fillojnë të shëndoshen, por jo para martese. E çuditshme; pasi martohen nuk kanë më probleme: kanë gjetur shërbëtor jetëgjatë. Mund të hanë, çlodhen e të shëndoshen. Dhe, sa më shumë shëndoshen, aq më shumë burrat e tyre shohin gra të tjera. Sa më shumë shohin burrat gra të tjera, edhe më shumë hanë ato, pasi e ngrëna zëvendëson seksin: jeta fillon me seksin e vazhdon me ushqimin, pra seksi e ushqimi mbajnë jetën gjallë. Pse nuk ju tërheq një femër apo mashkull i shëndoshë? Arsyeja kryesore është se ai ka zëvendësuar seksin me ushqimin. Femra e shëndoshë tregon qartë se ajo ka hequr dorë nga seksi.
Shtypja e përmbajtja nuk sjell kurrë liri, të bën skllav. Përmbaj diçka e do të bëhet padroni yt. Të ashtuquajturit murgj në manastire – BRAHMACHARIS – janë vazhdimisht të fiksuar me seksin. Gjithë mania e tyre është seksi, mendja e tyre është plotësisht seksuale, nuk ka si të jetë ndryshe. I vetmi sukses, kur çmendesh fare e je kundër trupit tënd, e shkatërron, është se bëhesh eunuk.
Epshi është forma më e ulët e energjisë seksuale; dëshira më e larta. Derisa epshi juaj të bëhet dashuri do të vazhdoni të jeni larg qëllimit. Epshi është e njëjta energji si dashuria; ndryshimi është vetëm në drejtimin; epshi lëviz përposhtë, dashuria sipër; epshi është si rrënjët e pemës, dashuria si krahët e zogjve, por energjia është e njëjtë, neutrale. Derisa ju të bëheni të ndërgjegjshëm për këtë fakt nuk do të jeni krijues. Në zbritje është shkatërruese, thjesht po argëtoni veten, nuk po intergroheni – ajo që Gurdjief quan kristalizim.
Kur epshi shndërrohet e hyni në qytetin e dashurisë, jeni të pavarur. Ta dini, ky është përkufizimi i dashurisë. Nëse dashuria ka varësi përbrenda, është epsh. Në epsh nuk po mendoni vërtet për tjetrin, por e përdorni tjetrin si mjet për qëllimet tuaja. E, sigurisht, kjo është varësi, pasi doni ta zotëroni tjetrin përgjithmonë. Pasi të nesërmen, e prapë të pasnesërmen do të keni nevojë për një të dashur që ta zotëroni.
Kur tjetri është bëhet më i vlefshëm se ju – kjo është dhembshuri, kjo është dashuri – kur sakrifikoni veten për tjetrin. Kur bëheni mënyra dhe tjetri bëhet qëllimi, kjo është dashuria. Kur bëheni qëllimi e tjetri përdoret si mjet, ky është vetëm epsh, i cili është gjithmonë dinak, kurse dashuria është gjithmonë përdëllyese.
Dashuria e pavetëdijshme është vetëm epsh e asgjë tjetër – një emër i bukur për një gjë të shëmtuar. Por sa njerëz janë vërtet të vetëdijshëm? Kur dashuria është meditative, atëherë është e vërtetë.
Dashuria është më shumë estetike; epshi joestetik, i shëmtuar. Kur dikush ju sheh me epsh në sy, ia keni vënë re fytyrën? E shëmtuar. Edhe një fytyrë e bukur shëmtohet kur ka epsh në sy. E kundërta ndodh me dashurinë: një fytyrë e shëmtuar bëhet e bukur me dashurinë në sy. Dashuria në sy i jep tjetër ngjyrë fytyrës; një aurë e ndryshme ngjizet. Epshi krijon aura të zeza, të liga, të shohësh dikë epshor është gjë e shëmtuar.
Njeriu është i pavetëdijshëm. Ju bëni gjëra pa ditur pse. Bëni gjëra që nuk do t’i bënit kurrë nëse do të ishit qoftë një fije të vetëdijshëm. Ajo që bëni me jetën është se vetëm flini gjatë saj. Ndërgjegja duhet të evoluojë. Sa më shumë vetëdije të keni aq më shumë energji lëviz lart. Vetëdija është çelësi kryesor. Epshi kthehet në dashuri nëpërmjet ndërgjegjjes, prandaj dashuria nuk mund të jetë kurrë diçka e pavetëdijshme.
