Ende edhe sot e kam të pamundur ta shkul me rrënjë prej tokës së ashpër të dilemës, se pse në radhët e martirëve të kishës, ndaj të cilëve Vatikani hapi procesin dioqezan të lumnimit, mungonte emri i At Anton Harapit. Natyrisht që Selia e Shenjtë është e detyruar të zbatojë rregullat e saja rigoroze mbi kolonat e së cilës ajo qëndron prej qindravjeçarësh, por ndoshta diçka nuk ka shkuar siç duhet, që ajo të përmbush detyrimin e saj ndaj një kleriku, siç vullnetmirë vendosi ajo që t'u japë rrugën e lumnimit 38 martirëve, atyre që dhanë jetën për fenë dhe Krishtin. Përjashtimi i At Anton Harapi nga ky vlerësim, nga kjo mirënjohje, nga ky nderim, natyrisht që aktin e tij atdhetar dhe fetar nuk e bën më pak të vleftë, përkundrazi ngjall shumë më shumë interes për ta parë dhe riparë, për ta lëxuar dhe për ta studjuar, ndoshta pikërisht nga domëthënia e pashpjeguar e këtij përjashtimi.
E gjithë kjo ka ndodhur, dhe nuk mendoj se çdo kthim pas mund të ndryshojë diçka. Duke e përjashtuar, At Anton Harapi, nuk mund t'ia privojë askujt të drejtën të aludojë se ndaj kësaj figure emblematike të përballjes me komunizmin, me diktaturën, ndaj këtij kleriku të përulur dhe të përkushtuar të fesë dhe atdhetarizmës është konsumuar një proces tjetër politik. Një "dënim" i dytë politik që është inskenuar ndaj një prej figurave qëndrore të klerit në Shqipëri, siç është At Anton Harapi ka ndodhur në një kohë rivlerësimi të fesë dhe të martirëve të kishës. Cilado të jetë arsyeja, cilido të jetë justifikimi, çfarëdo lloj argumenti të jetë rrekur të mbushë këtë boshllëk gërryes, nuk ka asnjë vlerë. Fakti se At Anton Harapi i është lënë një radhë tjetër trajtimi, siç edhe ka cituar ndonjë zy, i ngjet më shumë një nevoje për të ngopur me lugën bosh gjithë atë armatë admiruesish dhe përkrahësish të At Anton Harapi. Faktikisht apo simbolikisht ai është i dënuar dy herë me vdekje, një herë nga Gjykata Supreme e diktatorit Enver Hoxha me vendim të 19 shkurtit 1946 dhe s'dytiherë nga s'disekush, nga Vatikani apo nga Shqipëria.
Lista e martirëve
Emrat e tyre të lumnueshëm: Imzot Vinçens Prenushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Fraçesku, bir të cilit ishte!
Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.
Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.
Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.
Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.
Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.
Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spijun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.
Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.
Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.
Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.
Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.
Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.
Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: "Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit".
Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s'munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.
Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.
Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.
Dom Marin shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.
Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.
Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.
Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: "Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue".
Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.
Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.
Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.
Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.
Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.
Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.
Atë Gjon Shllaku (Frat): frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për "tentativë arratisjeje" dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën "Martir i Demokracisë".
Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.
Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi "gjyq" komunist. Nuk i dihet as varri.
Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.
Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.
Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.
Rishtarja stigmatine Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.
At Luigj Paliqi dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit. At Luigj Paliqi u vra me atentat nga serbët, ndërsa dom Gjon Gazulli u var nga Zogu në një shesh të Shkodrës në vitin 1927.
At Anton Harapi i përjashtuar
Shkrim nga Klajd Kapinova, Manhattan, New York
Ju përgëzoj i dashur bashkëatdhetar, që jeni shumë i shqetësuar për mosfutjen e emrit të veprës martire të At Anton harapit në fazën e kanonizimit, që Selia e Shenjtë në Vatikan aplikon për meshtarët e Krishtit. Dhe pikërisht për atë ushtar besnik të Urdhërit të Shën Françeskut, që me sandale dhe varfëri qendroi pranë dhe mes popullit të vet, ku gjithnjë për te Shqipnia ishte NJI.
U privua nga kjo e drejtë e merituar, pikërisht françeskani i përvujtë, që u pushkatua barbarisht me fjalët e Krishtit në gojë: “Fali o Zot se nuk dijnë çka bajnë”, “Rrnoft Krishti Mbret!”, “Rrnoft Shqipnia edhe pa ne!”.
Keni shumë të drejtë i nderuari z. Korça, kur thoni, se me At Antonin, do të ndodhë njësoj sikurse i ngjau Padre Piu-t, i cili, kur ishte në jetën tokësore thoshte: “La Benedizione del Signore scenda su di te, sulla tua casa e su tutte le persone a te care”. Atëherë ç’vlerë ka pendesa, kur veprimi i padrejtë, për mosshënimin e emrit në listën e martirëve shqiptarë është bërë me dëshirën e një individi apo “komisioni” shqiptarësh.
Askush nuk ka drejtë t’i jap të gatshëm në tabaka Selisë së Shenjtë, ku meshtar e meriton apo jo, që të bëhet martir i lterit!
Me sa di unë, Komisioni i Rishqyrtimit të Aktit të Martirizimit të Klerikëve Katolikë në kohën e masakrave të komunizmit (sikurse në të gjithë vendet diktatoriale dhe komuniste të ish – Evropës Lindore) nga Vatikani, ka kërkuar prej Konferences Ipeshkvnore të Kishës Katolike në Shqipëri dokumentet (të marra nga Arkivi Qendror i Shtetit, aktet e gjyqeve), dëshmi me deklarata autentike nga përsona që dëshmojnë vërtetësinë e faktit të kërkuar, dhe jo të paragjykohet nga gjyqi i dytë shqiptar, etj. “komisioni” apo individë, kushdo kjoftë, duhet t’i ketë parë pikturat ose arkivat, që i kushtohen pushkatimit të klerikëve katolikë, një prej të cilëve është edhe At Anton Harapi.
Frati i pushkatuar e i anatemuar pa mëshirë, ka nevojë që të qitet në shesh me dokumente autentike dhe jo të marrë të gatshme nga zyrat e ekzekutorëve etërit dhe bijtë e të cilëve ende drejtojnë Shqipërinë dhe ende nuk kanë bërë “mea culpa” për krimet që kanë bërë kundër njerëzimit dhe popullit të vet.
Veprimi i njëanshëm dhe me tendenca diskriminuese që kanë përdorur sot servilët e sistemit qofshin këto dhe me petk meshtarak, është një shkelje ndaj martirëve të krishtërimit që e kanë derdhur gjakun e tyre për ungjillizimin e popullit dhe dashninë e besimtarëve shqiptarë.
Shpesh po abuzohet pa të drejtë përmes një fotografie, ku ka dalë frati që ka kaluar në amshim At Anton Harapi me një gjeneral gjerman Fitstum asokohe të Luftës Dytë Botërore…
Mirëpo, kushdo e di, se e gjithë hierarkia që ka 10 vjet pushtet shpirtëror në Shqipëri (25 Prill 1993-2003), pas vitit 1993 me përjashtim të Shkëlqësisë së Tij imzot Zef Simoni Ipeshkëv (që ka vuajtur kalvarin komunist për 12 vjet në Spaç, Burrel, Sarandë, etj.), përsa i përket historisë së martirizimit të prelatëve tanë, nuk i njohin, dhe mendoj se nuk kanë të drejtë të vendosë apriori.
Nuk është vonë të bëhet dorëzimi i materialeve për fratin Anton Harapi në Vatikan, mbasi drejtësia herët ose vonë do të triumfojë… Do të vijë një ditë që madhështia e Pader Anton Harapit, të rritët ashtu sikurse ngjau pas shumë dekadash me shenjtin Pader Piu-n.
Faqet e historisë, të mbshura me male kufomash të pafajshme nga kmerët e kuq të polpotit të Tiranës së kuqe të diktatorit largkjoftë, me heshtjen e tyre stoike po flasin dhe kërkojnë drejtësi. Opurtiniteti e konformizmi me xhelatët ekzekutorë që janë sot në pushtet pas revolucionit jevgjito-komunist të vitit të zi 1997, do të shkrihet si kripa në ujë…
Në një natë të errët e të vranët, u hapën gropa të mëdha kolektive. U gjakosën qielli e toka, u thanë trungje shumëvjeçare. U vranë nga komunistët, bijtë e kësaj toke, që shquheshin për nga lartësia shpirtërore, për nga zgjuarësia e trimëria.
Shumë klerikë katolikë u pushkatuan me gjyq fars dhe pa gjyq, u burgosën, internuan dhe zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.
U vranë mizorisht 8 kryeipeshkëvij, 4 ipeshkëvij, 53 priftërinj dioqezanë, 25 françeskanë, 10 jezuitë, 10 seminaristë. Ata së bashku kishin bërë 881 vjet burg ose gati 9 shekuj vuajtje. Ata së bashku kishin kryer 450 vjet studime në 24 universitete të ndryshme.
Këtë fat të zi kishte edhe At Antoni. Në këtë mënyrë, historia njerëzore mbetet një meteor, që shndritë përjetë veprën e prelatëve të kishës dhe të kombit shqiptar të mbisalvuar.
Asnjë përkujtimore shkencore nuk është bërë për përkujtimin e veprës dhe jetës së tij në dobi të shqiptarizmës së kulluar. Tash sa në Shqipëri dhe për më tepër në vendlindje në qytetin e Shkodrës, nuk është bërë asgjë, as nga Urdhëri Françeskan që e ka për detyrë të përkujtojë martirët e Shën Françeskut, një shembëlltyrë e të cilit ishte edhe frati shqiptar At Anton Harapi. Vetëm në Prishtinë, revista kulturore “Jeta e Re” në vititn 1997, i ka përkushtuar një numër të veçantë At Anton Harapit. Asnjë pendesë, nuk ka nga ata autorë që dje e mallëkuan me shkrime turpi dhe sot përsëri po rishkruajnë me metorën e “realizmit social-komunist”, “Historinë e Letërsisë Shqipe” (Antologjinë) dhe të ashtëquajturën “Histori e Populli Shqiptar” (2002), ku domonojnë “Prof.dr.” e komunizmit. Tashmë hipokrizia ka dalë sheshit dhe po han bukën e marres së vet nga pushtetarët socialkomunist që janë bërë padronë shpirtërorë, kulturorë, fizikë dhe ekonomik në vendlindjen tonë e përtej saj…
marre nga www.albanovaonline.com