Albert Vataj
Në një kohë kur estetika është ndoshta dogma më e përhapur e shoqërisë, ku forma i dikton shpirtit çka të ndiejë dhe çka të refuzojë, Lucian Freud ngrihet si një profet i mishit të vërtetë, një zë i pagabueshëm i realitetit që nuk kërkon leje për të qenë. Në pikturën “Benefits Supervisor Sleeping” ai nuk ka vetëm pikturuar një trup – ai ka pikturuar një shpirt që pushon mbi tokën e vet, një qenësim që refuzon të përkufizohet nga peshorja, nga centimetri, nga rregulli, nga turpi.
Trupi në këtë tablo nuk është një objekt i vështrimit sensual apo erotik. Nuk është as protestë. Është lutje pa fjalë. Është shtrirje drejt një kuptimi që tejkalon masat dhe proporcioni. Është një dhuratë që vjen nga krijuesi, dhe që kërkon të pranohet si e tillë – jo për t’u korrigjuar, jo për t’u ndryshuar, por për t’u përjetuar.
Freudi nuk e pikturon njeriun për ta pajtuar me idealin, por për ta çliruar prej tij. Ai e pikturon trupin siç është jeta: me shtresime, me barrë, me qetësi, me lodhje, me prani. Ai na e mëson se pranimi i vetes nuk është një akt pasiv, por një akt rebelues ndaj ligjësisë absurde të refuzimit – asaj ligjësie që njeriun e mat me syrin e të tjerëve dhe jo me përmasat e shpirtit të vet.
“Benefits Supervisor Sleeping” është një moment i papërshkrueshëm pushimi, një gjendje prehjeje që s’ka nevojë të shpjegohet. Gruaja që fle në kanapenë e luleve, në të gjithë lakuriqësinë e saj të guximshme, nuk është viktimë e vështrimit – ajo është vetë e vërteta e vështrimit që s’mund të gënjejë më. Trupi i saj është si toka, është si bima, është si nata që s’ka turp nga hija e vet.
Freudi nuk kërkon të mbushë sytë tanë me hijeshi, por me ndershmëri. Nuk kërkon të lërë mbresa estetike, por gjurmë shpirtërore. Kjo vepër është një shenjë e shenjtë në artin bashkëkohor – një dëshmi se bukuria nuk është për t’u shpjeguar me kanonë, por për t’u ndjerë me zemër të hapur. Është një marrëdhënie me krijesën që shkon përtej formës, përtej moralit, përtej estetikës. Është akti i shenjtë i pranimit – jo vetëm të trupit, por të vetë jetës.
Në fund, kjo pikturë është një ftesë: të heshtim dhe të mësojmë nga qetësia e një trupi që fle. Të lëmë mënjanë mospajtimin me veten dhe të fillojmë ta përqafojmë çdo rrudhë, çdo peshë, çdo mungesë simetrie si një uratë të vetë Zotit. Sepse jemi trup, por mbi të gjitha jemi dhuratë.