Albert Vataj
T’i vësh përballë Charles Baudelaire dhe Edgar Poe, të rrëmosh në thellësinë e këtyre shtjellave të potershme krijimi, është një ndeshje titanësh, një zemëratë që zgjohet nga thellimi i kohës e kërkon të kërdisë mendimin, idesë t’i kumtosh shkas dhe fjalën ta mprehësh në teh vetëtimash.
Në këtë kacafytje duhet të hysh për të fituar. Për humbësit nuk ka sfidë. Krejt kësaj dritshmëri shpërthyese i orvatet ajo që poeti “heretik” mëton për Edgar Poe, për tregimtarin e tij. Për Baudelaire-in, Poe-ja është një shkrimtar që shpalos hijet e errëta të qenies njerëzore, duke i përplasur ato me të panjohurën dhe të mistershmen, një mjeshtër i frikës dhe i ndjenjës së tmerrit ekzistencial.
Leximi i një libri me tregime nga Edgar Poe, shton Charles Baudelaire, kërkon vullnetin e lexuesit, për ta pranuar të tmerrshmen dhe të mrekullueshmen ta ngjethë. Kësisoj, edhe në kohë të nxehtë t’i kujtojë se dimri nuk pyet për kufij stinësh. Për Baudelaire-in, Poe-ja përfaqëson artin e ndjesisë së dyfishtë: kënaqësinë dhe frikën, ekstazën dhe ankthin. Ai përshkruan një përvojë letrare që e shkund lexuesin nga letargjia, duke e hedhur në një labirint emocionesh dhe frike që nuk mund të shpërfillet.
Por nëse me këtë këshillë nuk është i pajisur që në zëfillje të kontaktit mëkues me të, lexuesit ndoshta do t’i duhet të ndalet dhe të marrë frymë mes rrëfimtarisë së mraztë krijuese, ta lejë librin mënjanë të prehet për pak kohë, e t’i kthehet pa u ngutur, kohë pas kohe, si duar e mardhura një zjarri cingërime.
Ose, po e preferoi vënien e zemrës nën tension, ndoshta dhe ta përpijë krejt librin me një frymë, e me përqendrimin që e mbart esenca, të kalojë në atë univers drithmash, në të cilat dhe autorit i është dashur të kalojë gjatë shkrimit… të luftojë ndërsa kërkon shteg për ta shkallmuar ndalimin, e për ta lënë shpirtin të prehet në një botë forcash përplasëse. Të provojë sakaq se nga çfarë metali është temperuar dhe çfarë fuqie i duhet të mposhtë, për të fituar.
Baudelaire nuk e shihte Poe-në thjesht si një shkrimtar të errët, por si një shpirt binjak, një të mallkuar të artit që shprehte në letër ndjesitë më të thella dhe më të errëta të qenies njerëzore. Për të, Poe-ja ishte një dëshmi e gjeniut të vuajtjes, një mendje e pastër që përballej me territ dhe dritën me të njëjtën pasion dhe forcë.