Albert Vataj
Në Londrën e vonë viktoriane, ku mjegulla industriale fshihte si me turp mjerimin në rrugë, ekzistonte një realitet që i shpëtonte letrave zyrtare dhe romaneve të epokës. Një realitet ku edhe gjumi kishte kosto. Për qindra e mijëra të pastrehë, nata nuk ofronte pushim, por vetëm një zgjatje të dhimbshme të mbijetesës. Dy nga “strehimet” më të njohura për të varfrit ishin ato që njiheshin si “four-penny coffin” (arkivoli me katër penny) dhe “two-penny hangover” (gjumi mbi litar).
Arkivoli me katër penny ishte një kuti prej druri ku njeriu mund të shtrihej, pa dyshek, pa batanije, ndoshta me një mushama sipër trupit. Ishte liri e ftohtë, por e shtrirë. Për ata që nuk kishin as kaq, alternativa ishte edhe më brutale: një stol dhe një litar i shtrirë përmes kraharorit që mbante trupin ulur gjatë gjumit. Çdo njeri mbështetej mbi atë litar, dhe kur vinte agimi, litari lirohej, e trupi binte në dysheme. Kjo formë e gjumit u pagëzua me një ironi të errët si “dy-penny hangover”, ndonëse fjala “hangover” nuk rrjedh etimologjikisht prej kësaj praktike, por prej përdorimeve të tjera burokratike.

Megjithatë, metafora që ajo bart është e frikshme, një njeri që nuk rrëzohet, por mbahet pezull, jo nga jeta, por nga varfëria. Litari nuk është mjet vetëvrasjeje, por shpëtimi. Një shpëtim i ftohtë, i lodhur, i zbrazët.
Ky realitet nuk ishte vetëm pasqyrë e pabarazisë, por edhe e indiferencës shoqërore. Në një qytet që krenohej me trenat me avull, me biblioteka publike, me dritat e gazit, kishte ende burra e gra që paguanin qindarkat e fundit për të mos fjetur mbi asfalt.
Pamja e një salle me stola dhe trupa që varen mbi litare është imazh që ngjall tronditje. Nuk është thjesht fotografi varfërimi, por edhe simbol i atij kufiri ku njeriu pushon së qeni subjekt, dhe kthehet në objekt mbijetese. Ky kufi nuk matet me monedha, por me dinjitetin e humbur.
Sot, ky fragment i historisë shpesh rrëfehet me kuriozitet apo ironi, por për ata që e jetuan, ishte realitet i zhveshur nga ndjenja dhe shpresë. Qëndresa e tyre, edhe në formën më absurde të gjumit, është një testament i heshtur i shpirtit njerëzor, që edhe kur nuk ka asgjë, nuk dorëzohet.
Aty, mbi litaret e rrënjëzuar në memorien e historisë, flihej njeriu. Jo për të çlodhur, por për të mos u shuar.
Po çfarë do të thotë “hangover”?
Përkundër asaj që besohet shpesh, termi “hangover” nuk e ka prejardhjen nga kjo praktikë e gjumit mbi litar.
Edhe pse është një tregim tërheqës, kërkimet gjuhësore tregojnë se fjala “hangover” fillimisht i referohej pasojave që mbeteshin nga diçka e papërfunduar, si për shembull çështje të pazgjidhura pas një mbledhjeje. Vetëm rreth vitit 1904 filloi të përdorej për të përshkruar efektet e mbetura pas konsumimit të tepërt të alkoolit.
Pamja e njerëzve që fjalë për fjalë vareshin mbi litarë mund të ketë kontribuar në këtë mit, por etimologjia ndjek një rrugë tjetër.
Qëndrueshmëria e atyre që përballuan këto kushte mbetet një dëshmi e fuqishme e qëndresës njerëzore përballë vështirësive të skajshme.
Ky fragment përshkon një nga skutat më të errëta të historisë urbane të qytetërimit industrial: një periudhë kur përparimi teknologjik dhe lulëzimi ekonomik i Britanisë së Madhe nuk përkthente domosdoshmërisht përmirësim të jetesës për shtresat e varfra.
“Four-penny coffin” dhe “two-penny hangover” nuk ishin thjesht shprehje popullore, por realitete të prekshme në rrugët dhe qoshet e Londrës, një qytet që ndriçonte me gaz në “West End” dhe rrënohej në erë e urinë në “East End.”
Këto forma strehimi, të administruara shpesh nga shtëpi bamirësie ose strehimore të organizuara nga shoqëri fetare dhe filantrope, nuk ishin zgjidhje për rehabilitim, por ndalesa për mbijetesë.
Ato tregojnë se si shoqëria e kohës kishte ndarë një kufi të ngushtë mes njerëzve që kishin “të drejtën” për të pushuar në një krevat dhe atyre që mezi përthithnin frymë të përkulur mbi një litar, për një copë gjumë të pashpirt.
Simbolika e “litari që të mban gjallë” është tragjikisht e fuqishme: nuk është litari që të mbyt, por ai që të ndalon të rrëzohesh nga lodhja, një kufi grotesk mes jetës dhe harresës.
Nga ana tjetër, fakti që fjala “hangover” nuk rrjedh prej kësaj praktike por nga kuptime të tjera më burokratike apo thjesht “mbetje” të një gjendjeje të mëparshme, na kujton se gjuhët shpesh ecin më shpejt se mitet, por mitet rrallë humbasin forcën e tyre për të lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive.