Nga Albert Vataj
Nuk e di se sa kohë kishim pa u parë, kur u takuam në ambientet e “Koha Jonë”. Por ai me sensin e tij të humorit më tha: Nuk jemi takuar që kur kishe mjekrën të zezë. Po zbardhemi miku im, pak e nga pak, don Zoti mbesim të bardhë edhe në shpirt, i thash.
Ai sot më 22 mars 2024 mbush plot 80 vjeç, por buzëqeshja e tij është ende e dritshme, plot hir dhe pozitivitet. Pas asaj shprehjet të butë dhe të ngrohtë të portretit, atyre syve që shohim përmallshëm dhe thinjave që i’a numërojnë vitet, qëndron ai, njeriu i mirë, zemra e bardhë dhe shpirti i dlirë.
Në themel të asaj marrëdhënie që Bujar Kapexhiu ka mëkuar përmes një mirësie njerëzore, dhe një profesionalizmi shprehës, qëndron vlera që ai i ka dhënë çdo përfshirjeje, çdo domosdoshmërie për të dëshmuar misionin e tij si artist.
Pavarësisht viteve që dukshëm nuk e vret mendjen t’i numërojë, vitaliteti i tij është i admirueshëm, siç mbetet e tillë shprehëse arsyeja për të të përcjellë gjithmonë një atmosferë familjariteti kudo që ke mirësinë ta takosh dhe të këmbesh një bisedë me të. Thjeshtësia dhe modestia me të cilën qaset, nuk e lejon atë ta mbajë veten të kyçur në koracën e padepërtueshme të vetëkënaqësisë, ku sivëllezërit e tij artistë të mëdhenj dhe VIP, “burgosen”.
Pavarësisht udhës që ka bërë, përpjekjeve që kanë vënë në sprovë atë, ngulmin për t’ia dalë, me të cilat është ndeshur në betejat titane të jetës, ai sërish ka mbetur ai, ai njeriu i mirë, portreti i dritshëm i një pozitiviteti që reflekton. Dhe, si të gjithë edhe ai nuk e ka patur fare të lehtë, por dukshëm ka ditur të sfidojë, për të mbetur ai që është sot, një artist në vepër dhe në shpirt.
Nëse është e udhës të hedhim një sy mbi jetëshkrimin e Bujar Kapexhiut, mund të themi se ai u lind më 22 mars 1944 në Tiranë. Karriera e tij niston si artist i roleve dytësore, të cilat i ngiti në atë nivel sa e bëri pjesë e kujtesës. Kulmon ambicia e tij me angazhimin si regjisor, skenarist dhe shpërthen fuqishëm me punët e tij si karikaturist.
Kapexhiu studioi për aktor në shkollën e lartë, pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Pas një periudhe 2-vjeçare të largimit të tij nga Tirana, për shkak të “shfaqjeve liberale dhe moderniste” në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH, ku ishte autor teksti dhe prezantues, u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Filmi “Zhgarravinat” i vitit 1977, ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë, u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979. Në Napoli më 1984 vlerësohet gjithashtu. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor, mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. “Pipiruku pret 2 miq” u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit 1985 i’u përkushtua zhanrit të kinokomedisë, duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë : “Dy herë mat”, 1986, “Tela për violinë”, 1987, “Stolat në park”, 1988, “Edhe ashtu, edhe kështu”, 1989. Në harkun kohor të viteve 1990-1992 ai ishte përgjegjës i sektorit të filmit vizatimor në Kinostudio, ndërsa në vitet 1993-1996 angazhohet si redaktor i “Akademisë së Arteve”. Në periudhën 1997 – 2017 doli në profesion të lirë, drejtues i studios artistike “Art sot vizual”, ku vijon edhe sot. Aktualisht është pedagog në Universitetin Evropian të Tiranës.
Angazhimi i tij spikat në të gjithë kontekstet, duke mbetur një integritet unik. Nëse sot mbahet në kujtesë për Festivalin e 11 të Këngës në RTSH, për hapat në zhanrin e kinokomedisë, për angazhimin me filmin vizatimor, dominues mbetet karikatura, kryesisht ajo me tematikë politike. Karikatura e Bujar Kapexhiut ndoshta është një nga armët më të fuqishme, se si arti dhe artisti mund dhe duhet të kenë në përpjekjen e tyre për të denoncuar të keqen dhe për të luftuar që gjërat të ndryshojnë. Konsekuenca e tij politike e reflektuar përmes qëndrimeve dhe karikaturave, nuk është një orientim që ai ka zgjedhur dhe një pikëpamje që ai përcjell, por një personalitet që Kapexhiu mbron. Për disa, ndoshta nuk ka zgjedhur tamam anën e duhur që duhet të mbajë, por ai duke shprehur vendosmëri dhe qëndresë në luftën që ai bën për dinjitet dhe të drejtë, tregon se është artisti tek ai, që përcakton mbi rolin që duhet të ketë çdo artist. Mospranimi për t’u bërë vegël e pushtetit, për të qenë zgjatim i asaj që ai ka denoncuar dhe luftuar me penë dhe penel, duhet t’i ketë kushtuar sëmbime shpirtërore dhe para, por ka mbrojtur me dinjitet artistin nga çdo trysni dhe ekspansion. Edhe sot në ditëlindjen e tij të 80-të, ai është sërish ai antikonformisti, ai identiteti dhe integriteti që përfaqësohet dhe promovohet nga vlera. Pavarësisht çmimit që i është dashur të paguaj, ai feston sot ditëlindjen, ende i tillë siç e njohin, me qeshjen e tij të dritshme dhe zemrën e bardhë, më zërin e kushtrues dhe vullnetin e panënshtruar. Dhe të jesh sot një artist që beson te idealet dhe aspiratat e hyjshme të artistit, duhet të jesh ai, Bujar Kapexhiu.
Albert Vataj