“Gjerdani i ri” është një pikturë vaj në pëlhurë, e përmasave 136.5 x 213cm, e realizuar nga hungarezi orientalist, Gyula Tornai. Tabloja është një moment i shkëputur nga jeta e haremit, nga ai realitet shpesh i hiperbolizuar në rrëfenja dhe i idealizuar në art. Sepse përtej atyre mureve ishte po kaq e jashtëzakonshme të kaloje, sa dhe e pamundur. Privatësia e atij intimiteti mund ta prishte vetëm imagjinata. Mjeshtrat vetëm nëpërmjet përfytyrimit mund të arrinin të shkonin aty ky vendi ishte i rezervuar dhe zakonshmëria përbëhej nga solemniteti i një bote idilike, ku mbizotëronte mrekullia e një bote imagjinare, ku gra të bukura stolisur nga natyra laheshin në vaska me petale lulesh e lyheshin me vaj dhe esenca që udhëtonin gjatë për të shndërruar trupin e tyre në një det epshi.
Pak a shumë këtë thotë edhe kjo tablo e orientalistit të famshëm hungarez, Gyula Tornai. Siç vërehet në këtë pasqyrim real të imagjinimit. Një nga konkubinat, e cila është zhveshur dhe e shtrirë i gëzohet një gjerdani që merr si dhuratë. Koka e sajë është e rrotulluar për të demonstruar këtë moment deliri. Ndërkaq tregtari, një i ri me ngjyrë, ofron të tjerë suvenire për gratë e preferuara të padronit, në të djathtë të të cilit një tjetër grua me dy duart tregon gjoksin që pret të shpërblehet.
Kërkon që edhe ajo t’i gëzohet një dhurate të tillë. Burri, dukshëm i shkuar në moshë, duket i akullt në këtë marrëdhënie, ndoshta dhe i pazoti për t’i rezistuar një tundimi për dhuratë nga një gratë e reja që i ofrohen atij. Në të djathtë të tablosë qëndron si një guri, e zymtë dhe e trishtuar, me një rol jo favorit për dhuratë. Me gjasë ajo është shërbyesja e grave. Vështrimi i saj është si i shushatur dhe me një shprehi që e ndan tablonë si vetë realitetin. Piktori i ka dhënë rëndësi trishtimit të kësaj gruaje, duke treguar se jo çdonjëra në këtë realitet ishullor idilik është e lumtur.
Në Perëndim, konceptet imagjinare orientaliste të haremit si një botë fantazie e seksualitetit të ndaluar, ku shumë gra të zhytura në poza sugjestive si në këtë pikturë dhe në shumë tablo të mjeshtrave orientalistë.
Gyula Tornai konsiderohet si një nga piktorët më të njohur hungarez të artit orientalist. Trajnimi i tij filloi në Akademinë Vjeneze (1879 – 1882) dhe vazhdoi në Akademinë e Mynihut, ku studioi nën piktorin hungarez, profesor Gyula Benczur (1882 – 1889). Falë një burse, Tornai mundi të udhëtonte në Firence, ku kopjoi veprat e Rembrandt. Në vitin 1904, pas disa ekspozitave të suksesshme, Tornai vendosi të nisë një udhëtim nëpër botë, me qëndrime të gjata në Indi dhe Japoni në veçanti. Ai do të kthehej me piktura të shumta, të cilat i kishte realizuar gjatë udhëtimeve të tij, për t’i ekspozuar në galerinë e artit Mücsarnok. Punimet e Tornait bazohen në vëzhgimin objektiv, fotografik të subjekteve të tij, një karakteristikë që ra në sy edhe në punën e mësuesit të tij Benczur. Ai nuk pikturoi vetëm në stilin orientalist, por edhe botën orientale e interpretoi me autenticitet të ri.
Mori pjesë në Ekspozitën Universelle në Paris në vitin 1900, ku mori një medalje bronzi. Ai vdiq në Budapest në vitin 1928.
Albert Vataj