Jetojmë në një kohë kur individi i pavarur i humb iluzionet se është i pavarur. Në gjithë ç’ka është thënë për letërsinë dhe sidomos për kritikën, pavarësinë e individit e kemi marrë instinktivisht si fakt ekzistues. Mbarë letërsia e re evropiane e kam fjalën për letërsinë këtu e 400 vjet të shkaura – është ngritur mbi konceptin e ndershmërisë intelektuale ose nëse dëshironi, mbi maksimën e Shekspirit: “Ji i sinqertë ndaj vetvetes” E para gjë që kërkojmë nga shkrimtari është të mos gënjejë, të thotë atë që ndjen dhe mendon vërtet.
Gjëja më e keqe që mund të themi për një vepër artistike është mungesa e sinqeritetit. Kjo gjë ka të bëjë më tepër me kritikën se sa me krijimtarinë letrare, tek e cila një dozë e caktuar artificialiteti dhe panatyrshmërie, madje edhe një dozë e caktuar verbërie qoftë kjo edhe e dukshme, nuk bëjnë aq dëm kur shkrimtari në thelb është i sinqertë. Letërsia e re, në fund të fundit, është çështje individi. Ajo ose është shprehje e sinqertë e asaj çka mendon dhe ndjen një njeri ose është hiçgjë. Siç thashë, këtë koncept e marrim ngaherë si punë të mbaruar, por megjithatë, me ta formuluar mendimin me fjalë, kuptojmë se në ç’rrezik ndodhet letërsia. Ngaqë koha në të cilën jetojmë është kohë e shtetit totalitar, i cili nuk i lejon dhe s’ka sesi t’i lejojë individit kurrfarë lirie. Kur përmendim totalitarizmin, menjëherë na vete mendja te Gjermania, Rusia. Italia.
Por ma ha mendja se duhet të marrim sysh edhe mundësinë që kjo dukuri të bëhet gjithëbotërore. Sipas të gjitha gjasave, periudhës së kapitalizmit të lirë po i vjen fundi dhe shtetet, njëri pas tjetrit, po futen në ekonominë e centralizuar, të cilën mund ta quani si të dëshironi, socializëm ose kapitalizëm shtetëror. Me këtë humbet liria ekonomike e individit dhe, në një masë të konsiderueshme edhe liria e veprimit domethënë, ta zgjedhë vetë punën dhe të udhëtojë lirshëm ku dëshiron. Deri më tash këto implikime nuk qenë parashikuar. Asnjëherë nuk është kuptuar sıç duhet se, zhdukja e lirisë ekonomike do të shprehet sadopak edhe në lirinë intelektuale. Për socializmin është menduar gjithmonë si për një soj shteti liberal e moralizues. Është shteti ai që do të kujdeset për jetën tuaj ekonomike dhe që do t’iu çlirojë nga frika e varfërisë, e papunësisë e të tjera si këto, pa qenë e nevojshme të ndërhyjë në jetën tuaj private si intelektual. Arti do të mund të lulëzonte si në kohën e kapitalizmit liberal, madje edhe më mirë, ngaqë artisti nuk do të ndodhej më nën shtrëngesën ekonomike. Duke u nisur nga faktet ekzistuese duhet pranuar se këto ide u tradhtuan.
Totalitarizmi e ndaloi lirinë e mendimit gjer në atë shkallë aq sa nuk ishte parë ndonjëherë më parë. Është e rëndësishme të nënvizohet se, kontrolli i mendimeve nuk ekziston vetëm në kuptimin negativ por edhe në atë pozitiv. Totalitarizmi jo vetëm që ju ndalon të shprehni madje edhe të përfytyroni ide të caktuara, por nga ana tjetër ju dikton çka duhet të mendoni. Ai krijon enkas për ju një ideologji dhe nëpërmjet saj orvatet të sundojë jetën tuaj intime dhe të vendosë mbi ju sistemin e lidershipit. Totalitarizmi ju kufizon pjesa tjetër e botës dhe ju kyç në një univers artistik ku nuk mund të gjeni asnjë parametër për krahasim. Shteti totalitar përpiqet që me çdo kusht t’i kontrollojë ndjenjat dhe mendimet e shtetasve të vet, madje deri në atë masë që kontrollon veprimet e tyre.
Shtrohet pyetja: A mund te gjallojë letërsia në një atmosferë të tillë? Ma ha mendja që përgjigjja në këtë rast duhet të jetë fare e shkurtër, s’ka sesi. Kësisoj në qoftë se totalitarizmi do të sundonte përjetësisht në mbarë rruzullin, atëherë ajo që e kemi quajtur letërsi do të zhdukej pa nam e pa nishan. Dhe këtu s’mjafton të thuhet siç do të ngjante e pranueshme në pamje të parë – se në këtë rast do të zhdukej vetëm letërsia e periudhës së pasrilindjes evropiane.
