Të qenit i famshëm e rrit potencialisht rrezikun e përfundimit, jo vetëm në përgojime dhe në shpifje, por edhe në akuza për përvetësim të kryeveprave të artit me rrezik heqje lirie. Dhe kjo, kë mund të shënjonte më bukur se sa Pablo Picasso, një artist shumëdimensional, një zë dhe një personalitet, ndërkombëtarisht i njohur. Mes legjendës dhe të vërtetës, qëndron fakti, dhe ai e trazoi jo pak jetën e piktorit dhe mikut të tij, Guillaume Apollinaire.
Më 21 gusht 1911, “Mona Lisa” e Leonardo da Vinçit u vodh nga Muzeu i Luvrit në Paris. Tetë ditë më vonë, një burrë me emrin, Joseph Géry Pieret publikoi në “Paris-Journal”, se Picasso dhe shoku i tij, poeti avangardë, Apollinaire, kishin në posedim skulptura Iberike, që ishin vjedhur gjithashtu nga Luvri. Kjo e bëri Picasso-n një nga të dyshuarit kryesor për vjedhjen e pikturës së Leonardo Da Vincit.
Në të vërtetë, vetë Pieret, i kishte vjedhur statujat dhe ia kishte shitur Picasso, i cili i bleu pavarësisht nga vulat në fund të tyre, ku lexohej se janë pronë e Muzeut të Luvrit. Picasso ia dorëzoi statujat “Paris-Journal’, por të dy, ai dhe Apollinaire u morën në pyetje në gjykatë, në lidhje me vendndodhjen e “Mona Lisa”, e vjedhur gjithashtu. Sidoqoftë, gjykata nuk mund të siguronte asnjë provë që mund ti lidhte ata me vjedhjen, rjedhimisht u lanë të lirë.
Në dhjetor të vitit 1913, për lehtësimin e Pikasos, “Mona Lisa”, më në fund u duk në Firence, Itali. U zbulua se një punonjës i Luvrit, me emrin Vincenzo Peruggia, e kishte vjedhur pikturën në një përpjekje për ta kthyer atë në Italinë e saj të lindjes.
Albert Vataj