Epshi është lakmi, varësi, zotërim. Dashuria nuk ka nevojë fare për zotërim, varësi, pasi nuk është zili e lakmi. Dashuria është dhuratë, pjesëmarrje. Keni gjetuar diçka, zemra është plot, frutat të pjekura, kërkoni për dikë që të vijë tek ju dhe ta ndani. Nuk kushtëzohet nga kush jep e merr. Jeni aq të mbushur me dashuri, si retë plot ujë, të cilin e japin në formë shiu. Ndonjëherë e japin mbi pyll, kodër, shkretërtirë. Fakti se ku bie shi, për to është i parëndësishëm. Një dashnor është plot si re me ujë dashurie, i duhet të japë, e kjo është e vetvetishme.
Zgjidhni dashurinë; shndërroni epshin në dashuri. Gjithë jeta nuk është gjë tjetër veç përpjekje e madhe për të zgjedhur jetën para vdekjes, dashurinë para epshit, Zotin para botës, bukurinë, të mirën, të vërtetën para të rremes. Dashuria është dielli që po lind, epshi është errësira e shpirtit.
Asgjë nuk bën njerëzit më të shëmtuar e kafshë se epshi. Njerëzit duan të fitojnë para, famë, prestigj, ego vetëm për të pasur seks, epsh. Ju vini te mua me njëmijëe një probleme e pyetje, por përgjigja ime është gjithmonë e njëjtë: nëse jeni i inatosur them vetëdijësohuni për të, nëse jeni ziliqar vetëdijësohuni për të, nëse jeni epshor vetëdijësohuni për të – sepse vetëdijësimi shkull rrënjët e vërteta. Çfarë është rrënja? Pavetëdija është rrënja!
Vetëm hidhini një sy jetës suaj: një minutë zemërimi e sa minuta faji? Një minutë epshi e sa minuta faji, orë apo ditë? Disa sqarime duhen bërë: kur Buddha thotë “sensual” nuk kupton “ndjeshmëri”. Në fakt, një person sensual është vulgar, kurse personi i ndjeshëm është i mprehtë, delikat. E para është shëmti, e dyta bukuri. Dashuria është bukuri, epshi shëmti. Dashuria ju jep atë që keni, ndërsa epshi rrok atë që ka tjetri. Jini të ndjeshëm por jo sensualë në atë kuptim. Dashuroni, por qëndroni jashtë epshit. Epshi është kafshëror, dashuria njerëzore.
Kujdes nga epshi, seksualiteti i pavetëdijshëm. Kur është i ndërgjegjshëm ka një shije krejt ndryshe, bëhet tantra, nuk është më seks, bëht dashuri, sjell liri, ndërsa epshi bëhet burg.
Martesat me dashuri erdhën në jetë, por nuk do të zgjatin, për arsyen e thjeshtë se dashuria vjen, ndodh e për një çast ikën. Nuk kishit asgjë në dorë. Martesat e vjetra dështuan sepse duhej ta donit me patjetër gruan e burrin. Është një “duhet”, gjë që nuk ia del dot kush, mbase aktron për ca kohë, pretendon sikur ia del, por jo: dashuria nuk është shtirje, aktrim, nuk ke ç’t’i bësh. Martesat e reja dështuan sepse janë vetëm një rebelim kundër atyre të vjetra. Nuk kanë kuptim pasi janë vetëm reagim kundër të vjetrave. Ju nuk e dini ç’është dashuria more! Vetëm dashuroni një fytyrë të bukur, trup të rregullt e mendoni “Oh, Zot, jam i dashuruar!”. Kjo nuk do të zgjatë, pas dy ditësh, me të njëjtin surrat para syve për 24 orë në ditë do të mërziteni. I njëjti trup, të cilin do ta keni eksploruar topografisht e hollësisht. Duke eksploruar të njëjtën gjeografi ndiheni idiotë. E çfarë ishtë gjithë kjo? Kjo punë dashuriçkash, martesa dështoi, kishte dështuar që në fillim. E gjitha sepse nuk dini të prisni që dashuria të ndodhë vetë.
Martesat tuaja janë politikë e mprehtë sundimi. Të qenët baba e nënë janë politikë e hollë.
Martesa ka bërë që dashuria të zhduket frikshëm nga toka. Pasi martesa përgatitet për arsye të tjera përveç dashurisë – para, financë, familje, prestigj, astrologji – oh sa shumë budallalëqe, sa absurditete! Prandaj martesa është pothuajse gjithmonë dështim, pasi nuk ka asgjë të përbashkët me zemrat e dy të martuarve. Martesat e suksesshme janë më shumë aksidente, përjashtime, kështu që nuk llogariten këtu.