Ndërmjet totalitarizmit dhe gjithë sistemeve ortodokse të së shkuarës ka disa ndryshime thelbësore. Në Evropë, në mesjetë. Kisha vërtet i diktonte njeriut në çfarë duhet të besonte, por në të njëjtën kohë i lejonte që këtë besim ta mbante nga lindja deri në vdekje. Nuk i thoshte që të hënën të besonte në një gjë dhe të martën në diçka tjetër. Kjo ishte e njëjtë si për të krishterët, hindutë, budistët edhe myslimanët, si në të shkuarën ashtu edhe sot. Mendimet e individit nuk mund të kufizohen në mënyrë të përcaktuar, jetën ai e përjeton brendapërbrenda përmbajtjes së mendimeve të njëjta. Pra, ndjenjat e tij nuk ndodhen nën trysni.
Kurse totalitarizmi është krejt e kundërta. Veçoria e shtetit totalitar është që t’i kontrollojë mendimet por në asnjë mënyrë që t’i përcaktojë ato. Ai imponon dogma që janë të padiskutueshme dhe i ndërron vetë ato nga dita në ditë. Dogmat atij i duhen ngaqë ka nevojë për bindje dhe dëgjueshmëri absolute nga ana e vartësve të vet, por nga ana tjetër ai s’mund t’i shmangë ndryshimet që shkaktohen nga nevojat e pushtetit politik. Kësodore e vërteta objektive shpallet e pagabueshme dhe është po ai vetë që e sulmon atë. Le te marrim një shembull tepër kuptimplotë, deri në shtator të vitit 1939 çdo gjermani i është kërkuar ta shikojë bolshevizmin rus me frikë, ndërsa pas kësaj date i është lipsur ta adhurojë atë. Në qoftë se Rusia dhe Gjermania do t’i shpallin luftë ndonjë ditë njëra-tjetrës, atëherë do të ndodhë një tjetër ndryshim i beftë në jetën e tyre emocionale, kësisoj dashuritë dhe urrejtjet prapë do të këmbehen sipas politikës së çastit. Ma do mendja se në këtë rast nuk ka nevojë të ilustrohet me shembuj ndikimi i politikës mbi letërsinë.
Të shkruarit në një masë të madhe është çështje ndjenjash gjë që nuk mund të kontrollohet nga jashtë. Shprehur me fjalë të varfra, është e lehtë që t’i përshtatemi sistemit ortodoks në një çast të dhënë, por të shkruarit e diçkaje me vlerë është e mundur vetëm atëherë kur njeriu e ndjen vërtetësinë e asaj që thotë. Patë vërtetën, as që mund të bëhet fjalë për nxitje krijuese. Nga të dhënat e deritanishme të shkencës dimë se, ndryshimet e befasishme emocionale që totalitarizmi kërkon nga pasuesit e janë psiqikisht të papërballueshme. Ky është dhe shkaku kryesor që më shtyn të besoj se, nga një triumf i totalitarizmit në botë, letërsia nuk do të mund të ekzistonte më, të paktën ashtu siç e kemi njohur ne gjer më sot Ç’është e vërteta, totalitarizmi e ka ushtruar një përdhunë të tillë.
Ndërsa në Itali letërsia është gjymtuar, në Gjermani thuajse u shojt. Ndihmesa më karakteristike e nazistëve për letërsinë ka qenë djegia e librave. Madje edhe në Rusi ku rilindja e letërsisë u prit me pohë e me bujë, shkrimtarët që premtonin më shumë o u syrgjynosën burgjeve o ja hoqën vetes. E përmenda edhe më sipër që, kapitalizmit liberal po i vjen fundi dhe kjo gjë duket sheshit. Ndoshta është pikërisht kjo gjë që më shtyn të pohoj se, liria e mendimit po vdes në mënyrë të pashmangshme. Por ja që thellë thellë në shpirt nuk besoj se do të ndodhë kështu dhe tek e fundit do të thosha se, shpresa për shpëtimin e letërsisë gjallon ende në ato vende ku liberalizmi tashmë ka lëshuar rrënjë, në Evropën Perëndimore, në të dy Amerikat, pra në ato vende ku nuk janë në fuqi diktaturat ushtarake Besoj se dhe pse mund të tingëllojë si diçka religjioze – edhe po qe se vjen koha e ekonomisë kolektive, ato vende do të dinë të krijojnë një formë-socializmi që nuk ka asgjë të përbashkët me totalitarizmin, ku liria e mendimit dhe e individit do të dijë t’i bëjë ballë shuarjes së ekonomisë individuale Gjithsesi kjo është e vetmja shpresë që na ngelet, pas së cilës mund të kapet gjithkush që shqetësohet për letërsinë, gjithkush që ja di vlerën letërsisë, gjithkush që e kupton rolin e saj në zhvillimin e historisë njerëzore Çdo njëri nga ne duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë se të kundërshtosh totalitarizmin është një çështje “të rrosh a të mos rrosh”, S’ka rëndësi fakti nëse totalitarizmi na është imponuar qoftë nga jashtë qoftë nga brenda
1940
Përgatiti: Albert Vataj