Genc Pecnikaj
Treqind vjet më parë, rreth vitit 1728, një profesor i njohur italian i asaj kohe, kishte dyshimet e veta dhe donte të qartësohej rreth një lajmi, për një dukuri gjeologjike, mbi majën e një mali në Alpet e Shqipërisë.
Profesori ishte Antonio Vallisneri (1661-1730), mjek, shkencëtar dhe fizikant, i përkushtuar në studimin e shkencave të natyrës. Ishte Drejtues i Katedrës së Mjekësisë Teorike në Universitetin e Padovas.
Gjatë karrierës së gjatë shkencore, një nga fushat e tij kërkimore ishte dhe gjeo – hidrologjia; konkretisht ajo e origjinës së burimeve (fontanave) të ujërave, përmbledhur këto në botime të veçanta. Në Leksionet1 e tij prof. Vallisneri kishte shtjelluar tezën se origjina e të gjitha burimeve të ujërave ishte shiu, bora dhe akulli i shkrirë mbi male, ku pasi bien dhe përthithen nga terreni, shpërthejnë si burime mëposhtë, në kuota më të ulëta sesa majat e maleve.
Por një lajm i ardhur nga një grek i ditur, binte ndesh me argumentet e tij. Ai merrte shembullin faktiktë”…një burimi të kripur, që rrjedh (sipas tij) mbi majën më të lartë të malit të famshëm të Shalës” që shtrihet në krahinën e Pultit në veri të Shqipërisë.
Profesori i shkruajti menjëherë një ish-nxënësi të tij, mjek i njohur në Zara të Dalmacisë (sot Kroaci), ku ju lut që të merrte informacion mbi këtë fakt. Mjeku i Zarës Giacomo Danielli ja plotësoi kërkesën ish-profesorit dhe i siguroi një relacion shumë të vlefshëm, të marrë nga një njeri i besueshëm siç ishte Kryeipeshkvi i Zarës Imzot Vinçenc Zmajeviæ. Kryeipeshkvi i sjell rastin e vet, si dëshmitar okular në rininë e tij i këtij “burimi të jashtëzakonshëm”(cit.V.Z.) mbi malin e Shalës. Në moshën 31 vjeç, në vitin 1701 ishte emëruar nga Papa Klementi XI (Papa Albani) si Kryeipeshkëv i Tivarit (ku mblodhi dhe Kuvëndin e Arbënit më 1703) dhe Vizitator Apostolik për krahinat e Shqipërisë e mëtej. Duke qënë i ri dhe i nxitur nga kurioziteti, ai e kishte vizituar vetë të famshmin burim të kripur.
Relacioni i besueshëm i Kryeipeshkvit Imzot Vinçenc Zmajeviæ e bindi profesorin dhe ja qartësoi dyshimet mbi lartësinë në të cilën ndodhet burimi, që nuk ndodhet në majë “……por pothuajse në nivelin më lartë të malit”(sipas kryeipeshkvit). Mëpas profesori parashtron kushtet e nevojshme që të lindë fenomeni i burimit: “Mjafton që lart të ketë një shtresë toke me pyje ose shkurre, apo shkarje gurësh me guva e shpella ku të depërtojë uji i shiut dhe bora e shkrirë deri në shtresën e minierës së kripës, duke e larë dhe shpërbërë atë, dhe ti nxjerrë jashtë në siperfaqe të malit gjithë ato grimca kripe…” (shih përkthimin).
* * *
Historia e mësipërme është një përmbledhje e shkurtër e një dokumenti të vjetër vëzhgimi shkencor dhe historik të botuar fillimisht në vitin 1730 në revistën “Raccolta d’Opuscoli scientifici, e filologici “, Venecia 1730, vol.III, f.215-222 [“Përmbledhje e punimeve shkencore dhe filologjike”].
Ky tekst,i panjohur deri më sot nga literatura dhe bibliografia shqipe, mban titullin: “Fonte di acqua salata, supposto nella cima altissima del monte detto Sciala” [“Burimi i ujit të kripur, i supozuar mbi majën më të lartë të malit të quajtur Shalë”]. Botimi i dytë këtij shkrimi ju bë tre vjet më pas, më 1733, në volumin e tretë2 të përmbledhjes postume të veprave të profesor Vallisnerit.
