Nga Albert Vataj
Aludime apo të vërteta, kjo është shumë vonë për të ushqyer çdo alibi. Realja është se si CIA ashtu dhe KGB ishin të përfshira në prapaskenën e laurimit të Boris Pasternak me Nobelin në Letërsi dhe refuzimin e këtij vlerësia nga vetë shkrimtari, që në të vërtetë ishtë një mohim i shërbimit sekret rus, i cili pasi kishte dështuar në ndalimin e “Doktor Zhivago”, kërkonte të shuante vëmëndjen e opinionit politik botëror duke hedhur pretendimin absurd të refuzimit të çmimit të madh nga romancieri.
Vitet dhe koha do të shëmbnin çdo mure ndalimi dhe anatemimi të romancierit rus, dhe shkrimtari, tashmë përmes të birit kishte mundur të merrte atë vlerësim të merituar. Nobeli ishte i tiji, “Doktor Zhivago” ishte tashmë një vepër kapitale, një zë i fuqishëm i denoncimit dhe promovimit të një kohe të errët për personazhin e tij dhe popullin rus. Kishte fituar më në fund pena, kishte triumfuar e drejta legjitime e një shpirti, i cili me poezi dhe këtë roman legjendar, kishin bërë të mundur të nënshtrojnë një nga shërbimet më famëkeqe, një nga persekutorët më ogurzinj të diktaturës ruse.
Pasternak i lindur në vitin 1890 kish artin në gjak, trashëguar nga i ati piktor e nga e ëma pianiste. Fëmijërinë e tij e kaloi i rrethuar nga prezenca e përditshme e inteligjencës më të njohur ruse, miq të prindërve të tij. Piktorë, kompozitorë, muzikantë e shkrimtarë, midis të cilëve dhe Lev Tolstoi mblidheshin për orë e orë të tëra në sallonin e shtëpisë së tij, prezenca e bisedat e të cilëve do lënë gjurmë në formimin e tij të mëvonshëm. Fillimisht nën gjurmët e nënës e me dashurinë për muzikën, Pasternak studiojë për disa vite piano, e më pas udhëtoi në Evropë si student i shkencave filozofike. Pas viteve të studimit, ai iu dedikua vargjeve e botimeve të disa vëllimeve poetike. Por qe “Doktor Zhivago” romani i tij i parë e i vetëm, i cili i dhuroi çmimin “Nobel”.
CIA kurorëzon Boris Pasternak me çmimin “Nobel
Më vitin 1958 Boris Pasternak fiton çmimin “Nobel për Letërsinë” me veprën e tij “Doktor Zhivago” e kjo ngjarje qe një nga më aventuresket e historisë së marrjes së çmimit “Nobel”.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Boris Pasternak nis e përfundon së shkruari romanin e tij të vetëm “Doktor Zhivago”. Lidhja e Shkrimtarëve Rusë refuzon botimin e këtij libri i konsideruar autobiografik e me tone negative ndaj Revolucionit të Tetorit. Kjo vepër, kopjet e së cilës u sekuestruan nga qeveria komuniste ruse, u bë shkaku i një persekutimi intelektual të shkrimtarit nga ana e regjimit politik vendas. Por dorëshkrimi origjinal i “Doktor Zhivagos” shpëton nga sekuestrimi, kapërcen kufijtë rus dhe ishte shtëpia botuese italiane “Feltrinelli”, e cila realizoi më vitin 1957 botimin e parë të këtij libri. Jemi në vitet e krizës së Luftës së Ftohtë e ky libër u bë dëshmia e vetme e realitetit rus, u përkthye në disa gjuhë e u përhap shpejtësisht në të gjithë botën. Nën optikën e Zhivagos e të Pasternak, dënohej idealizmi bolshevik, burim vuajtjeje e dhimbjeje për popullin sovjetik. Doktor Zhivago u kthye në simbol të realitetit rus.
Në vitin 1958 Akademia Suedeze e rendit këtë libër në kandidaturat e mundshme për marrjen e çmimit “Nobel” me mendimin e fitores së sigurt të “Doktor Zhivagos”. Por pak ditë para dhënies së çmimit kuptojnë gabimin. Çmimi “Nobel”, sipas rregullores, mund t’i jepej një autori për veprat e tij vetëm pasi të jenë botuar në gjuhën nënë. “Doktor Zhivago” për fat të keq nuk kish njohur një botim të tillë e si rrjedhojë nuk do të mund të njihte këtë vlerësim. Kur gjithçka dukej se kish marrë fund hyn në lojë shërbimi sekret i inteligjencës amerikane CIA.
Jemi në kulmin e Luftës së ftohtë e vlerësimi me çmimin “Nobel” i një shkrimtari dezident rus mbi një vepër që i çirrte maskën realitetit sovjetik, u bë për CIA-n një mision i rëndësishëm. Sipas fakteve të ndërtuara nga studiuesi Ivan Tolstoi, shërbimet sekrete amerikane bien në dijeni të ekzistencës së një dorëshkrimi të librit “Doktor Zhivago” në rusisht në bordin e një avioni. Pasi detyrojnë devijimin e avionit drejt Maltës, ky dorëshkrim i daktilografuar në rusisht fotografohet faqe për faqe. Më pas publikohet me një letër ruse e sipas normave të tipografisë ruse. Misioni u krye: CIA publikoi “Doktor Zhivago” në rusisht e KGB u mund. Tani dyert e “Nobel”-it për Boris Pasternak qenë të hapura.
