Nga Albert Vataj
Bukuria e gruas dhe magjia e mrekullisë së veshjes karakteristike shqiptare patën kartolinën si përçuesin më origjinal dhe më besnik të asaj vlere unike të përkatësisë sonë identitare, e cila shërbeu si një mundësi komunikimi dhe prezantimi me kulturat dhe traditat.
“Kujtim prei Maleve t’Shqypeniis” është mbishkrimi i kësaj fotoje të “Marubit”, e cila u shumëfishua në funksion të kartolinës. Vendosja e diçiturës në pjesën e poshtë, dhe në të sipërme, ose ndryshimet në këtë komponent, tregojnë për shumësinë e herëve që kjo kartolinë u botua.
Historia e kartolinës shqiptare është mbinjëshekullore. Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është koha kur Shqipëria u fut në kartolina, kryesisht përmes një manifestimi të bukurisë karakteristike të gruas shqiptare në veçanti dhe larmisë së veshjeve të saj. Një ndër koleksionet më të bukura të kartolinave shqiptare është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës, por u dominua nga fotot e Marubit. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Madje disa ekzemplarë të rrallë, si fotoja e publikuar, vijojnë të shiten në internet. Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës dhe ishte kjo veçori që e shtoi vlerën e këtij lloj publikimi.
Më pas kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, dhe kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj. Ishim të panjohur dhe misterioz për një pjesë të vendeve dhe kulturave dhe kartolina u shfaq si një prezantim unik i kësaj kulture dhe tradite, vlerat e së cilës ishin po kaq perëndimore sa e çdo vendi ku ajo u pa dhe u trajtua si një befasi.
Veçantia e kartolina qëndron te pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare që u përfshi në subjekt. Ishin kartolinat nëpërmjet të cilave kaloi në një masë të konsiderueshme njohja, prezantimi dhe manifestimi i vlerave etnografike. Veshjet tradicionale shqiptare, si një prej komponentëve më unik të traditës ushqyen kartolinën shqiptare dhe e pasuruan atë më hir dhe bukuri që përgjithësisht ishte fare e panjohur. Kartolina udhëtoi ndoshta më shumë dhe më shpejt se çdo formë tjetër e prezantimit të këtij thesari të kombit shqiptar.
Duke cituar albanologun kanadezo-gjerman, Robert Elsie, kumtojmë se: Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta, të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.
Sot këto kartolina mund të jenë; grishje në nostalgji, magjepsje prej së bukurës origjinale, sikurse objekt studimi ose lakmi e koleksionistëve. Duke i rikthyer në trajtim dhe kujtesë, rrekemi të forcojmë lidhjet me të shkuarën dhe vlerat që ata përfaqësuan. Përmes këtyre fotove vjen e shkuara dhe i pëshpërit në vesh të sotmes, ndoshta duke i lënë ndonjë amanet apo përmbushur ndonjë premtim, por edhe për t’uy mburruar për atë çfarë ajo ishte dhe misionin që ju besua.
Albert Vataj
Kartolina të ndryshme të publikuara në kohë dhe nga botues të ndryshëm i gjeni te linku i poshtëshënuar.
http://www.albanianart.net/costumes/index.htm
Kartolina e publikuar si ilustrim i shkrimit, origjinale, shitet në linkun e poshtëshënuar kundrejt vlerës 9 euro.
Një tjetër printim i kësaj kartoline shitet në linkun e poshtëshënuar për vlerën 16.79 euro.