Shkrimi është përmbledhur nga një anonim, mbi bazën e shënimeve të ndryshme, të dorëshkrimeve të pabotuara të profesor Antonio Vallisnerit. Anonimi që ka përmbledhur shkrimin është sipas të gjitha gjasave, vetë bashkëpunëtori i profesorit në drejtimin dhe përpilimin e revistës “Raccolta d’Opuscoli scientifici, e filologici” ku u botua ky shkrim, z.Angelo Calogerà (1696-1766), shkrimtar, klerik dhe erudit italian, me origjinë nga Korfuzi. Bashkë me profesor Vallisnerin, në vitin 1728 ideuan dhe nisën botimin e revistës së mësipërme “Raccolta d’Opuscoli….”e cila vazhdoi të botohej deri në vitin 1787, gjithsej 42 volume. Ishte ndër kolanat më me ndikim në shekullin e XVIII-të, në fushën e shkencave dhe filologjisë.
Në këtë dokument bie në sy vlerësimi sipëror që i bëhet këtij burimi të ujit të kripur, si: …Fonte miracolosa, …prodigiosa, …famosa, …mirabile…, ndërsa për cilësinë e kripës që nxirrej thuhet se ishte “…perfettissimo e candido…” [perfekte dhe e bardhë].
Në sintaksën origjinale fjalitë shpesh janë të gjata, me disa nivele nënrenditëse. Kjo më ka sjellë dhe vështirësi në përkthimin nga origjinali italisht duke u përpjekur që të harmonizoj ruajtjen e natyrës “dokument” të shkrimit me rrjellshmërinë e kthimit në shqip, pa rënduar tekstin. Më poshtë po sjell përkthimin e plotë të tij në shqip3.
Përkthimi shqip
Novellara, 1728.
Burimi i ujit të kripur, i supozuar mbi majën më të lartë të malit të quajtur Shalë [Antonio Vallisneri, anonim, Imzot Vinçenc Zmajeviæ](ekstrakt nga revista “Raccolta d’Opuscoli scientifici, e filologici “, Venecia 1730, vol.III, f.215-222)
Në mesin e argumenteve bindëse që bien ndesh me gjykimin e Kavalier ANTONIO VALLISNERIT rreth origjinës së burimeve, është dhe një që ndonjëherë ato burojnë mbi majat më të larta të maleve. Pavarësisht se Autori ynë4 ju ka përgjigjur këtyre çështjeve tek Leksionet e tij Akademike5 numër 30 dhe gjetkë: megjithatë erdhi gjetja nga terreni, bërë nga një erudit grek6dimrin e kaluar, duke sjellë saktësisht shembullin e një burimi të kripur7, që rrjedh (sipas tij) mbi majën më të lartë të malit të famshëm të Shalës (Sciala) që shtrihet në brendësi të perandorisë turke.
Autori ynë, duke patur rastin e letërkëmbimit me ish-nxënësin e tij, tashmë mjek i njohur në Zara, z. Xhakomo Danieli (Giacomo Danielli), ju lut që ta informojë mbi këtë fakt. Ai ja plotësoi kërkesën, dhe i dha informacione të sakta që i mori nga fort i dituri Imzot Vinçenc Zmajeviæ, Kryeipeshkvi aktual i Zarës, përfshirë në një relacion të besueshëm për Autorin tonë, ku brendia e tij ka shumë kuriozitete të tjera gjeografike dhe njohuri historike:
[letra (relacion) e Kryeipeshkvit të Zarës Imzot Vinçenc Zmajeviæ]
Zotëri i shquar, etj.
Pulti është ipeshkvi në Shqipëri në vartësi të Kishës Primate të Tivarit, i përbërë vetëm nga fshatra të vogla [katunde], të gjitha në male dhe lugina, në një distancë një ditë larg nga Shkodra dhe më pak se dy nga deti Adriatik. Të shtijnë frikën ato lartësi, dhe kjo duket se ka ndikuar tek banorët në natyrën e sjelljeve të tyre të ashpra.
