Nga Albert Vataj
Në peizazhin e mjegulluar dhe të qetë të Lake District, në veri të Anglisë, fshihet një thesar i rrallë që nuk shpërfaqet me bujë, por qëndron atje, në heshtjen e kohës, si një urë mes epokave. Një strukturë romake, e ndërtuar në shekullin I pas Krishtit, vijon ende të përdoret sot, duke sfiduar jo vetëm erozionin fizik të natyrës, por edhe indiferencën e harresës historike.
Gurë të vendosur mbi kohën
Kjo urë, e ndërtuar pa llaç, me mjeshtëri dhe intuitë inxhinierike, është shembull i ndërtimit “me thatë” , një teknikë që mbështetet vetëm në balancën natyrore të gurëve, në forcën e dorës së njeriut dhe në një sens harmonik me terrenin. Çdo gur është një dëshmi e qëllimit, çdo hap mbi të është një kujtesë e rrënjëve tona si qytetërim që ndërlidh urtësinë me funksionin.
Ajo nuk kërkon lavdi, nuk është pjesë e një ansambli monumental, nuk ka kurorë dekorative. Por ajo që e bën të pavdekshme është pikërisht modestia e saj, një urë që e pranon të qenit kalim, pa bërë zhurmë për qëndrimin.
Një peizazh që flet në gjuhën e heshtjes
Lake District është i njohur për lidhjen me poezinë angleze, për fjalët që frymëzoi te Wordsworth e Coleridge, por rrallë flitet për gurët që lidhin jo vetëm brigjet e një përroi, por epokat e historisë. Ura romake qëndron atje, e heshtur si një varg i pashkruar, një strofë e gdhendur në baltën e përjetshme të tokës.
Rreth saj, një fshat i qetë, një mur guri që vazhdon përtej, një shteg që zhduket në horizont. Aty nuk ka trafik, nuk ka makinë, por hapat e njeriut gjejnë vendin e tyre mbi gurë që kanë mbartur gjurmë që nga kohët e Perandorisë.
Një mësim për arkitekturën moderne
Sot, kur ndërtojmë me materiale që premtojnë jetëgjatësi, por shemben brenda disa dekadash, kjo urë romake shërben si një kritikë e heshtur. Nuk është thjesht një mbetje antike; është një udhëzim. Ajo na mëson se bukuria qëndron te qëndrueshmëria, dhe vlera e së ndërtuarës nuk matet me madhështi, por me durim.
Siç thoshte Vitruvi, arkitekti i madh romak: “Arkitektura duhet të përmbajë tri cilësi: qëndrueshmëri, përdorshmëri dhe bukuri.” Kjo urë i ka të trija – jo si koncepte të ndara, por si një tërësi e natyrshme që buron nga vetë ekzistenca e saj.
Një urë që nuk është vetëm strukturë
Të ecësh mbi këtë urë është të bësh pa vetëdije një pelegrinazh. Ajo nuk të çon vetëm nga njëra anë e ujit në tjetrën, ajo të çon pas në kohë, në një botë ku njerëzit ndërtonin për të qëndruar, jo për të impresionuar. Ajo është më shumë se një pasuri e trashëgimisë; është një testament i qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor.
Trashëgimi që kërkon ndërgjegje
Sot, më shumë se kurrë, na duhet të rimarrim frymën e atyre që ndërtuan jo për vete, por për të tjerët, jo për momentin, por për shekujt. Kjo urë është një kujtesë e heshtur e këtij vizioni.