Dikush duhet të martohet vetëm nëse është mjaft i ditur. Martesa nuk është për të rinjtë, zakonisht, pasi ata janë për t’u vërdallosur, por për ata njerëz që kanë provuar jetën në rrugë të ndryshme, kanë parë ngjyra të ndryshme të saj, gjithë spektrin, e tani janë gati për të ndalur.
Nuk jam kundër martesës – jam për dashurinë. Nëse ajo bëhet martesa juaj, mrekulli, por mos shpresoni se martesa sjell dashuri. Duhet të punoni me ndërgjegje të plotë për ta shndërruar dashurinë në martesë. Zakonish, njerëzit e shkatërrojnë dashurinë, madje bëjnë gjithçka ta shkatërrojnë e pastaj vuajnë, e pastaj thonë “çfarë nuk shkonte?”. Dhe bënë gjithçka për ta shkatërruar. Martesa është ndryshe: kulmi i dashurisë, kështu po. Nuk jam kundër martesës – jam për një martesë të vërtetë. Jam kundër të rremes, pseudos. Por martesa juaj është mërrëveshje: j’u jep një farë sigurie, lehtësie, merreni me diçka, ju mban të zënë.
Ka një dëshirë të madhe për dashuri, por dashuria kërkon vetëdije të madhe, të plotë. Vetëm atëherë arrin kulmin, i cili është martesa. Nuk ka lidhje me ndonjë ligj. Është shkrirja përfundimtare e dy zemrave në plotësi. Është funksionimi i dy personave në sinkronizëm – kjo është martesa. Por njerëzit përpiqen për dashuri duke qenë të pvetëdijshëm…dëshira e mirë, por dashuria e tyre është xhelozi, sundim, zemërim, e shpifur. Shumë shpejt i japin dërrmën prandaj për shekuj me radhë jepen pas martesës: më mirë nisen me martesë, pasi ligji të mbron nga shkatërrimi i saj. Shoqëria, shteti, gjykata, polici, kleriku, të gjithë të detyrojnë të jetosh në institucionin e martesës, e ti je veç një skllav. Vetëm skllevërit kërkojnë të jetojnë në institucione.
Nuk kam thënë kurrë se dashurinë e shkatërron martesa, e si mundet? Po, shkatërrohet në martesë, por nga JU, jo nga martesa! Nga partnerët, ju e shkatërroni, pasi nuk e dini ç’është dashuria. Vetëm mëtoni se e dini, shpresoni se e dini, ëndërroni se e dini, por nuk dini asgjë. Dashuria mësohet: është arti më i madh që ekziston.
India i’a futi kot me martesat e stisura, Perëndimi ia fut kot me dashurinë e lirë. Në Indi prindërit janë shumë përllogaritës e dinakë, e si të tillë i humbën shansin Indisë për mundësitë e dashurisë, pasi nuk lanë dashurinë të ndodhte, sepse dashuria nuk dihet ku të çon. Në Perëndim janë tepër rebelë, shumë të rinj, jo të zgjuar, tepër fëmijënorë. E bënë seksin të lirë fare, të gatshëm kudo: nuk ka nevojë të zbulosh dashurinë atje, thjesht gëzoju seksit e mbaro punë. Prej seksit, Perëndimi doli huq; prej martesës Lindja doli huq. Por dashuria nuk është lindore as perëndimore. Zbuloni dashurinë brenda jush, e nëse e bëni, herët a vonë, dikush do të vijë tek ju, pasi një zemër e dashur vjen vetëm pranë një zemre të dashur, gjithmonë ndodh. Por nëse kërkoni me xhelozi, apo vetëm seks e siguri nuk do të gjeni asgjë. Mendohuni pak para se të martoheni: do të jeni në çark. Ju çarku i gruas e gruaja gracka juaj. Grackë e ndërsjellë, reciproke. Dhe pastaj, ligjërish, jeni të lirë të torturoni njëri-tjetrin derisa të vdisni.
Dashuroni sa më thellësisht të mundeni, e nëse bëhet martesë është tjetër gjë. Nëse dashuria bëhet diçka e pathyeshme është tjetër gjë, jo detyrim ligjor. Detyrimet ligjore ju duhen sepse keni frikë, e dini se dashuria juaj nuk mjafton e keni nevojë për mbështetje ligjore. E dini mirë se njëri prej jush mund të ikë, prandaj keni nevojë për policin t’ju mbajë bashkë. Kjo është shumë e shëmtuar: të kesh nevojë për një polic që t’ju mbajë të ngjitur. Ja, kjo është martesa!