Malet kryesisht nuk kanë shtigje të shkelura, ose shumë pak, që me rrezikun e gremisjes kalojnë në lugina shumë të thella, të cilat formojnë shtrate të vegjël lumenjsh. Disa nga këto male janë aq afër sa që bëhen biseda familjare nga njëri shpat në tjetrin, por për të kaluar nga ky tek ai duhet plot një ditë rrugë e mundimshme dhe e rrezikshme për ata që nuk janë vendas, nëpër rrugë që s’kanë asgjë tjetër veç emrit.
Në majë të një mali është katundi Mollë, nga ku kalohet për në majën e një tjetër mali, nëpërmjet një ure druri jo më e gjatë se tetë hapa, mbi një hendek prej gjysmë milje.
Populli i gjithi katolik roman, kanë zgjedhur ato male të hatashme si bastione të fuqishme kundër fuqisë osmane, që dhe pse është përpjekur shpesh, kurrë nuk ka mundur ti pushtojë ato gryka, e as ti nënshtrojë ata njerëz të pamposhtur dhe të zotët.
Jetojnë në brendësi të Perandorisë Turke por të pavarur nga turqit; dhe pse është një varfëri e pakrahasueshme kjo besohet nga ata si pasuri e pashembullt, sepse ndryshe nga çdo popull tjetër që i është nënshtruar Turqisë, ata kanë ditur të vetmit që ta ruajnë lirinë si kapitalin më të çmuar.
Në këtë dioqezë janë tre male, më të lartat e këtij rajoni, Bishkazi (Biscavo), Agri (Agari), e Shala (Sciala). Kjo e fundit i tejkalon të gjitha në lartësi dhe kufizohet me Serbinë. Nga lartësia e tij buron një ujë i kripur, që pasi rrjedh disa hapa, humbet. Banorët e çmojnë shumë këtë burim për të bërë kripë të përsosur dhe të bardhë, duke e vendosur atë në basene të bëra me mjeshtëri nga natyra, nga masivet e gurëve përreth, ekspozuar në diell.
Jo larg nga mali i Shalës, mali Emo8 [lat.Haemus] ose Catena Mundi e Ptolomeut, zbret nga Serbia, kalon nëpër Bullgari dhe përfundon në Detin e Zi; bashkohet me male të tjera, por të gjitha këto në krahasim me lartësinë e dukshme të Emo-s janë më të vogla. Në një largësi prej disa ditësh ndodhen malet Karpate (Carpazi) që ndajnë Shqipërinë nga Maqedonia9. Po njësoj dhe malet e Pultit janë si vargëzime mes malesh më të ulëta, dhe të gjitha bashkë vijojnë duke formuar Kurorën e [Alpeve të] Shqipërisë, duke e ndarë atë nga Serbia dhe Maqedonia. Megjithatë mbi të gjitha dominon mali i Shalës, i mrekullueshëm për shkak të burimit të tij të kripur, që nuk buron poshtë në shpate por pothuajse në nivelin më lartë të malit.
Banorët e duan shumë këtë burim çudibërës, për të siguruar kripë, përndryshe ata njerëz të varfër nuk mund ta kenë, dhe këtë e marrin si shpërblim për qëndrueshmërinë e tyre ndaj besimit të krishterë.
Në fakt, turqit janë përpjekur shpesh që tu privojnë atyre furnizimin me kripë [nga tregu], gjë që mungesa e saj do të sillte sëmundje të rënda dhe vdekshmëri tek njerëzit, si dhe te blegtoria që janë dhe pasuria e tyre kryesore, dhe ti detyrojnë këta banorë që të migrojnë në rajone më të rehatshme e më pak të ashpra [për ti dominuar]. Megjithatë ata kanë mbetur të zhgënjyer, falë mirësisë së këtij burimi të jashtëzakonshëm, bile këto raste e kanë bërë më të zellshme nevojën për ta kthyer ujin në kripë, dhe për të shpëtuar shëndetin e tyre nga rreziqet.
Shënime të Kavalier Vallisnerit :
Kur duhet të sigurohemi dhe besojmë në relacione të caktuara të njerëzve, gjithashtu edhe atyre të ditur, dhe të angazhuar për tu mbështetur në sistemin e tyre, paraprakisht mund të bëjmë dhe hulumtime historike lehtësisht të njohura. Greku i ditur donte [të thoshte] që Burimi i kripur ishte mbi majën më të lartë të malit; por relacioni i besueshëm [nga kryeipeshkvi] thotë: pothuajse në nivelin më të lartë të malit.
