Një foto e rrallë, edhe pse më një cilësi jo të mirë, e dy gjigandëve të shkencës, nobelistët, Albert Ajnshtajn me Mari Kyri, viti 1929.
Ka vetëm një person në histori që ka fituar dy çmime Nobel në fusha të ndryshme shkencore, dhe ajo është Mari Kyri. Ajo u laurua me Nobel në Fizikë më 1903 dhe në Kimi më 1911. Pavarësisht këtyre arritjeve të jashtëzakonshme, dhe sfidave të paimagjinueshme, nëpër të cilat u formësua yjësia e saj e gjenisë së shkencës, karriera e saj nuk ishte kurrë si një shëtitje në parkun. Madje beteja ndaj opinionit publik ishte më e ashpër dhe më sfilitëse se sa enigmat që ajo duhet të kapërcente për të mbërritur te zbulimet e mëdha.
Në vitin 1911, Mari Kyri u bë viktimë e një fushate të egër të urrejtjes publike, ndoshta duke i kujtuar asaj se ishte grua, por duke mos mënjanuar edhe faktin se ishte një emigrante (polake) në Francën e përbindshme të betejave të mendimit dhe arritjeve, por edhe fantazmës puritane dhe moralit të shtirur. Figura të fuqishme kërkuan të shkatërronin reputacionin e saj shkencor, kryesisht sepse nuk mund të kuptonin një botë ku një shkencëtare femër mund të shkëlqente kaq shumë.
Kujtojmë se në vitin 1903, Mari Kyri u bë gruaja e parë që fitoi çmimin Nobel. Së bashku me të shoqin, ajo mori Nobelin në Fizikë për kërkimet e tyre mbi radioaktivitetin. Më 19 prill 1906, Kyri mbeti vejushë, pasi i shoqi ndërroi jetë për shkak të një aksidenti në rrugët parisiene. Mari ra në dëshpërim për vite, derisa në vitin 1910 gjeti ngushëllim te njëri nga nxënësit e të shoqit, një fizikan i ri, Pol Langevin, i ndarë nga gruaja, e cila e dhunonte fizikisht.
Kur mësoi për lidhjen e tyre, e tërbuar, ish-gruaja e tij punësoi dikë që të hynte me forcë në apartamentin ku ata takoheshin, në të cilin vodhi letrat e dashurisë që Mari shkëmbente me Langevin. Këto letra, gruaja xheloze i shpërndau në shtypin e atëhershëm, që nuk nguroi ta kryqëzonte shkencëtaren e njohur, duke e quajtur “familjeprishëse”.
Në atë kohë, Mari takoi në Bruksel, Ajnshtajnin, i cili admironte inteligjencën e saj dhe e konsideronte një njeri të ndershëm. Ajnshtajn u indinjua nga mënyra se si shtypi po e trajtonte fizikanen, duke bërë çdo gjë për t’i shkatërruar reputacionin.
I prekur, ai i shkroi një letër asaj që e konsideronte të vetmen që nuk ishte korruptuar nga fama.
“E shumënderuara zonja Kyri,
Mos qesh me mua për këtë që po të shkruar, pa pasur brenda këtyre fjalëve asgjë të ndjeshme për të thënë. Unë jam i tërbuar nga mënyra se si publiku dhe shtypi po përpiqet të denigrojë punën dhe arritjen tuaj të jashtëzakonshme. Megjithatë, unë jam i bindur se ju e përçmoni këtë qëndrim të vulgut, edhe pse ai në pamundësi për të vlerësuar me bujari dhe respekt punën tuaj po përpiqet të përmbush epshet e saja me sensacion!
Unë nuk jam aspak i nxituar të dëshmoj hapur admirimin tim për intelektin, punën dhe ndershmërinë tuaj. Dhe e konsideroj veten të privilegjuar që kam qenë unë ai që ka bërë njohje tuaj personale në Bruksel.
Çdokush duhet të jetë i lumtur që ju kemi mes nesh, ju dhe Langevin gjithashtu, njerëz realë, në praninë e të cilëve ndihesh i privilegjuar.
Nëse vulgu vazhdon të merret sërish me ju, atëherë juve u duhet thjesht të mos i lexoni gazetat, ta injoroni shtypin, duke e lënë ata të hiqen zvarrë në baltë që e ka krijuar!
Me shumë konsideratë për ju dhe
Langevin,
Ajnshtajn”.
Mari dhe Albert ndanë një lidhje të mirë me njëri-tjetrin, një miqësi, e cila ju bë krah dhe mbështetje, por edhe garanci besueshmërie, jo vetëm për integritetin moral të Mari Kyri, por edhe për kapacitetin e jashtëzakonshëm si shkencëtare. Kjo foto tregon pikërisht për kohën, nëpër të cilën kaloi kjo miqësi.
Ende sot, shumë gra në shkencë do të ndeshen me njerëz që i rezistojnë çdo ndryshimi të status quo-së. Dhe kjo është kur ju duhet të jeni të rrethuar nga njerëz që besojnë në ju – ndonjëherë më shumë sesa besoni në veten tuaj.
Albert Vataj