Nuk kam dëgjuar kurrë për ndonjë martesë të përkryer. Thonë se ndodhin në qiell, por askush nuk ka ardhur prej atje, mbase është e vërtetë. Por, ç’lloj martesash janë ato të përkryerat? Pa tension, pa individualitet të burrit apo gruas. Nuk zihen kurrë, nuk përlpasen, kaq të ëmbël me njëri-tjetrin. Epo, kaq shumë sheqerosje të bën me diabet!
Siç e shoh unë, 99% e marteave janë vetëm prostitucion i liçencuar. Në një botë më të mirë, me njerëz më të mirë, gjërat do të jenë ndryshe. Fëmija i lindur nga dashuria nuk do të quhet kopil, vetëm ai i lindur nga ligji, liçenca, do të jetë bastard.
Dashuriçkat dështojë sepse në fillim martesa stisej nga astrologjia, pastaj nga prindërit, e tani nga biologjia. Papritur ndjen se të pëlqen një grua, por nuk di sa do të zgjasë e nuk ia ke idenë pse të pëlqen ajo ty, apo ti atë. Mbase është stili i flokëve, e martohesh me një stil të caktuar flokësh, e nesër flokët i prishen asaj, kurse ti ngelesh si guhak “Kjo është ajo gruaja që doja unë?” I njëjti stil flokësh përditë…! Njerëzit bien në dashuri vetëm se dikush ka një hundë të caktuar, dashurohen me fragmente. Asnjëri nuk merret me njeriun në tërësi, e kjo shkon dëm. Hunda nuk ka shumë rëndësi, pas dy ditësh nuk do ta shohësh fare, ngjyrën, formën apo format trupore, këto janë vogëlsira. Thelbi qëndron në funksionin tërësor të njeriut.
Seksi është fizik, dashuria shpirtërore.
Dashuria jep, seksi kërkon vetëm të marrë.
Kur seksi hyn, dashuria del jashtë.
Gërrmo në seks e do të gjesh dashurinë. Gërrmo në dashuri e do të gjesh lutjen.
Buddha kërkon nga ju të transformoni energjinë seksuale, jo ta shtypni e luftoni, pasi është e vetmja energji që ju ka mbetur. Seksi nuk duhet përjashtuar, mohuar apo shtypur, por transformuar me anë të vetëdijes.
Bëjeni dashurinë festë, jo hyrje-dalje. Kërceni, këndoni e mos e bëni seksin cerebral, bëjeni autentik.
Kurrë nuk them hiqni dorë nga seksi. TRANSFORMOJENI. Nuk duhet të jetë vetëm biologjik, jepini spiritualitet. Kur bëni dashuri meditoni, lutuni. Dashuria nuk është akt fizik, por shpirtëror. Kur hiqni dorë nga seksi nuk jeni më të aftë të transformoni energjinë e tij, është vetëm energji. Mund të lëvizë në cdo drejtim të mundshëm. Nëse e pranoni, në vetë atë pranim fillon të lëvizë sipër, pasi po e ndihmoni. Në çastin që e mohoni, stypni, po krijoni një armiqësi, ndarje në vetvete.
Vetëdija e vërtetë ju çon përtej seksit, e kjo ndodh vetëm me pëlqimin e vet. Në seks jeni mashkull ose femër. Një beqar i vërtetë ka shkuar përtej, nuk është as mashkull as femër.
Buddha nuk është për ndrydhjen, por për transformimin. Mund të shkoni majë Himalajave e të uleni atje, duke menduar se keni fituar beqarinë. Por vazhdoni të ëndërroni për femra, madje më shumë se përpara, se jeni më larg. Me luftë asnjë nuk ndryshon, vetëm nëpërmjet vetëdijësimit.
Pasi bëheni të dhunshëm, vjen qetësia. Kur jeni të qetë, dhuna po pret aty prapa. Janë gjithmonë bashkë, ndasitë janë gjithmonë bashkë. Kur seksi zhduket edhe beqaria zhduket gjithashtu – ta dini. Nëse mëtoni se jeni beqarë seksualiteti vazhdon të ekzistojë e një ditë do të shpërthejë. Po uleni mbi një vullkan. Kur seksi zhduket, cili është kuptimi i beqarisë? Fjala nuk ka më kuptim, pasi funksionon vetëm në lidhje me seksin. Buddha thotë se kur dualiteti zhduket ti je në mes, i qetë, i pastër, i heshtur. Rruga është ajo e mesmja.
