Italiania Guendalina Middei ose Profesor X shkruan në një postim të saj të fundit një trajtesë për ndryshimet që ka pësuar letërsia. Ajo provokon me titullin “Sesso, sesso e ancora sesso!” Seks, seks dhe sërish seks!
A e dini se cili është ndryshimi midis letërsisë së shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe letërsisë së shekullit të njëzetë? Shkrimtarët e shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk e shfaqën aktin seksual, përveç në raste shumë të rralla. Shkrimtarët e shekullit të nëntëmbëdhjetë kishin turp nga seksi. Nga ana tjetër, shkrimtarët e shekullit të njëzetë kanë turp për ndjenjat e tyre.
Personazhet e sotëm nuk duan, më së shumti jetojnë në marrëdhënie varësie emocionale. Nuk emocionohen, nuk kanë ideale, nuk ndihen më aq intensivisht, në të vërtetë duket se të mos ndjerit, të qenit i paprekur është karakteristikë e shumë personazheve bashkëkohorë.
Epo, më lejoni t’ju them, nuk duroj dot t’i lexoj këto histori burrash të fiksuar pas seksit, që flasin vetëm për seksin, si të thuash Philip Roth. Nuk e duroj dot më këtë cinizëm shkretues, këtë vulgaritet të kotë, këtë letërsi moderne që e ka bërë modë ftohtësinë. Ka pasur romane të shkëlqyera, romane të paharrueshme si Lolita dhe Lady Chatterley’s Lover që dinin të ishin thellësisht sensualë pa qenë kurrë vulgarë, romane ku seksualiteti ishte guri themelor i historisë dhe jo diçka e hedhur vetëm sepse “lexuesi pret që të jetë aty”. “Por mbi të gjitha si shkrimtar pretendoj të drejtën që “të kthehem te flas për ndjenjat”. Më pëlqen të lexoj dhe të shkruaj për personazhe të aftë për të përjetuar të gjithë gamën e ndjenjave njerëzore, dashurinë, urrejtjen, hakmarrjen, trishtimin, të cilët mund të flasin për Zotin, ambicien, vdekjen, me pak fjalë, gjithçka që i përket sferës së jetës njerëzore.
Tani janë lexuar shumë histori për marrëdhënie jofunksionale, familje jofunksionale, burra e gra cinikë, gënjeshtarë, histori për këta adoleshentë të përjetshëm të rritur. Dhe çfarë mendoni?
Përgatiti: Albert Vataj