Albert Vataj
I mora leje mirëkuptuese dhe guxova, ndoshta më shumë se duhej të pyesja një miken time se ngase vuante dhe çfarë e shqetësonte që kërkonte ta mbyste këtë lëngim me postimet e herëpas’hershëm të fotografive të saja.
Mënyra se si e formulova pyetjen ishte më shokuese se sa vetë gjendja në të cilën ndodhej ajo. Mu duk se e vura në një situatë të sikletshme, prej së cilës ajo po përpiqej të gjente mënyrën se si të dilte. Natyrisht i duhej goxha përpjekje që të më bindte, se nuk kisha të drejtë në atë konstatim pyetëso. Gjithsesi ajo nuk u dorëzua, por kjo nuk do të thotë se arriti të më sfidonte në iden time.
– S’është e vërtetë se unë vuaj nga diçka, tha ajo prerazi dhe bebëzat e syve i shkonin sa majtas djathtas, duke i shoqëruar me gjeste të atij personi që është zënë në situatë të vështirë. Dhe si për ta futur këtë panoramë ankthi në një korrnizë besueshmërie, ajo stampo një buzëqeshje të vrenjtur.
Si me kast për ta trazuar më më shumë, vijova: – Përgjithësisht, secili nga ne e shmang qëllimisht idenë e të pranuarit të një gjendje të trazuar, prej së cilës lëngon. Pavarësisht faktorëve që e provokojnë; e tashmja, momentalja, apo rrjedhojë e të shkaurës.
– Unë nuk marr vesh nga psikologjia, i thash, por kam ndeshur në trajtues të kësaj tematike, të cilët vetëfotografimin e konsiderojnë një patologji serioze. Ndoshta jo të gjithë vuajnë njësoj dhe nga e njëjta gjë, por secili prej tyre është i rrezikuar. E keqja është se ne arrijmë ta kuptojmë atëherë kur situate është e pakthyeshme, kur çdo këmbanë alarmi nuk mund ta ndalojë skadimin e afatit të pagesës së kësaj tarife.
– Ngase vuajnë ata që janë kapur nga vesi i vetfotografimit? ndërhyri ajo, sikur donte edhe të kërkonte ndihmë për vete edhe të mësonte diçka nga të fshehtat e psikologjisë, në lidhje me vetëfotografimin.
Së pari, personat e përfshirë në këtë ethe publikimesh të shpeshta të fotove të tyre, vetëm ose të shoqëruar, kërkojnë insitueshëm vëmëndje të shtuar karshi tyre, gjë e cila është realisht e pamundur, aq më tepër në një situatë kur secili kërkon të jetë fokusi kryesor. Kjo është një nevojë për të mbushur një boshllëk vetëkënaqësie që i bën ata të ndihen gjithnjë të mënjanuar, jo të vlerësuar dhe pa interesimin e duhur. Të gjithë kemi nevojë për vëmëndje, por disa kanë nevojë për atë më shumë se për asgjë tjetër.
Komunikimi në rrjetet sociale është një mundësi brilante për të mbushur këtë hëndek që ndan veten tonë nga ambiciet dhe egoja. Marrin modele gjithandej, përpiqen të imitojnë personazhe të jetës publike dhe aktore (dhe ata njëri-tjetrin), të cilët mund të mos jenë idhuj e tyre, por janë një mundësi e testuar e suksesit. Sakaq harrojnë se mes tyra sa ka përpjekje për të përngjasuar në gjërat e përbashkëta, aq ka dhe pamundësi për të arritur te pritshmëritë. Kjo i bën që ata të vuajn. Dhe gjithnjë rreken që përmes vetëkënaqësisë që sjell vetfotografimi të vjedhin një copë lumturi, e cila edhe pse shpesh është e trishtë, ajo është një lloj përmbushje, një lojë e mundimshme dhe një luftë e paepur me realitetin, kryesisht atë virtual. Gara për ta është e çdoçastshme. Vetëfotografimi bën që honi ku ata po bien t’u ngjasojë me një tunël ku ata ngjiten.
Kriza shpirtrore ku gjendemi nuk është një goditje që ka indicia realiteti, ajo është një gjëndje e agravuar në progres. Ne priremi më shumë te dukja e gjërave se sa te thelbie tyre, më shumë forma se sa te përmbajtësorja.
Dhe…? U përmend ajo. Psikologët propozojnë mënyra për t’i shpëtuar këtij kurthi?
Mund të fillojë sfida duke realizuar fotografi, por jo duke i publikuar ato. Vjen një moment që dëshira për t’u parë me veten në një dimension tjetër, siç është ai i rrjeteve sociale, shterron. Por kjo biletë llotarie surprizon vetëm ata që besojnë.