Më 23 tetor 1958 nën dedikimin “Për suksesin e madh si në poezisë bashkëkohore ashtu dhe në fushën e narrativës më të mirë ruse, Boris Pasternak vlerësohet me çmimin “Nobel” për letërsinë. Dy ditë më pas Pasternak i nis Akademisë Suedeze një telegram të sinqertë gëzimi, – “thellësisht faleminderit, i prekur, krenar , i pabesueshëm nga ky çmim”. Por pak ditë më pas, një telegram tjetër krejt i ndryshëm nga i pari Boris Patërnak do i dërgonte drejtuesve të Akademisë së çmimit “Nobel”. “Duke marrë në konsideratë kuptimin që i atribuohet këtij çmimi nga shoqëria ku kam lindur, refuzoj këtë çmim të pamerituar. Ju lutem mos e prisni me pakënaqësi refuzimin tim të vullnetshëm”. Qe kjo një fitore e vogël e Bashkimit Sovjetik. Akademia suedeze përgjigjet: “Ky refuzim nuk ia heq vlerat këtij çmimi”.
Dy vjet më vonë, nën vuajtjen e kërcënimeve të vazhdueshme të KGB, në varfëri e izolim të plotë, më 30 maj të vitit 1960 Boris Leonidovich Pasternak vdes në Peredelkino, qyteza e shkrimtarëve sovjetikë. Subjekti i librit “Doktor Zhivago” në vitin 1965 nën drejtim e regjisorit David Lean u kthye në një film kinematografik kolosal e prezantohet në edicionit e 19-të të Festivalit të Kanës. I gjatë mbi tre orë e me një prodhim që kapte disa miliona dollarë, ky film pati një sukses të jashtëzakonshëm e u bë fitues i pesë çmimeve “Oskar” e i pesë “Golden Globe”. Për 20 vjet “Doktor Zhivago” vazhdon të mbetet sekret në Rusi e publikohet vetëm në vitin 1988, nën klimën e reformave të Gorbaçovit.
Një vit më vonë pas rënies së murit të Berlinit e rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, djali i Boris Pasternak, Evgenij Pasternak mbërrin në Stokholm për të marrë në dorëzim çmimin “Nobel” që 31 vjet më parë kishte vlerësuar punën artistike të babait të tij.
Boris Pasternak e muzika
Në 1979 shtëpia botuese në Moskë “Kompozitori sovjetik” publikon Sonatën në Si minor të Boris Pasternak, kuruesi i së cilës ishte kompozitori i njohur rus, Nikita Bogoslovskij. Për këtë vepër ai do të shprehej: “Në trashëgiminë krijuese të Boris Pasternak nuk përmblidhen vetëm vepra letrare, por dhe ato muzikore. Në arkivin e Pasternakut konservohen disa vepra muzikore për piano, dy prelude e sonata në si minor që është dhe vepra e tij më perfekte”. Pasternak dashuronte muzikën e u rrit i rrethuar nga tingujt e pianos së të ëmës e nga prezenca e vazhdueshme e muzikantëve të njohur në shtëpinë ë tij. Në verën e 1903 ai takohet me kompozitorin e madh A.N. Skrjabin, i cili qe dhe idhulli i jetës së tij. Mjaft faqe të prozës së Pasternak i dedikohen muzikës së A.N. Skrjabin. Në kujtimet e tij ai do të shkruajë: “Para kësaj vere ulesha e tingëlloja pianon duke krijuar ndonjë kompozim timin… tani nën influencën e adhurimin e A.N. Skrjabin, interesimi im për improvizimin e kompozimin u kthyen në pasion. Për gjashtë vjeshtë radhazi, gjatë gjithë gjimnazit, i dedikohem studimit të bazave të teorisë së kompozimit nën asistencën teorike e muzikore të të famshmit Julb Enghel e më pas nën udhëheqjen e profesor R.M. Glier”.
Vetëm në moshën 19-vjeçare Pasternak heq dorë dhimbshëm nga muzika e nga e ardhmja e tij si muzikant. “U ndava nga muzika, bota e zgjedhur si e ardhmja ime, me të cilën kisha lidhur gjashtë vite jetë lodhje, vuajtje, shqetësime, u ndava ashtu siç ndahesh nga gjëja më e çmuar”. Në veprat e tij letrare Pasternak ka një përdorim të vazhdueshëm të termologjisë muzikore e të pasionit të tij për kompozitorët e preferuar si Skrjabin, Brahms, Chopin. Chopin, ai i dedikoi dhe një studim, një ese “Chopin”, në faqet e së cilës ai flet për muzikën me një kompetencë të rrallë.