Gruaja është aq shumë kureshtare për të johur të gjitha qeniet që e rrethojnë, gjithçka që mund të shikojë e të prekë; nuk është aspak kurioze për të njohur ligjet që drejtojnë lëvizjet, për të njohur e regjistruar ndryshimet e gjërave që qëndrojnë përreth saj.
Ajo është e etur për të zbërthyer, jo arsyen e ftohtë të gjërave, por vetë gjërat; për të hetuar jo numrin e rrahjeve të zemrës që vuan, por përse ky shpirt të cilit i përket ajo zemër vuan.
Ajo është e etur për të njohur, jo ligjet që drejtojnë botën e gjallë, por emocionet që provojnë qeniet e tjera, gjërat e tjera që e rrethojnë.
Ajo është e etur për të njohur, jo sëmundjet që ekzistojnë në botë, por mënyrën për t’i kuruar.
Gruaja e vështron universin me syrin dhe me zemrën e një nëne. Bimët, kafshët, njerëzit nuk i interesojnë në vetvete e për vetveten, për formën e tyre, për zërin e tyre, për bukurin e tyre, si objekt për studim, apo për të ditur si janë të përbërë; por si qenie të prekshme nga gëzimi e nga hidhërimi, për dashurinë që mund t’i japin asaj, e për kujdesin që ajo mund t’u japë atyre.
Shkenca për shkencë, arti për art, feja për fe, gjithçka që është jashtë konkretes e të dobishmes për gruan nuk ka kuptim.
Gruaja me të vërtetë femërore ka instiktin për t’u kujdesur për gjithçka që e rrethon e për të mos lënë asgjë t’i humbë nga sytë. Gruaja nuk mund të shohë një qen që çalon, një mobilje të prishur, një bimë që fishket, pa e përqendruar në
mënyrë të pavullnetshme mendimin e vet mbi mënyrën për t’i kthyer në jetën normale këto objekte për ekzistencën e të cilëve ndjehet në mënyrë të pavetëdijshme kujdestare. Prandaj inteligjenca e gruas
është kaq e mprehtë për gjithçka që i përket botës së
gjallë, reale e konkrete, prandaj inteligjenca e saj është kaq e flashkët e tekanjoze për gjithçka që është teorike apo e përgjithshme; sepse bota e gjallë është objekti i pasionit të saj ndërsa bota teorike është indiferente për të.
Shpirti artistik i saj zhvillohet, ushqehet, kënaqet me të bukurën vetëm kur ajo ka një dobi, ndonjë lidhje me mirëqënien e jetës së përditshme.
Përgatiti: Albert Vataj