Oh kjo “pothuajse”, kur bëhet fjalë për lartësitë e maleve do të thotë shumë! Sepse kush don të ngjitet mëpas që nga burimi i kripur për në majë të malit, do lodhet e djersijë nga kjo rrugë e paparashikueshme dhe rraskapitëse, dhe do të kërkojë të pushojë shpesh, siç më ka ndodhur dhe mua disa herë ku, në dukje je një sy larg nga maja e maleve, por që nuk e parashikon dot kurrë mbërritjen atje.
Mjafton që lart të ketë një shtresë toke me pyje ose shkurre, apo shkarje gurësh me guva e shpella ku të depërtojë uji i shiut dhe bora e shkrirë deri në shtresën e minierës së kripës, duke e larë dhe shpërbërë atë, dhe ti nxjerrë jashtë në siperfaqe të malit gjithë ato grimca kripe, që mbushin poret e tij, të cilat janë vërtet të mjaftueshme për të siguruar nevojat e këtyre malësorëve, besnikë të Selisë së Shenjtë Romane.
P.S. [Post Scriptum]
Autori ynë, duke kërkuar dhe njëherë nëse: – mbi malin e Shalës (Sciala)(që të tjerët e quajnë Sala [Shala]) ka pyje e livadhe të vetmuara veshur me shkurre, apo vetëm gurë të thyer e të gërryer, me të çara e guva, për të mbajtur dhe thithur ujin e shiut, borën dhe akullin e shkrirë, që shkojnë duke ushqyer gradualisht të quajturin burimi i kripur; – për këtë atij ju kishte përgjigjur i lartpërmenduri, fort i dituri Kryeipeshkëv Imzot Vinçenc Zmajeviæ. Ai vetë, duke qënë i ri 31 vjeç10 kur u ngarkua me detyrën e Vizitatorit Apostolik për të vizituar mbretëritë dhe provincat e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, u nxit nga kurioziteti për të parë të famshmin burimin e kripur.
Për udhëtimin e lodhshëm thotë se ju rekomandua të bëhet me këmbë e me duar, duke qënë se ishte rrugë shumë e pjerrët dhe e thyer, derisa erdhi te burimi që ta shijonte ujin dhe për tu rifreskuar.
Admiroi vaskat, krijuar nga natyra për të përgaditur depozitat e ujit, si një kripore natyrore, punuar me një përkujdesje hyjnore. Kaloi një tjetër lodhje mbi burim derisa shkeli majën më të lartë të malit, ku gjeti një grumbull gurësh të ndryshëm e të çrregullt, pa pemë, pa bimësi, pa dhe; në mesin e të cilëve bie ujë nga qielli dhe futet bora e akulli i shkrirë, depërton në thellësi të malit, për të kaluar, ushqyer dhe formuar të përmendurin burim të admirueshëm.
Po ju qasemi shkurtimisht dhe disa çështjeve që dalin pas leximit të këtij dokumenti.
Risia kryesore që sjell ky tekst i vjetër është letra (e panjohur nga literatura shqipe) e Kryeipeshkvit Imzot Vinçenc Zmajeviæ rreth vitit 1728, si relacion i vogël përshkrues mbi krahinën e Pultit dhe faktimi nga ana e tij i ekzistencës së një burimi të kripur në malin e Shalës, nga ku nxirrej kripë “perfekte dhe e bardhë”, siç citon ai vetë. Gjithashtu dhe fakti i një burimi të ujit të kripur mbi majën e një mali, i kthyer në një kripore të mirëfilltë, është një risi që vlen të përmendet.
Vendodhja e sotme e malit me emërtimin e vjetër si “mali i Shalës” nga ku buronte uji i kripur.
Toponimi “mali i Shalës” në dokumentin e vjetër, sot në termat gjeografike mund të përputhet me njërën nga dy majat e maleve që ndajnë kufirin mes krahinës së Nikaj- Merturit dhe Shalës së Dukagjinit (dikur të dyja këto krahina ishin pjesë integrale e krahinës së Pultit, ose dioqezës me të njëjtin emër): maja e Ershellit ose maja e Kakisë, jo larg njëra tjetrës.
