Duke ia ofruar lexuesit këto faqe, nuk mëtoj të bëj letërsi. Qëllimi im i vetëm ka qenë për ta lënë të lirë shpirtit tim, si ai që i heq pritën një përroi dhe e lë ujët të lëshohet teposhtë, duke rrjedhur lirshëm, dhe përmbyt fushën, që e pret me aq gëzim.
Unë shkruaj, sikur të qeshja apo të qaja, dhe këto rreshta përmbajnë gjithçka të vetvetishme dhe të sinqertë, të shpirtit tim.
Ja si rrjedhin mendimet, pa kërkuar dashamirësi dhe as komente: dalin e shkojnë me të njëjtën natyrshmëri që fluturon zogu, ashtu si vjen rrëkeja, apo si mbin bima.
Drita e llambës, me një ngjyrë vjollcë të zbehtë, po dridhet e luhatet, atje mbi tavolinë.
Objektet, të mbytura nga një nuancë e përhënur, po koten; thua se një dorë e sëmurë është duke përkëdhelur mjedisin, duke e lënë në të plogështinë e saj aristokratike.
Një tingëllimë e pamëshirshme përsërit orën që më bën të kuptoj se jam gjallë dhe, njëherazi, më kujton se po vuaj.
Vuaj nga një sëmundje e çuditshme, dhimbja e së cilës më vë në gjumë; sëmundje dashurie, e pakuptueshme dhe e pamatshme nga madhësia, pafundësisht e përsosur.
E keqja më bën të jetoj me tjetër zemër… Oh, pas një detyre të ashpër, dua të çlodhem dhe ta ndjej veten duke jetuar brenda e vetes sime.
Teresa Wilms Montt lindi në Vinja del Mar (Kili) në 1893. E bija e një familjeje të elitës tregtare dhe politike kiliane. Idetë e saj feministe dhe anarkiste, bënë që ajo, e nxitur nga shqetësime të brendshme, qysh herët, të fillojë të botojë tekste poetike. Teresa, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, u martua me Gustavo Balmaceda Valdés. Kjo lidhje e lejoi atë të jetonte në vende të ndryshme në Kili. Për shkak të xhelozisë së burrit të saj, për një pabesi të supozuar me kushëririn e tij, Vicente Balmaceda, ajo u mbyll, për dy vjet, në Manastirin e Gjakut të Çmuar të Santiagos, ku shkroi një pjesë të konsiderueshme të ditarëve të saj. Pas një tentative për vetëvrasje, në vitin 1916, ajo, e mbështetur nga poeti Vicente Huidobro, arriti të arratisej në Argjentinë. Aty, gjatë një periudhë tre vjeçare, botoi të gjithë librat e saj, duke u bërë e njohur në Buenos Aires dhe në qarqet intelektuale spanjolle. Veprat e saj janë: Shqetësimet sentimentale (Buenos Aires, 1917), Tri këngët (Buenos Aires, 1917), Në qetësinë e mermerit (Madrid, 1918), Anuarí (Madrid, 1918) dhe Tregime për burrat që janë ende fëmijë (Buenos Aires, 1919). Pas vdekjes, shtëpia botuese Nascimento botoi në Kili Çfarë nuk është thënë (1922), ku ndër të tjera përfshihen edhe një pjesë e ditarëve të saj. Në vitin 1993, Ruth González Vergara publikoi një biografi të gjerë dhe të dokumentuar të saj, të titulluar Teresa Wilms Montt: një këngë për lirinë.
Shqipërim nga Bajram Karabolli