Jeta lind nga seksi, bëhet për seks. Mund ta ngrini seksin në lartësinë e dashurisë e ta shndërroni në dhembshuri. Por, nëse e bllokoni atë energji me murgjëri e beqari keni shkatërruar mundësinë e rritjes suaj si njeri.
Dashuria nuk është pasion seksual. Seksi është manifestim kalimtar i dashurisë, pjesë e mekanizmit të natyrës. Energjia e manifestuar në seks transfomohet në dashuri.
Bëhuni dëshmitarë në seks, jo kontrolluesi, qëndroni të vetëdijshëm. Për shekuj ju është thënë se seksi është mëkat. Dëshmoni seksin si çdo gjë tjetër në botë, nga një pikëvështrim pozitiv, e mjerimi do të ikë vetvetiu. Bëhuni meditues.
Gjithë perversitetet në botë – homoseksualiteti, sadomazokizmi, etj – janë thelbësisht nënprodukte të ashtuquajturave religjione, sidomos Krishtërimit, pasi sa më shumë shtypin e mohojnë dicka, aq më shumë energji do të kërkojë rrugë të shfaqet. Seksi natyral është i bukur, perversi është i shëmtuar, pasi është zhvendosur dy herë radhazi nga origjina e vet.
Ju keni lindur prej seksit, çdo qelizë juaja është seksuale, gjithë energjia juaj. Pra, nëse fetë dënojnë seksin si mëkat, ju kanë dënuar ju plotësisht. E jo vetëm ata, por edhe ju keni dënuar veten, jeni të përçarë, ndiheni fajtorë e bëheni neurotikë. Unë e quaj seksin problemin kryesor, të cilin, nëse e zgjidhni, do të jeni burra apo gra krejt tjetër, pasi gjithë perversitetet zhduken vetvetiu. Kur e keni pranuar, jo luftuar, mund ta transformoni, pasi ajo është energjia e gjallë ndër ju. Keshtu punon mekanizmi: transformojeni në dashuri. Ata që urrejnë janë zakonisht në luftë me seksin e tyre. Nëse nuk e luftoni, e pranoni, e transformoni kthehet në dashuri. Kjo është më e bukura: nëse pranoni seksin do të pranoni çdo gjë tjetër. Të jetosh do të thotë të jesh seksual, e nëse jeni kundër seksit jeni kundër gjithçkaje.
Të mendosh për seksin është më e rrezikshme se vetë seksi. Është njësoj sikur dikush do të hajë bukë me veshë, jo me gojë.
Do të çuditeni kur t’ju them se njerëzit makutë nuk kanë probleme seksuale, ata nuk kanë energji seksuale, të gjithë e kanë përqendruar në lakmi. Paraja është objekti i dashurisë së tyre, nuk duan t’ia dinëpër femra.
Papët e shankaracharyat në Indi mund të jetë guru seksi, pasi ata mësojnë se seksi duhet luftuar e mohuar. Ajo që shtypet merr forma perversioni te njeriu, mund të jetë homoseksualiteti, sodomia etj. Homoseksualiteti është fenomen manastiresh, është religjioz, pasi fetë nuk lejuan burrat e gratë të preknin njëri-tjetrin. E ku do të shpërthejë pastaj energjia e tyre seksuale? Biologjia nuk e dëgjon betimin e beqarisë.
Kafshët kanë seks por jo seksualitet, njeriu i ka të dyja, seksualiteti është mendor, por ti ngelesh kafshë. Me dashurinë bëhesh njeri, qëndron drejt mbi tokë. Me seksin ngelesh kafshë, horizontal në tokë, duke u zvarritur.
Në orgazmë të thellë, nëse jeni të vetëdijshëm, do të kuptoni për herë të parë çfarë është ekstaza. Deri tani vetëm sa e keni dëgjuar si fjalë, nuk e keni rrokur kuptimin. Vetëm në orgazmë të thellë, të fortë e të vetëdijshëm plotësisht, do të kuptoni se seksi nuk është vetëm seks, por vetëm shtresa më e jashtme: në thellësi gjendet dashuria; akoma më thellë lutja e më thellë akoma ndodhet Zoti vetë.
Përktheu Arben Orhani