Varianti i parë: Maja e Ershellit. (2067 metra). Maja e Ershellit ndodhet mes krahinës së Nikaj-Merturit dhe fshatit Shalë të Dukagjinit. Përbëhet nga dy maja kryesore, të njohura në toponiminë vendore si: maja e Shalës (apo maja e Shalës së Ndërmanjës), e shtrirë nga ana veriperëndimore, që përbën dhe masivin kryesor dhe më të lartë të këtij mali; dhe maja tjetër më e vogël, nga ana juglindore, ose siç quhet maja e Gurit të Fushës së Madhe. Ka marrë këtë emër pasi poshtë shpateve të saj ndodhet një fushë e madhe në një gropë si krater.
Poshtë në shpatet jugore të Ershellit, nga ana e krahinës së Nikaj-Merturit ndodhet jo larg një fshat me emrin Salcë, i cili në përshkrimet e udhëtarëve dhe misionarëve të hershëm,dhe në harta të vjetra, dokumentohet me emërtimin Salsa [ose Salza, ndonjëherë]. Toponimi i vjetër i fshatit “Salsa” është homonimi e pastër gjuhësore me emërtimin italisht të “salsa” tek “Fonte salsa” [“Burimi i kripur”], si në dokumentin që po trajtojmë. Përputhja e emërtimeve mund të jetë fare e rastësishme, por po e parashtrojmë thjesht si hipotezë për një lidhje të mundshme mes emërtimit të vendbanimit Salsa (sot Salca) dhe burimit të kripur (fonte salsa). Në livadhet madhështore dhe në rudinat e bjeshkëve mbi këtë fshat, poshtë majës së Ershellit, ka gjurmë rrënojash dhe pirgje gurësh, të cilat sipas gojëdhënave të vjetra kanë qënë vendbanime të hershme të populluara.
Gjithashtu po të “spekulojmë” pak me emërtimin e vetë malit “Ershelli”(ose siç thirret ndryshe “Arshelli”) ajo përbëhet nga “Er(Ar) + shelli”, ku “shëlli” në gjuhën popullore d.m.th. “i kripur, ujë i kripur”.
Të dy shëmbujt e mësipërm toponimikë mbeten vetëm hipoteza, derisa të flasin studiuesit përkatës rreth tyre. Por citimi shërben dhe si nxitje dhe premisë për tu marrë me këto raste të pastudiuara.
Maja e Ershellit (2067m) është më e lartë se dy të tjerat që përmenden në dokument, ajo e Bishkazit (Biscavo) dhe e Agrit (Agari). Maja e Bishkazit është rreth 1950 metra, ndërsa maja e Agrit është një majë rreth 1380 metra, si maja më e lartë e një vargu kreshtash ngjitur me Qafën e Agrit (1300metra), nga ku kalon një shteg malor që lidh fshatin Salcë dhe Brisë (Nikaj-Mertur) me fshatrat e Shalës dhe Shoshit (Dukagjin).
Rruga që përshkruan nëpër malet e Pultit Kryeipeshkvi Imzot Vinçenc Zmajeviæ, në fakt është rruga e vjetër historike që lidhte Shkodrën me malësitë e thella të Pultit, ku një shteg kalonte nga Shoshi (citohet në dokument katundi Mollë, si dhe ura e vogël ekzistuese mbi humnerën e dy shpateve anësore të lumit) nëpër lugina e shpate malesh, në Qafë të Agrit (jo larg Ershellit) dhe zbriste në zonën e Nikaj-Merturit. Kjo rrugë malore shtigjesh këmbësore ka qënë shumë e shkelur deri në vitet ’50 të shekullit të XX-të. Segmente të caktuara të saj mes fshatrave ku kalojnë, banorët dhe sot vazhdojnë ti kenë si rrugë të të vetme lidhëse.11
Varianti i dytë: Maja e Kakisë (2360m). Dhe maja e Kakisë është e vendosur në mes Shalës së Dukagjinit dhe krahinës së Nikaj-Merturit. Maja e Kakisë është më në veri të majës së Ershellit. Nga ana e Dukagjinit kjo njihet dhe si maja e Shalës, ose shpatet e saj si faqja e Shalës. Shpatet e Kakisë në fakt kanë formacione shkëmbore gjeologjike të tilla siç përshkruan në premisa prof.Vallisneri. Ka lugje si vaska natyrore, shkarje masivesh, shpella të mëdha, guva, cirçe e të çara të thella shkëmbinjsh.
