Albert Vataj
Në pikturën “Mother and Child” të piktorit të madh grek Nikolaos Gyzis (1842–1901), përfaqësues i spikatur i Shkollës së Mynihut dhe një nga figurat më të ndritura të artit helen të shekullit XIX, shpaloset një gjendje e thellë shpirtërore. Gyzis, i njohur për ndjeshmërinë e tij të hollë dhe aftësinë për të përshkruar emocione të përbrendshme përmes ngjyrës dhe dritës, i kthehet këtu një motivi të përjetshëm: lidhjes midis nënës dhe fëmijës. Por ndryshe nga qasjet idealizuese të kësaj figure klasike, Gyzis ofron një interpretim që mban brenda vetes shqetësim, frikë të përmbajtur, peshën e një ankthi që nuk artikulohet.
Në pamje të parë, kompozicioni është i thjeshtë, një nënë, e mbështjellë me një shami të errët, mban në krahët e saj një fëmijë me lëkurë të zbehtë dhe sy të mëdhenj. Por ky intimitet s’është i qetë. Fëmija shikon jashtë tablosë, drejt shikuesit, me një shprehje të tronditur, të brengosur, pothuaj të frikësuar. Sytë e tij janë të ngrirë, si të ishte i kapur në befasi përballë një rreziku që nuk arrin ta kuptojë, por që e ndien me tërë qenien. Krahët e vegjël i janë ngjitur trupit të nënës jo vetëm për ngrohtësi, por për mbrojtje. Ka një ndjenjë të fortë të pasigurisë, që shpërthen në heshtje nga shikimi i fëmijës.
Në kontrast, nëna ka një shprehje më të matur, por jo më pak e ngarkuar emocionalisht. Ajo nuk shikon përballë, por mban sytë të ulur, si e zhytur në një mendim të rëndë, një dhimbje të heshtur dhe të ngadalshme. Shikimi i saj është i praruar, i lodhur, i përmbajtur, por paqja që ajo përpiqet të ruajë është një përpjekje titanike për hir të fëmijës. Është një nënë që e ndjen frikën, por nuk ka të drejtë ta shprehë; një grua që mban brenda vetes ankthin e botës, për të mos e shpërndarë tek fëmija në krahët e saj. Në heshtje, ajo ka marrë mbi vete barrën e mbrojtjes, e cila e shenjtëron, por edhe e fundos shpirtërisht.
Ky është kulmi emocional i veprës së Gyzis, nuk është vetëm një portret i dashurisë mëmë-fëmijë, por një ikonë e mbijetesës shpirtërore, e fijeve të padukshme të një frike që vjen nga jashtë, që nuk emërtohet, por që e përshkon tërë tablonë. Vështrimi i fëmijës na fut në tablonë, na bën pjesë të një drame të heshtur, ndërsa heshtja e nënës na përkujton madhështinë e durimit dhe sakrificës së saj.
“Mother and Child” nuk është thjesht një pikturë, por një dritare drejt brishtësisë njerëzore në momentet kur dashuria bëhet mburojë dhe frika një pasuri që nuk ndalet te fjalët. E ndërtuar me një dritë të zbehtë, ngjyra të tokëzuara dhe një kompozim të përqendruar te intimiteti, kjo vepër e Nikolaos Gyzis mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të artit për të shprehur të pathënat e shpirtit njerëzor.