Më 19 korrik 1900, në Shkodër u lind Çiprian Nika. Ishte frat françeskan, mësues dhe publicist shqiptar. Lindi me emrin e pagëzimit Dedë, i biri i Mëhill Nikës dhe Prendës së Ali Mirashit nga fshati Celaj i Shoshit. Deda mbetet jetim nga e ëma kur qe pesë vjeç dhe një frat e afroi në Kuvendin e Françeskanëve në qytet. Përfundoi studimet e Larta Teologjike në Austri dhe më 26 korrik 1924, u shugurua meshtar në Romë, duke marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël. U kthye në Shkodër dhe u emërua profesor në liceun Ilyricum. I dhënë pas muzikës, nën drejtimin e At Martin Gjokës mori pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbëhej prej rreth 40 vetësh, ku i binte flautit. Më 1939 u ndodh në postin e Provincialit, ndërsa më 1943 kur u zgjodh Mati Prennushi, Nika ishte guardian i provincës. Me ardhjen e regjimit komunist, At Çiprian Nika u arrestua i akuzuar për fshehjen e armëve. U pushkatua më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit, në Shkodër.
Përkujtojmë sot fratin françeskan, mësuesin dhe publicistin At Çiprian Nika (19 korrik 1900-11 mars 1948)
Pater Çiprian Nika, ndoqi shkollën fillore dhe të mesme tek fretërit në Shkodër, kurse studimet për Teologji i kreu në Austri. Zhgunin françeskan e veshi më 16 tetor 1916 dhe kushtet solemne i dha më 16 shtator të vitit 1921, ndërsa më 25 korrik 1924 u shugurua meshtar në qytetin e Romës në Itali. Gjatë jetës së tij ndërmori disa role kryesore si: mësues i novicëve dhe i klerikëve, gardian dhe definitor, provincial i françeskanëve (1938-1941) si dhe gardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1943 e deri në fund të jetës së tij.
U arrestua së bashku me At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me akuzën e vendosjes dhe fshehjes së armëve në altarin e kishës, me paramendimin për të zhvilluar një kryengritje të armatosur.
Në datën 28 dhjetor 1947, trupi gjykues me kryetar Misto Bllacin dhe tre anëtarë të tjerë e dënuan At Ciprian Nikën me vdekje me pushkatim. Vendimi u ekzekutua me 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave, në orën 5 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, në Shkodër.
Fjalët e tij të fundit të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë. Shqipëria nuk vdes me ne!”
Më 5 nëntor 2016, u shpall i Lum në sheshin para Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.
We commemorate today the Franciscan friar, teacher and publicist Father Çiprian Nika (July 19, 1900-11 March 1948)