Në t’prame t’dritës së hans, te ty, s’mujta me ardh,
edhe pse njaq fort deshta, e kandja ma kish bash fort,
me ardh turr, drojshëm, e me u struk n’gjinin tand,
me u përpush, n’ty me u kall e truc,
n’zjarmin e njasaj zalie, ndezun, me u prush.
Me ndigjue se si njajo zemër troket paprá,
se si gjimon e shtërzen njaj krahnor,
se si përpjetet e pupthet njaj gjoks, e hepon,
fryn me tërsëllim, me huj e turr, mësyn.
S’mujta me ardh me i ba konak vetmis tande,
me t’pëshpërit n’vesh ernat qi m’shtyjn brigjeve,
me t’rrxue n’qafë nji puthje, e me t’pizat nji drithërim prore,
me t’pa se si prushesh e përpushesh, zjarmesh,
me t’ndi se si tue dasht me t’zdryp qiellin,
ti shpërbana tana trajtat e hapsinës në nji çast.
Kjaj ti Ajkun e dishtrimeve t’mija, dihat e ligshto,
mos knoft kurrnji bylbyl pa buzën tande,
u fiksha si dielli n’njata sy qi shkreptijnë syve t’tuj,
kallt njajo prekje tançka dishrushëm ledh,
u prehtë n’prehnin tem dhimbja qi ty t’kafshon,
dritë lypt njaj diell n’nji rruaz vese, qi shputat e tuja njom,
e ndrittë n’tana behjet, m’përmallin përtrift anden.
S’mujta me ardh te pritja jote, am para gjithqysh,
pritja, lshue dorzan padurimit, i kje,
me provue prushin e puthjes tande, ah bre,
buzën qi eshk tue nguc epshin prush, si bana njet,
eshka nan ujvarën e flokve tuja qi lshohen zjarmue,
tue ma lërue kurmin me drithërim e dëshirim,
s’mujta ngase njaq fort deshta, sa dreshta.
Edhe tash, n’se s’muj me ardh,
edhe pse ardhja m’nguc me huj,
n’se andrra s’dim me ma kallzue rrugën qi m’bjen tek ti.
pash njat Zot m’prit, si derimtash,
ndoshta baj vend njaty ku t’ka lodh e lidh pritja,
e tash t’nguci diqysh, n’gush e n’buz,
e gjumin kam me ta prish, me trand njat amë,
me t’than se njaq t’due, sa as andrra s’din te ti me m’pru.
Kjaj Ajkun e legjendës e njomma gjoksin me lotin tand,
shkreh n’mue tan mrazin e pritjeve tuja,
ka hak njajo zemër, qi din me dasht, po s’din me durue,
ka hak njaja buzë, qi din me puth, po friget prej zjarmit,
tançka n’mue i bahet fli zemrës tande,
tue besue se ti mundesh me ken altar ma shumë se dishrim.
Ndoshta s’kam me mujt kurrë me ardh te ti, mish e shpirt,
por andrra jote m’pret e m’përcjell çdo natë lume,
me zjarm ma mbush kupën qi m’deh,
me lot ma njom buzën qi n’gishta m’dridhet,
tue dasht njaq shumë me t’prek, ani se tuj mos mujt.
Kjaj Ajukun se me këndu ke harrue,
kjaj e m’mso se si trazimi, dhimbjen me qiell mëkon,
e dëshirimi me pafundsi rreket me mbush boshin tem.
Mallkue kjoft dekiku i diellit tand, qi s’m’pa n’ag,
mallku kjoft zjarmi jot, qi m’djeg tue dasht me n’dez,
mallkue kjoft tankush s’din me dasht njaq sa t’due un’ ty.
Bekimi i mallkimit tem i blatoft zemrës tande nji Zot,
e un’ kjosha njaj i përuluni gjunjëzim altari,
qi rrëshqan qillit po don me ju njit,
ngase don me t’dasht njaq sa s’mundet,
ngase mundet me dëshiru njaq sa don, n’se ti m’len.
Kjosh e bardh n’çdo rreze t’dritës së syve t’mi,
zjarm ndezt njajo zemër n’çdo trok e prehje,
t’dashtunit asht tue ken frym, njajo qi merr ti,
njajo qi m’m’bush mue… me diellin tand,
e shndrij… n’shndrij n’çdo prekje, e kall n’çdo andje,
krejtkund m’bahesh se çil përfytyrimi jot,
t’kundërmon kurmi e m’dalldis dehja jote.
Këndo Ajkun se kanga tash t’përkund me ernat,
e n’kllapin e amël t’çon, kah don,
tekatje ku s’ke me dasht me u ep ma kurr,
me fjet përjetsisht n’kraht e andrrimit,
tue drasht me m’dasht, siç dashtunija din e don,
e un jam tue tu lan tançka temen ty dorzan,
ty e njatij dielli qi na sheh, na dritt e na kall.
Amin!
Albert Vataj