Bota e dijes pretendohej se zotërohej nga meshkuj, por kjo grua ka ardhur ta thyej këtë mit, të tregojë se bota e dritës ngjizet në shpirtin dhe mendjen një gruaje, dhe është ky fenomen, janë shumë simotra të saj, të cilat duke sfiduar një botë të dominuar nga meshkujt, kanë arritur t’ia dalin, t’ia dalin të jenë jo vetëm nëna dhe amvisa, por edhe gjeni.
Kjo grua ka IQ-në më të lartë të regjistruar ndonjëherë: një shifër mahnitëse prej 228. Ajo e tejkalon dukshëm Einstein-in (160–190), Hawking-un (160) dhe Musk-un (155). Por, pavarësisht gjenialitetit të saj, ajo u përball me tallje për përgjigjen e dhënë ndaj një problemi që dukej i thjeshtë.
Marilyn vos Savant është një shkrimtare, kolumniste dhe personalitet publik, e njohur kryesisht për inteligjencën e saj të jashtëzakonshme. Ajo u bë e famshme kur Guinness Book of World Records e njohu si personin me IQ-në më të lartë të regjistruar ndonjëherë, me një rezultat prej 228, duke e bërë një figurë të diskutuar në botën e shkencës dhe matematikës.
Marilyn lindi më 11 gusht 1946, në St. Louis, Missouri, SHBA. Që në moshë të vogël, ajo tregoi aftësi të jashtëzakonshme intelektuale. Në moshën 10-vjeçare, ajo kishte lexuar të gjitha vëllimet e Encyclopedia Britannica dhe kishte aftësi të memorizonte libra të tërë.
Dukej sikur ishte e destinuar për një jetë gjeniale. Por realiteti mori një drejtim tjetër.
“Askush nuk i kushtoi shumë vëmendje, kryesisht sepse isha vajzë. Dhe unë e pranova këtë,”tha njëherë Marilyn Vos Savant.
Ajo ndoqi një shkollë publike të zakonshme, la Universitetin e Washington-it pas dy vitesh për të ndihmuar në biznesin e prindërve dhe dukej e destinuar për një jetë të zakonshme.
Por në vitin 1985 gjithçka ndryshoi. Karriera e saj mori një kthesë të madhe kur filloi të shkruajë për revistën Parade në rubrikën e njohur “Ask Marilyn”, ku përgjigjej pyetjeve të lexuesve mbi tema të ndryshme, që nga matematika deri te filozofia dhe logjika.
Marilyn u përball me një valë kritike në vitin 1990 kur u përgjigj në një pyetje të njohur si Problemi Monty Hall. Pyetja lidhej me probabilitetin në një lojë shfaqjeje, ku ajo argumentoi se pjesëmarrësit duhet të ndërrojnë zgjedhjen e tyre për të maksimizuar shanset e fitimit.
Edhe pse përgjigjja e saj ishte matematikisht e saktë, ajo mori mbi 10,000 letra, shumë prej të cilave kritike, përfshirë letra nga akademikë dhe doktorë shkencash që e kundërshtonin. Përgjigjja e saj u provua e saktë më vonë nga simulime dhe eksperimente, duke përfshirë një episod të MythBusters.
Marilyn është e martuar me Robert Jarvik, shpikës i zemrës artificiale Jarvik-7. Ajo vazhdon të jetë një avokate për mendimin kritik dhe pavarësinë intelektuale. Në intervista, ajo ka shprehur zhgënjimin e saj me sistemin arsimor, duke argumentuar se ai shpesh ndalon zhvillimin e aftësive të mendimit të pavarur.
Marilyn vos Savant është një shembull unik i fuqisë intelektuale të njeriut dhe ndikimit të saj në jetën moderne. Historia e saj mbetet një frymëzim për ata që e vlerësojnë mendimin logjik, eksplorimin intelektual dhe guximin për të sfiduar keqkuptimet e zakonshme.
Përgatiti: Albert Vataj