Nga Halil Teodori
Në historinë e artit skenik shqiptar, Behar Mera zë një vend të veçantë si një ndër interpretuesit më autentikë të humorit, që i dha zë dhe jetë karaktereve të zakonshëm, por të pazakontë në përfaqësimin e së vërtetës shoqërore. Që nga hapat e parë në Estradën Profesioniste të Tiranës e deri në skenat e mëdha televizive si “Al Pazar” apo “Klanifornia”, ai nuk ka qenë vetëm një aktor komik, por një pasqyrë therëse e realitetit, një zë që fshikullonte veset, hipokrizinë dhe absurditetet e përditshmërisë shqiptare.
Me një mjeshtëri të rrallë në mimikë, gjestikulacion dhe përdorimin e gjuhës popullore si armë e goditjes artistike, Mera solli në jetë një galeri karakteresh që shkojnë përtej të qeshurës. Ai na bëri të reflektojmë për fenomenet që zvetënojnë ndërgjegjen kolektive: degradimin moral, gënjeshtrën institucionale, prishjen e strukturës familjare dhe përmbysjen e vlerave në emër të interesit personal. Figura të thjeshta, por thellësisht simbolike, u kthyen në pasqyrime të realitetit, ku në çdo batutë dhe shikim të aktorit, shpaloset drama e një shoqërie në tranzit të përjetshëm.
Roli i Behar Merës në humor nuk qëndron thjesht në kapacitetin për të bërë publikun të qeshë, por në mënyrën si përmes artit të tij ka vënë në qendër të vëmendjes individin e molepsur nga padrejtësitë, familjen në përplasje me moralin e ri të kohës, dhe shoqërinë që shpesh bie viktimë e vetvetes. Ai është dëshmitari artistik i një epoke të trazuar, që përmes komedisë gdhendi të vërteta të hidhura dhe solli në skenë dramën që fshihet pas maskës së buzëqeshjes.
Në këtë mënyrë, Behar Mera mbetet jo vetëm një aktor, por edhe një analist i heshtur dhe i guximshëm i shoqërisë shqiptare, që përmes humorit ka ditur të bëjë kritikën më të mprehtë dhe të domosdoshme të realitetit tonë.
Behar Mera është një vazhdues i denjë i traditë së Dibrës, e cila jo vetëm ka kulmuar në histori, ka pasuruar traditën shqiptare në të gjithë rrafshet, por edhe ka promovuar vlera dhe talente, që e përfaqësojnë Dibrën dhe bëjnë çdo dibranë të ndihen krenar, dhe një prej atyre që me punë, shumë punë dhe përkushtim, pasion dhe vetëdije krijuese, ka sjellë në artin tonë të humorit një vlerë të qenësishme.
Aktor i njohur i humorit, u lind më 28 shtator 1962.
Ai kishte lindur për skenën e humorit dhe tregues i kësaj është periudha e hershme kur ai shfaq interesin e tij të të qenit në fokus. “Që në moshë fare të vogël kisha dëshirë të recitoja, tregoja barcaleta dhe të imitoja. Përkrahësi, kritikuesi, vlerësuesi im më i fuqishëm në atë moshë megjithëse të vogël ishte pasqyra…me të cilën komunikoja shumë. Por, në fakt është e çuditshme kur e kujtoj tani pasi talenti im nuk spikaste vetëm në zhanrin e humorit e të aktrimit por edhe në atë të muzikës. Unë studioja për veglën muzikore trompe, dhe këndoja shumë bukur.”, është shprehur Behari në një komunikim për median.
“Mbaj mend kur mbusha 19 vjeç preka për herë të parë skenën në gjininë e humorit. përjetova emocione të jashtëzakonshme dhe mora duartrokitje të zjarrta që në herën e parë të daljes time në skenë. Skena, kur je në moshë kaq të re si me magji të krijon shumë personalitet dhe vendosmëri në jetën artistike. Edhe për mua ato kujtime nxiten dëshirën dhe pasionin për të vazhduar rrugën e bukur të vështirë dhe të suksesshme të aktrimit.”, ka shtuar ai.
Ai u bë pjesë e Estradës Profesioniste të Tiranës përmes lëvizjes amatore, duke spikatur për talentin e tij të veçantë në komedi. Mera është i njohur për aftësitë e tij vokale, mimikën ekspresive dhe gjestet që i japin jetë personazheve të tij, duke përdorur shpesh zhargonin popullor në interpretimet e tij.
Përmes një serie të gjatë cilësish, ai ka sjellë në skenën e madhe të humorit, në skenën e gjigantëve të artit komik, një emër dhe një identitet, një vlerë sfidash interpretuese. Ai solli Beharin unik, të vetëm në staturën e tij, dhe të papërsëritshëm në sjelljen e atyre karaktereve që e identifikojnë atë.
Gjatë të karrierës së tij, ai ka interpretuar në disa filma dhe shfaqje teatrale, që e kanë sprovuan në sfida të rëndësishme të artit të aktorit, duke përfshirë:
“Pushime në Romë” (1995)
“Gjithë fajin e ka paraja” (1996)
“Borxhliu” (1999)
“Një baba tepër” (2000)
“Tirana, viti zero” (2001)
“Pas një lajmi” (2001)
“Piruet” (2005)
“Para nga qielli” (2009)
“Falco” (2019)
“I Love Tropoja” (2020)
Kjo kolanë filmash ku ai solli veten e tij, mishëroi Beharin, të reflektuar në personazhet që ai përjetësoi, të cilat mund të mos ishin të roleve të mëdha dhe pretendimeve të mëdha, por duke u bërë me shpirt dhe pasion, kanë arritur të zënë një vend të pamohueshëm dhe admirues te publiku, i cili e do, e mbështet dhe e ndjek përgjatë gjithë karaktereve që ai veshi me virtuozitetin e tij interpretues.
Por nuk mund të jetë i plotë një profil për Behar Merën pa integruar në këtë pasqyrim edhe rolin që ai dha në skenën e humorit në televizion.
Mera ka qenë pjesë e spektaklit të humorit të “Al Pazar” për 12 vite, jo pak për të treguar përkushtim dhe besueshmëri, vlerë dhe veçori karakteristike, që në botën e televizionit janbë të rëndësishme. Pas kësaj përvoje të gjatë në VizionPLUS ai iu bashkua “Klanifornia” në TV Klan. Në vitin 2024, ai u rikthye në ekran me shfaqjen e re të humorit “PaPare Najt” në Vizion Plus, duke performuar së bashku me Agron Llakajn dhe jo vetëm.
Behar Mera vazhdon të jetë një figurë e dashur për publikun shqiptar, në gjithë shqiptarinë, duke sjellë buzëqeshje dhe gëzim me interpretimet e tij të spikatura në skenën e humorit shqiptar. Ai është unik dhe vetëm si i tillë, vendi i tij në admirimin e humordashësve është i pazëvendësueshëm. Rolet e tij, janë dhe do të mbeten një pasuri në galerinë e madhe të humorit.
Ndër cilësitë, për të cilat Behar Mera ka një vend të garantuar është shpirti i tij i bukur, buzëqeshja plot dritë dhe e njerëzishmja, që bën atë të jetë jo vetëm një mik i mirë, dhe një bashkëpunëtor i zellshëm dhe i dashur, por edhe shembullin e një prindi model dhe qytetari vlerash.