Lartësia e majës së Kakisë është 2360 metra, më e madhe se të gjitha të tjerat që jepen në dokument, ajo e Bishkazit, Agrit, si dhe e Ershellit që shqyrtuam.
Pra, për nga lartësia dhe pozicioni gjeografik, maja e Kakisë përputhet më shumë se maja e Ershellit, me thënjen e Kryeipeshkvit Imzot Vinçenc Zmajeviæ kur përshkruan majën ku ndodhet burimi i kripur: “…Kjo e fundit i tejkalon të gjitha në lartësi dhe kufizohet me Serbinë” (shih përkthimin). Citimi i fundit ka kuptimin e kufirit ndër-dioqezial mes Ipeshkvisë së Pultit dhe Kryeipeshkvisë së Shkupit e cila vinte deri aty, dhe që kishte në juridiksion kishtar dhe popujt e dioqezave të Serbisë.
Gjurmë nga ndonjë gojëdhënë apo histori tek banorët e këtyre zonave mbi faktin e këtij burimi kripe.
Nga hulumtime të ndryshme tek banorë të moshuar të atyre zonave, është i panjohur tek ata ky fakt i ekzistencës së dikurshme të një burimi uji të kripur. Mundet që burimi të jetë tharë në shekullin e 18-të, por kjo nuk përbën një kohë shumë të largët, që të ketë sjellë dhe humbjen nga kujtesa popullore të këtij burimi të çmuar kripe, pasi malsorët e atyre anëve janë të shquar në trashëgimin që u lënë brezave, të historive të moçme, të rrëfenjave, gojdhënave, e të ndodhmeve të tyre.
Por dhe nga ballafaqimi me botimet e njohura të relacioneve, letrave dhe korespondenca e Imzot Vinçenc Zmajeviæ, nuk evidentohet fakti i ketij burimi uji të kripur.
Duke ju referuar relacioneve të vitit 1702-1703 mbi Shqipërinë, të Imzot Vinçenc Zmajeviæ, botuar nga albanologu gjerman Peter Bartl në serinë “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte im 17. und 18. Jahrhundert; – Band II: Notitie uniuersali dello stato di Albania, e dell’operato da Monsig.r Vincenzo Zmaieuich Arciuescouo di Antiuari Visitatore Apostolico dell’Albania” (Peter Bartl, München, 1979), nxjerrë nga kopja që ndodhet në Arkivin e Propoganda Fide (APF) në Vatikan; në përshkrimin mbi gjëndjen e dioqezës së Pultit në fq.50 citojmë: – “… Le sue stradi non hanno altro, che il solo nome, e dovunque si volge l’ occhio, da ogni parte trova oggetti d’ horrore, senz’altro di buono, via dell’ acque abbondanti, e di perfetta qualita.” [“Rrugët e saj nuk kanë asgjë tjetër veç emrit, dhe ngado që të hedhësh sytë, në çdo anë sheh veç tmerr [mizerje], por ka dhe të mira, për shkak të ujërave të bollshme dhe me cilësi të përsosur”]. Pra ka një vlerësim të përgjithshëm për cilësinë e ujërave, por burimi i kripur nuk citohet. Por siç shihet, ka një ngjashmëri të madhe në citim nga ky relacion i vitit 1702-1703, me letrën-relacion të rreth vitit 1728 të dokumentit tonë, në përshkrimin që i bën rrugëve, shtigjeve dhe gjëndjes së vëndit. Gjithashtu dhe nga korespondencat apo letrat e Imzot Vinçenc Zmajeviæ që njohim, të përgaditura po nga studiuesi Peter Bartl dhe botuar në serinë “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte im 17. und 18. Jahrhundert; – Band I: Aus dem Briefwechsel des Erzbischofs Vinzenz Zmajeviæ” (Peter Bartl, Wiesbaden, 1975), nuk përfshihet kjo letër-relacion apo ndonjë informacion mbi burimin e kripur.
Rezistenca ndaj pushtimit turk dhe sigurimi i kripës brenda krahinës së Pultit.
