Albert Vataj
Prej sod, 13 qershor 2024, nuk asht ma mes nesh, Agron Luka. Ai ka me mungu tash e mbas prej t’ditunve që na mëkuan me dritën e vet të mendjes dhe shpirtit. Shkodrës i ikën për me e lan nji herë e përgjithmonë. Shkon për mos me mujt me u kthy ma te çdoditshmënia, kah hapat e tij zgjatoheshin mbas hijes ndjeve, e strukeshin në çapitjet e kalldrëmta të rrugicave.
Agron Luka iku ndoshta përngut, pakohë, me pengje e vramendje, me ngulme që i këputen e frymën që e dorëzon të çdo gja e frymshme që ai mujti me i dhan krejtçka kishte.
Jo vetëm familjes, ma t’dashtunve, por ai ka me i mungu Shkodrës, ndoshta edhe njatyne me t’cillët ka ndërru ndonji bisedë e kthey ndonjë gotë, edhe njatyne me të cilët u ndesh n’emën të nji besimi qi i blatoi ditënetë pafund shpalimesh e shfletimesh.
Ka zgjedh Agroni t’nisin rrugën kah amshimi, në nji ditë t’shënume, ditën e Shna Ndout, jo si nji shenjtor por si nji rishtar i devotshëm. Mori rrugën e dritës hyjnore, tue marr me vedi njeriun e mirë dhe shkodranin e ditun. Shkoi, ndoshta tue lanë gjana t’papërfundume, prej nji lëmi të madh punësh studimore dhe trajtimesh shteruese, për çështje e yshte t’gjithëfarshme, për të cilat vetëm ai diti dhe mujti me i çu deri n’fund, me pasion dhe përkushtim, me skrupulozitetin e tij karakteristik dhe nji shtjellimi detajis, shterues.
Ai ishte prej atyne burrave të ditun, i cili kishte nji përgjigje për çdo pytje, po, nji përgjigje e cila nuk toleronte asnjë kompromis të së vërtetash të pretenduara. Për këtë ai kishte punuar dhe punonte, si një misionar, pa kërku kurgja në këmbim, vetëm e vetëm që e vërteta për diçka të ishte e tillë e vërtetë e pakontestueshme. Pikërisht kjo e bani ate të veçantë, sepse tançka tjetër e kishte të njerëzishme, t’nalt pati deri n’fund dijen.
Shkodra ka humbur një nga figurat emblematike të saj, edhe pse atë e kemi parë rrallëherë në ndonjë dalje publike. Dukej se nuk i interesonte dhe aq protagonizmi, se sa ishte i dhanun me mish e me shpirt për me i shku gjanave deri n’fund, siç vetëm ai dite dhe kurrkush tjetër si ai nuk mundte. Ai e dha vedin në kësi sipërmarrjesh dijeje, për të dëshmu, se jo tana gjanat që ne i dimë, janë njashtu siç ne i kena nxan, ka edhe nji mënyrë tjetër që Agroni e dinte dhe e mbronte dinjitetshëm.
Ka ken dhe ka mbet deri në fund zelltarë i paepur, ngadhënjimtar mbi çdo pengim dhe ndalesë, sepse tek ai nuk kishte vetëm qëllime, kishte nevojë për integritet të së vërtetës, kjoft kjo edhe duke debatu ose polemizu, me fakte dhe argumenta, jo me ngritje të zanit apo me pushtime të studiove televizive.
Lajmin e ndamjes nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit të “Koha Jonë”, Agron Luka, e mora nga postimi që i vëllai i tij bate nga Melburni, por edhe prej miqve dhe kolegëve shkodran.
Sod që ai nuk asht ma, tanna që e njoftëm, krejtkund ku ai dha kontribut, por në veçanti Shkodra, janë nda përgjithmonë nga ai që të përgjithmonshëm e vlerave intelektuale dhe humane, i lidhi me emnin veprën dhe vlerat që ai la si testament.
“E konsideroj ndër të rrallët studiues, hulumtues e historian që kishte “dalë nga rreshti” i përsëritjes së historiografisë së trashëguar gjenetikisht nga komunizmi. Për çdo emision, përgatitje e tij ishte shumë e vëmendshme, serioze dhe e mbushur me dokumente e artefakte. Gjithmonë korrekt në respektimin e hapësirave në dispozicion.” shkrun në këtë ndamje, kolegu dhe miku Blerti Delija.
Kjesh i nderum dhe i privilegjum që e pata një za dhe një adresim n’Shkodër me e dvet për diçka dhe me ken i mirëinformum për gjithçmos që m’lishte me Shkodrën në veçanti, por edhe me gjana t’profesionit n’përgjithsi. Librin për Shkodrën qi ai ma dhuroi prej do vitesh me autograf dhe shkrimet e herahershme që më çonte i kam t’rujtuna dhe t’publikume në gazetën “Koha Jonë”, në blogun tim dhe jo vetëm, sepse ai nuk ishte thjeshtë nji studiues, nji historian, nji hulumtus, nji sy i mpreht dhe nji vëmendje e fokusume, por ai ishte nji aset intelektual.
Jetoi dhe iku, si shumë e shumë të kalibrit të tij, n’Shkodër e n’tan Shqipnin, tue ba nji jetë modeste dhe tue mos nga kah përfitimet dhe privilegjet, t’cillat o i takonin atij, o t’rrall kishte n’Shkodër që i meritonte ma shumë se ai. Gjithsesi kjo nuk e ndali këtë uragan dijeje dhe përkushtimi, për me ba ma t’mirë dhe me dhan gjithçka që ai kishte, si nji pemë bujare ku mundet me kokrru gjithkush e mundem me u mylmy çdo zell drite dhe shpirt t’bukur.
Ke ken dhe ke me mbet vlerë dhe vepër e njimendë e Shkodrës miku jem i palodhur, Agron Luka, i paepur, i zjarmshëm e i dritun në dije e mirësi. Ke me na mungu, ma s’shumti t’shtrenjtve t’tuj, Shkodrës krejt, n’veçanti njatyne qi gjetën te ty të pashoqin e urtësisë.
Shpirti jot u shpërbleftë me dritën e Parajsës!