Nga Albert Vataj
Johan Volfgang Goethe, poet e dramaturg, mendimtar, filozof e shkencëtar, me forcë shprehëse, me gjithë spektrin e zërave, ngjyrave dhe nuancat aq të pasura ideoemocionale, duke i ruajtur formën, harmoninë, njomështinë, thellësinë e ndjenjës dhe ngjeshjen e mendimit, la në traditën gjermane dhe atë botërore një emër dhe një vepër titane. Sublimja e tij krijuese dhe vepra që kungoi dhe kumtoi memories së dijes dhe estetikës, la gjurmë të pashlyeshme. Si njeri me dije enciklopedike, si mendimtar origjinal, dijetar i shquar dhe njohës i hollë i artit u bë një nga figurat më të mëdha të kulturës gjermane, që do të rrezatojë një humanizëm të thellë deri në ditët tona. Kuptimin e jetës e gjente tek dashuria e madhe për punë e dituri, veçmas në krijimtarinë artistike. Kështu mëson edhe veprat e tij letrare, e cila mbi të gjitha ngërthen ide që frymëzojnë për respektimin e kultit të punës, te aktit krijues dhe të dashurisë. Si personalitet kompleks dhe i gjithanshëm ai mbetet përherë pikë reference në historinë e kulturës gjermane dhe asaj evropiane. Edhe jeta e tij ka plot episode, të cilat e skalitin me shndritshëm në vezullimin e këharev këtë shkrepëtimë.
Napoleoni dhe Gëte
Më 2 Tetor 1808, Napoleoni ishte në Erfurt për një takim me Carin. Ndësa ndodhej atje mori vesh se aty ishte edhe Gëtja, për të cilin kishte dëgjuar shumë dhe donte t’a njihte. Takimi i tyre la për të dy njerëzit e mëdhenj një përshtypje të thellë. Napoleoni e mbajti gjatë duke i folur për veprat e Gëtes, të cilat i lavdëroi shumë, po bëri edhe disa vërejtje që vetë autori i pranoi si të drejta. Ndër të tjera ai i sugjeroi të bënte një dramë për vrasjen Qezarit. Kur ra fjala për tragjeditë e Shilerit, Napoleoni i quajti ato tragjedi bulevardeske. Gëtja atëherë iu përgjigj me guxim;
– Nuk i njoh bulevardet tuaja madhëri, po i marr me mënd se do të jenë të mbushur plot me njerëz; më dhimbset të dëgjoj të flitet kështu për një prej gjenive më të mëdha të kohëve tona.
Duke i rekomanduar Gëtes e po shkruante diçka për takimin e tyre, këtë t’ia kushtonte Carit, Gëtja iu përgjigj:
– Madhëri, qysh në rininë time i jam përmbajtur parimit që të mos bëj kushtime, për të mos u penduar më vonë.
Pasioni për menaralogjinë
**** Në një periudhë kohe të jetës së tij, Gëte dha pas studimit të mineralogjisë. Shumë shpejt iu neverit, sepse në teoritë e studimeve të kohës gjeti veçse absurditete.
– Do të parapëlqeja, – thoshte atëherë Gëte, – të mbetesha në gjykimin e një fëmije.
Për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.
Gëte dhe vizitori i panjohur
**** Gëten e vizitonin edhe kureshtarë. Një ditë, vetëm nga këmbëngulja e një anglezi të panjohur, që donte të hynte në shtëpinë e Gëtes, urdhëroi që ta lejonin të hynte. Gëte u ndal në mes të dhomës: qëndroi në këmbë, me duar të kryqëzuara dhe me sytë në tavan, pa lëvizur si një statujë. Në fillim i panjohuri u befasua. Pastaj ai shpejt e kuptoi dhe pa e humbur qetësinë e tij olimpike, hoqi syzet dhe erdhi rrotull Gëtes. E vërejti mirë nga koka e deri te këmbët dhe doli pa e përshëndetur.
Vagneri, që ia tregoi këtë mesele një mikut të tij, nuk dinte të thoshte se kush ishte treguar më i madh në këtë mes.
Darkat me miqt
**** Gëte i ftonte shpesh miqtë e tij për drekë. Biseda gjallërohej shumë gjatë ngrënies. Flitnin për shumë gjëra, veçanërisht për artin dhe për shkencën. E kishin të ndaluar të flisnin për ata që nuk ishin të pranishëm. Gëte nxehej shumë me ata që flisnin keq për të tjerët dhe thërriste me zërin e tij të fortë:
– Këtë baltë hidheni në shtëpitë tuaja, dhe mos e sillni tek unë.
Pjesa e mërzitshme teatrale
**** Gëte ishte drejtor i teatrit të oborrit. Një mbrëmje në këtë teatër u dha në praninë e dukës së madh një dramë shumë e mërzitshme. Edhe pse në teatër ndaloheshin fishkëllimat, shfaqja i mërziti aq shumë shikuesit, sa që disa prej tyre nuk duruan dhe nisën të fishkëllejnë.
– Kush guxon të fishkëllejë në praninë e madhërisë sime? Husarë çojeni në burg fajtorin, – thirri duka i madh, i cili më pas ia tregoi këtë ndodhi Gëtes. Poeti u përgjigj:
– Me të vërtetë ishte një komedi aq e mërzitshme sa që edhe unë kisha dëshirë të fishkëlleja.