Ekzistenca e prodhimit dhe sigurimit të kripës në vend brënda krahinës së Pultit, të një kripe të cilësisë së lartë siç dëshmon Kryeipeshkvi Imzot Vinçenc Zmajeviæ, mund të jetë dhe një arsye tjetër jo e vogël se përse këta malësorë rezistuan dhe nuk u nënshtruan nga turku, pasi kripa është një nga elementët e domosdoshëm të zinxhirit ushqimor. Përsa jepet nga të dhënat në dokument, turqit ndoshta nuk e dinin ekzistencën e këtij burimi ku nxirrej kripë, por kjo nuk është shumë e besueshme.
Shkrimi është botuar tek revista “Hylli i Dritës” numri 2, 2016, Shkodër]
Shpjeguesi:
1- "Lezione Accademica intorno l' Origine delle Fontane" – Antonio Vallisneri, bot.I-rë Venecia 1714; bot.II-të Venecia 1726 [“Leksione Akademike mbi Origjinën e Burimeve”].
2- "Opere fisico-mediche stampate e manoscritte del Kavalier Antonio Vallisneri….", vol.3, Venecia, 1733 [“Punimet fiziko-mjekësore, të shtypura dhe dorëshkrim, të Kavalier Antonio Vallisnerit…]
3- Falendëroj Doktorin e Shkencave (PhD) z.Ilir Pecnikaj (laureuar në Universitetin e Milanos), për korrektimin e vlefshëm të materialit të përkthyer
4- Autori ynë – shkruesi (anonim) nënkupton prof. Antonio Vallisnerin
5- Libri "Lezione Accademica intorno l' origine delle fontane" (Antonio Vallisneri; bot.I-rë Venecia 1714; bot.II-të Venecia 1726) (Leksione akademike mbi origjinën e burimeve [fontanave])
6- Një erudit grek (…un eruditissimo Greco) – nuk dihet se kush është ky grek, por nga të dhëna indirekte, nisur nga korespondenca e prof.Vallisnerit, mund të jetë njëfarë Giorgio Condilli [ndoshta arbëresh] nga ishulli Paros i Greqisë.
7- Termi "burimi i kripur" në tekstin origjinal është "Fonte salsa". Në italisht, përkufizimi "Fonte salsa", ose "salsa (geologia)" shpreh një fenomen gjeologjik vullkanik me intensitet të ulët, që shfaqet në nxjerrjen dhe derdhjen jashtë mbi sipërfaqe të tokës, të baltës e ujit të kripur, të përzier shpesh me lloje të ndryshme të gazeve. Ky veprim vullkanik ndodh në temperaturë të ulët (të afërt me temperaturën e ambientit), në ndryshim me dukurinë tjetër të llavës së nxehtë vullkanike. Mëpas nga uji i kripur mund të nxirret kripë, pasi të avullojë uji. Kripa e prodhuar shpesh është me cilësi shumë më të lartë se ajo e detit.
8- Malet e Ballkanit në lashtësi, në kohën e Ptolemeut, quheshin Haemus Mons(lat.), ose Catena Mundi Mons [Vargmalet e botës].
9- Nuk është e qartë se cilat male ka nënkuptuar relatori (V.Z.) me "monti Carpazi", që sipas tij ndajnë kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por në fakt nëse e ka fjalën për malet Karpate (Carpazi), ato shtrihen më thellë në lindje; nisin nga Europa qendrore drejt lindjes dhe juglindjes së kontinentit, nga Sllovakia nëpër Çeki, Poloni, Ukrainë, Rumani dhe Serbinë lindore.
10- Imzot Vinçenc Zmajevi? (1670-1745) ishte 31 vjeç në vitin 1701 kur u emërua Kryeipeshkëv i Tivarit. Në vitin 1702 u konfirmua nga Papa Klementi XI si Vizitator Apostolik në Shqipëri, dhe në këtë vizitë ai ka shkelur vetë burimin e kripur, sipas dokumentit.
11- Këto shtigje ceken dhe në veprën "Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un'antica carta dell'Albania Settentrionale"(Ermanno Armao, Roma, 1933) kur shqyrtohen toponimitë "Salza villa(Merturi) dhe "Agar Monti".