Albert Vataj
Që prej atij momenti të hershëm, në vitin 1907, kur në Shkodër u shfaq biçikleta e parë, e sjellë nga konsulli suedez, ky qytet nisi të shkruajë një histori dashurie me dy rrota. Dëshmia më e hershme është ngulitur në një fotografi të çmuar të fondit “Marubi”, ku Zef Çeka dhe Simon Deda, të veshur me elegancë qytetare, pozojnë krenarë me biçikletat e tyre. Në atë kohë, infrastruktura ishte më tepër një aspiratë se sa realitet, por dashuria e shkodranëve për biçikletën nuk njohu pengesa. Ajo u bë një lidhje që s’e ndal dot as rruga me gropa, as kalldrëmi, as përbuzja e teknologjisë.
Shkodra e rrëfen veten jo vetëm përmes kalasë, liqenit, katedraleve, xhamive, muzeve, por edhe përmes tingujve të ziles së biçikletës. Ajo është pjesë e fizionomisë urbane, një simbol i përulët por i palëkundur i një identiteti që mbijetoi përmes viteve, stinëve dhe ndryshimeve. Ajo nuk e fitoi kurrë një vend në flamur, nuk u skalit në ndonjë stemë zyrtare, por u rrënjos thellë në kujtesën kolektive të qytetit si ikonë e heshtur, e kudogjendur, e pazëvendësueshme.
Por një dashuri, për t’u ruajtur dhe jetuar, ka nevojë për duar që e mbajnë gjallë. Duar që nuk janë vetëm të afta, por që rrokin zanatin si mision, si trashëgimi dhe si formë e pasionit qytetar. Një prej këtyre figurave të rralla është pa dyshim Myzafer Durahu, mjeshtër që e ka kthyer zanatin e riparimit të biçikletave në një art të përditshëm, në një mënyrë për të mbajtur gjallë jo vetëm mjetin, por edhe historinë e tij.
Myzaferi, i njohur ndryshe si Myzi, është një nga ata njerëz që nuk përshkruhen dot vetëm përmes profesioni. Ai është një institucion i heshtur i qytetit, një kujtesë e gjallë e kohëve kur zanati ishte më shumë se burim jetese – ishte nder dhe përkushtim. Biçikleta nuk është thjesht një objekt pune për të; është shok i përditshëm, është simbol i Shkodrës që ai nuk e lejon të zbehet nga pluhuri i harresës moderne.
“Duert e mjeshtrave shkodran janë me ngjyrën e arit,” shkruan ambientalisti i njohur, drejtuesi i “Eko Mendje”, Mirsad Basha, në një akt mirënjohjeje për këtë mjeshtër të rrallë. “Kur ia shtrëngon dorën e shef se sa me dinjitet e dojnë zanatin e tyne dhe kupton forcën e përkushtimin që këto zanatçinj bajnë punën e tyne. Qyteti i biçikletave ka pas gjithmonë nevojë për këta mjeshtra. Myzi, prej dekadash, ban këtë zanat pa hile, i shpejtë dhe shumë i dashtun. Tek ai mund të shkosh jo vetëm për të riparu një biçikletë, por edhe për të blerë një të tillë që ai vetë e ka kthyer në jetë.”
Ky vlerësim nuk është thjesht një falënderim. Është një akt respekti ndaj një brezi zanatçinjsh që mbajnë gjallë jo vetëm rrotat, por një mënyrë jetese. Ata janë si shpirti i biçikletës, si kujdestarë të heshtur të një qyteti që nuk resht së dashuruari me të.
Nuk është rastësi që Shkodra feston çdo vit Ditën e Biçikletës, një ngjarje që synon të rikthejë vëmendjen te ky mjet i thjeshtë dhe ekologjik, dhe që fton qytetarët ta shohin biçikletën jo vetëm si një alternativë transporti, por si pjesë të historisë së tyre. Në këtë ditë, më shumë se kurrë, rikthehet në qendër figura e mjeshtrit që e mbështet këtë dashuri përmes dorës së tij të saktë, syrit të hollë dhe ndërgjegjes qytetare.
Edhe pse gjatë tri dekadave të fundit infrastruktura për biçikleta ka pësuar përkeqësime, për shkak të dominimit të automjeteve dhe mungesës së vëmendjes institucionale, përpjekjet e fundit për ndërtimin e korsive të dedikuara kanë dhënë shpresë. Shkodra përpiqet të rizbulojë vetveten përmes qarkullimit me biçikletë, përmes shembujve si Myzafer Durahu që nuk e lanë këtë simbol të vdesë, por e ushqyen, e riparuan, e shpëtuan sa herë që ishte gati të braktisej.
Myzaferi nuk është vetëm mjeshtër i biçikletës. Ai është ruajtësi i një trashëgimie të heshtur, një ndër ata që nëpërmjet zanatit mbajnë gjallë jo vetëm një mjet, por një kujtim, një stil jetese, një frymë qyteti. Në një kohë kur shumë gjëra po zëvendësohen, harrohen apo komercializohen, janë pikërisht këta njerëz – këta durtarë të përkushtimit – që na rikujtojnë vlerën e autenticitetit, të dorës së njeriut dhe të shpirtit që nuk e shet pasionin për asnjë përfitim.
Shkodra vazhdon të jetë qyteti i biçikletës, sepse ka njerëz si Myzafer Durahu. Ai nuk është thjesht pjesë e qytetit – ai është vetë qyteti, i kthyer në ustallar, në kujtesë, në respekt.