Mramja bjen n’ Shkodër, e shëmbëllimt n’tan solemnitet e florinjta. Dritun thellë andjes andërrtare, qi pluskon yjeve, piklimeve t’dritta qi e kundrojnë, e hapave t’shkujdesun që çapiten tue pëshpërit fjalë e këndue.
Kur kuqlimi i perëndimit shtriqet mbi liqen, si nji cohë e hollë dehje, shkrepin njiherash me dritat edhe harlisjet e vezullimeve, që shtatin ia stolisin qytetit e gazmimin i’a mkojnë rrugicave, e ikjeardhjeve i’a shkruajnë tan delikates profilet, si tue dasht me cyt çdo çast nji tablo t’ngjyrshme.
Asht e bukur mramja n’qytetin e t’bukrave lule, e t’magjishmeve lajka t’dashnis, qi drithërojë prekjeve nan bli, e galdimit qi shkon e vjen, ku dritat napin sy me pa, e shikimet t’shendin n’andje.
Jam edhe un nji shkreptim drite kësaj mramje qyteti jem. Jam edhe mirënjohje për mikun tem, Terenc Pepa, i cili na kallzon Shkodrën, si gajle malli, e gazmim andërrtar.
S’pran kamera e tij, tue na rrëfy ditën e natën, nadjeve e muzgjeve, me sytë e qiellit e me vështrimin e adhurimit, Shkodrën, dashnin qi drue me e dasht njaq fort, sa dashnim muj me ken për syt e mallit e andjen e shpirtit.