Përgjithësisht nuk jam mikluar kurrë nga dhurata për ditëlindje, apo ndonjë kremte tjetër. Por kjo e paradyditëve, kur unë mbërrita 58 vjeç, ishte krejt e veçantë. Nuk ndodhi me “Hë, çfarë do të të bëj dhuratë?”, apo “Si thua, blejmë këtë sepse edhe ke nevojë për të?”.
Jo ndodhi ndryshe.
Bashkëshortja dhe djali, më befasuan me një dhuratë-surprizë, e cila nuk ka rëndësi se çfarë ishte dhe sa kushtoi, por si ishte bërë e mundur.
Ajo që ishte vërtetë prekëse në këtë mobilizim që të më bënin të lumtur, ishte se im bir për të bërë paratë për të blerë dhuratën, duhej që ai të shiste një pjesë nga fëmijëria e tij.
Kjo dhuratë, që do të blihej nga paratë e dhuratave të shitura të tim biri, dhe suportin financiar të bashkëshortes.
Të gjithë gëzuam atë çast si fëmijë. Ata që më bënë mua të lumtur, dhe unë që pranova një dhuratë kaq të çmuar dhe pak të athët, të blerë me fëmijërinë e tim biri.
Megjithatë ishte gjëja më e bukur dhe më emocionuese që më kishte ndodhur, dhe pesha më e rëndë që më duhej ta mbaja në shpirt.
Ti mund të kesh shumë para, aq shumë sa nuk do të mundesh kurrë të bësh një dhuratë të tillë, të cilën nuk ka shumë që e blen, dhe vleftë me të cilën krahasohet.
Në fund të fundit, kaq mjafton për të kuptuar se çfarë është në gjendje të bëjë dashuria.
Kjo është familja!
Albert Vataj